☀️
Tiranë 27°C · Kthjellët 29 May 2026
S&P 500 7,583 ▲0.26%
DOW 51,034 ▲0.72%
NASDAQ 26,970 ▲0.19%
NAFTA 87.14 ▼1.98%
ARI 4,605 ▲1.61%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1643 EUR/GBP 0.8667 EUR/CHF 0.9143 EUR/ALL 95.4658 EUR/MKD 61.6948 EUR/RSD 117.4040 EUR/TRY 53.4504 EUR/JPY 185.49 EUR/CAD 1.6074 EUR/USD 1.1643 EUR/GBP 0.8667 EUR/CHF 0.9143 EUR/ALL 95.4658 EUR/MKD 61.6948 EUR/RSD 117.4040 EUR/TRY 53.4504 EUR/JPY 185.49 EUR/CAD 1.6074
₿ CRYPTO
BTC $73,822 ▲ +1.21% ETH $2,032 ▲ +2.03% XRP $1.3223 ▲ +0.92% SOL $82.6500 ▲ +1.81%
S&P 500 7,583 ▲0.26 % DOW 51,034 ▲0.72 % NASDAQ 26,970 ▲0.19 % NAFTA 87.14 ▼1.98 % ARI 4,605 ▲1.61 % S&P 500 7,583 ▲0.26 % DOW 51,034 ▲0.72 % NASDAQ 26,970 ▲0.19 % NAFTA 87.14 ▼1.98 % ARI 4,605 ▲1.61 %
EUR/USD 1.1643 EUR/GBP 0.8667 EUR/CHF 0.9143 EUR/ALL 95.4658 EUR/MKD 61.6948 EUR/RSD 117.4040 EUR/TRY 53.4504 EUR/JPY 185.49 EUR/CAD 1.6074 EUR/USD 1.1643 EUR/GBP 0.8667 EUR/CHF 0.9143 EUR/ALL 95.4658 EUR/MKD 61.6948 EUR/RSD 117.4040 EUR/TRY 53.4504 EUR/JPY 185.49 EUR/CAD 1.6074
29 May 2026
Breaking
Opinion

Italia Strategjike — Ku është Shqipëria?

Nga Albert Rakipi

Në prill 2026, Fincantieri, një nga kompanitë kryesore industriale dhe të mbrojtjes të Italisë, nënshkroi një marrëveshje me kompaninë shtetërore shqiptare KAYO për prodhimin e anijeve në kantierin detar të Pashalimanit. Kryeministri Edi Rama e paraqiti projektin si pjesë të një partneriteti strategjik me Italinë, duke thënë se kompania e re do të prodhonte anije jo vetëm për Forcat e Armatosura të Shqipërisë, por edhe për ushtritë aleate.

Fincantieri nuk është një investitor i zakonshëm. Ajo është një nga kampionët industrialë kombëtarë të Italisë, e krahasueshme për nga pesha strategjike me Leonardon në mbrojtje apo ENI-n në energji. Ajo është qendrore për ndërtimin italian të anijeve, prodhimin detar, teknologjinë detare dhe politikën industriale të mbrojtjes. Prania e saj në Shqipëri ka, për këtë arsye, një kuptim që shkon shumë përtej një marrëveshjeje biznesi. Ajo e fut Shqipërinë në një gjeografi të re industriale dhe sigurie.

Por nëse zhvillohet seriozisht, Pashalimani mund të bëhet më shumë sesa një kantier detar. Ai mund të bëhet simboli i një qasjeje të re italiane ndaj Shqipërisë: nga menaxhimi i krizave te partneriteti industrial; nga kontrolli i kufijve te prodhimi detar; nga ankthi i migracionit te bashkëpunimi në mbrojtje; nga vështrimi i Shqipërisë si një fqinj i brishtë te vështrimi i saj si një aleat i aftë në Adriatik, në Mesdhe dhe në krahun juglindor të NATO-s.

Kjo është arsyeja pse ardhja e Fincantierit nuk duhet lexuar vetëm si një zhvillim biznesi . Ajo duhet lexuar si një mundësi strategjike: a mund ta shohë më në fund Italia Shqipërinë jo thjesht si një vend të afërt që duhet stabilizuar, por si një partner me të cilën mund të ndërtojë ndikim, siguri dhe kapacitete industriale në Adriatik dhe në Mesdheun dhe përtej Mesdheut?

Për më shumë se tri dekada pas rënies së komunizmit, marrëdhëniet shqiptaro-italiane kanë mbartur një paradoks të madh. Asnjë vend tjetër evropian nuk ka qenë më pranë Shqipërisë për nga gjeografia,historia, kultura, migracioni, tregtia, siguria dhe imagjinata politike. Megjithatë, asnjë marrëdhënie tjetër nuk ka mbetur kaq shpesh nën potencialin e saj strategjik.

Italia ishte dritarja e parë e Shqipërisë drejt Perëndimit. Gjatë dekadave të gjata të izolimit komunist, televizioni italian, gjuha, muzika, kultura dhe mënyra e jetesës formësuan idenë shqiptare për Evropën më shumë se çdo doktrinë zyrtare. Për shumë shqiptarë, Italia nuk ishte thjesht një vend fqinj përtej Adriatikut. Ajo ishte Perëndimi i dukshëm, Evropa e arritshme, partneri i natyrshëm për rilindjen postkomuniste të Shqipërisë.

Kjo shpjegon pse pritshmëritë pas vitit 1990 ishin kaq të larta. Ato pasqyronin gjithashtu një zhgënjim më të thellë moral. Ismail Kadare argumentonte në fillim të viteve 1990 se |”Italia kishte heshtur për shumë gjatë përballë vuajtjes së Shqipërisë nën një nga regjimet komuniste më të ashpra të Evropës.”  Përmes Italisë, Kadareja në fakt i drejtohej Perëndimit, sepse për shqiptarët Italia kishte qenë imazhi më i afërt i vetë Perëndimit. Shpresa ishte se, pas dekadash heshtjeje, Italia tani do të kujdesej për Shqipërinë pothuajse si një vëlla i madh.

Italia u përgjigj me bujari në vitet e para. Ajo ofroi ndihmë, mbështeti rindërtimin institucional, përkrahu rrugën euroatlantike të Shqipërisë dhe u bë një nga zërat më të rëndësishëm të huaj në Tiranë. Por vështrimi i Italisë ndaj Shqipërisë ka qenë gjithmonë më i dyzuar sesa vështrimi i Shqipërisë ndaj Italisë.

Pas rënies së komunizmit, Shqipëria nuk u pa në Romë kryesisht si një mundësi ekonomike apo si një partner i ardhshëm strategjik. Ajo u pa mbi të gjitha si një burim i mundshëm paqëndrueshmërie. Valët e para të migracionit, institucionet e dobëta shtetërore, krimi i organizuar, rrjetet e trafikut dhe brishtësia politike e viteve 1990 e kthyen Shqipërinë në një shqetësim sigurie. Në mendimin strategjik italian, fqinji përballë Adriatikut nuk u perceptua  si një vend me të cilin mund të ndërtoheshin projekte afatgjata , por më shumë  si një vend rreziqet e të cilit duhej të përballeshin dhe të zgjidheshin.

Ky perceptim arriti kulmin në vitin 1997, kur shteti shqiptar pothuajse u shemb pas krizës së skemave piramidale. Italia udhëhoqi Operacionin Alba, misionin shumëkombësh që ndihmoi në rivendosjen e rendit. Ishte një ndërhyrje vendimtare dhe e domosdoshme. Ajo tregoi gjithashtu se Italia mund të luante një rol të madh në Shqipëri kur vendoste ta bënte këtë. Por ndërhyrja forcoi një doktrinë që do ta formësonte marrëdhënien për vite me radhë: Shqipëria u trajtua si një fqinj i paqëndrueshëm që duhej stabilizuar, jo ende si një partner serioz që duhej zhvilluar.

Problemi është se kjo logjikë vazhdoi edhe pasi Shqipëria ndryshoi. Shqipëria u stabilizua. Ajo u anëtarësua në NATO. U bë një partner i besueshëm në sigurinë rajonale dhe u rreshtua me agjendën euroatlantike. Ajo nuk përfaqësonte më atë lloj emergjence që kishte përndjekur politikëbërjen italiane në vitet 1990. Megjithatë, harta mendore në Romë ndryshoi më ngadalë sesa realiteti në terren. Marrëdhënia mbeti e afërt, miqësore dhe e dobishme, por shumë shpesh reaktive, e kujdesshme dhe modeste.

Këtu kemi nbëritur  sot. Kjo është pyetja qendrore sot: a ka kaluar vërtet Italia përtej doktrinës së vjetër të menaxhimit të kërcënimeve drejt një doktrine të mundësisë strategjike?

Përgjigjja nuk është ende e qartë.

Politikisht, Shqipëria dhe Italia kanë marrëdhënie të shkëlqyera. Nuk ka asnjë mosmarrëveshje dypalëshe midis dy vendeve. Ato ndajnë qëndrime të gjera të përbashkëta në politikën e jashtme dhe sigurinë. Italia mbështeti anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe ka mbështetur vazhdimisht integrimin e saj evropian. Shqipëria e sheh Italinë si një nga mbështetëset e saj kryesore brenda Bashkimit Evropian. Marrëdhënia njerëzore është edhe më e thellë: më shumë se gjysmë milioni shqiptarë jetojnë dhe punojnë në Itali, duke krijuar një nga urat më të forta shoqërore midis dy vendeve.

Shqipëria, nga ana e saj, ka treguar vazhdimisht një besim të jashtëzakonshëm ndaj Italisë. Shembulli më i fundit dhe politikisht më i ndjeshëm është pranimi nga Tirana i marrëveshjes kontroverse për qendrat italiane të përpunimit të migrantëve në Shqipëri, një marrëveshje që Shqipëria nuk ia ka ofruar asnjë vendi tjetër evropian. Çfarëdo mendimi të ketë dikush për këtë marrëveshje, ajo dëshmon shkallën në të cilën Shqipëria është e gatshme të akomodojë shqetësimet strategjike dhe të brendshme të Italisë.

Por dimensioni ekonomik dhe industrial tregon një histori më të ndërlikuar.Italia mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm tregtarë të Shqipërisë. Kompanitë italiane janë të pranishme në shumë sektorë. Lidhjet kulturore, tregtare dhe njerëzore janë të dendura. Megjithatë, për një marrëdhënie që përshkruhet kaq shpesh si strategjike, profili i investimeve italiane në Shqipëri ka qenë çuditërisht i kufizuar. Pjesa më e madhe e pranisë italiane është përqendruar në tregti, shërbime, ndërmarrje të vogla dhe të mesme, prodhim fason, restorante, kafene dhe aktivitete të tjera me vlerë të ulët ose të mesme.Këto janë të rëndësishme, por nuk përbëjnë një partneritet strategjik. Aktualisht, në hierarkinë e FDI-ve strategjike në Shqipëri, Italia nuk renditet në pesëshen e parë, ku sot spikasin Hungaria, Turqia, por edhe Holanda/Zvicra, madje edhe Kanadaja e largët. Një marrëdhënie strategjike kërkon investime në sektorë strategjikë: industri mbrojtjeje, energji, porte, infrastrukturë, ekonomi detare, logjistikë, korridore transporti, prodhim të avancuar, teknologji, arsim dhe formim profesional. Rindërtimi i një marrëdhënieje strategjike në arsim do të thoshte, në një kuptim, “back to the future” ( Të kthehesh mbrapa për të shkuar tek  e ardhmja). Mjafton të kujtojmë shkencëtarët shqiptarë të viteve 1930 dhe 1940, të shkolluar në Romë dhe Torino, mes tyre Prof. Selaudin Toton, një shkencëtar të shquar të formuar në Itali , themeluesin e Institutit të Shkencave të Shqipërisë. Ai nuk ishte i vetmi. Arsimi, ashtu si industria dhe siguria, duhet të rikthehet në qendër të një politike strategjike italiane ndaj Shqipërisë. Kjo kërkon jo vetëm shkëmbim, por transformim. Kërkon jo vetëm afërsi, por vizion.

Pikërisht për këtë arsye projekti i Fincantierit ka rëndësi. Ai ofron një mundësi për t’u larguar nga modeli i vjetër. Në vend të një kapitulli tjetër miqësie simbolike apo pranie ekonomike rutinë, ai mund të bëhet shtylla e parë e një lloji tjetër marrëdhënieje: industriale, detare, teknologjike dhe strategjike. Një ndryshim i tillë do t’i shërbente gjithashtu edhe interesave të vetë Italisë.

Për vite me radhë, Italia është përballur me pyetjen për rolin e saj në Ballkan dhe në hapësirën më të gjerë, në Adriatik, në  Mesdhe. Në disa momente, Roma e ka parë rajonin , Ballkanin përmes një lenteje të fragmentuar, duke u përqendruar shumë te Serbia si nje lloj “Schwerpunkt” si boshti qendror i stabilitetit ballkanik. Për arsye ekonomike dhe strategjike, kjo qasje ishte e kuptueshme, por ajo shpesh u prir drejt ruajtjes së  status – quo- se  të, përfshirë mbështetjen për vazhdimësinë e Federatës Jugosllave dhe më vonë një qasje të kujdesshme ndaj regjimit të Millosheviçit. Në afat të gjatë, kjo dobësoi aftësinë e Italisë për të vepruar si nxitëse e ndryshimit rajonal. Italia ka vepruar gjithashtu përmes mekanizmave të BE-së dhe ka ndërhyrë në momente krize, por rrallë ka artikuluar një vizion të qëndrueshëm rajonal. Megjithatë, gjeografia e Italisë e kërkon një vizion të tillë. Një vend që dëshiron të jetë strategjikisht i rëndësishëm në Mesdhe nuk mund ta trajtojë Adriatikun dhe Ballkanin Perëndimor si hapësira periferike. Në hartën e investimeve strategjike në Ballkan, Shqipëria nuk është i vetmi vend ku Italia nuk shfaqet si aktor strategjik. E njëjta gjë vlen edhe për Serbinë, tregun më të madh të investimeve në Ballkan, ku Italia, megjithëse mbetet një investitor i rëndësishëm dhe i konsoliduar, renditet afërsisht në vendin e katërt ose të pestë, pas aktorëve më agresivë si Kina, Rusia dhe të tjerë. Nga një këndvështrim gjeopolitik, vakumi që po krijohet edhe nga mungesa e një pranie më të fortë italiane po mbushet me shpejtësi nga fuqi të treta. Një Itali vërtet strategjike ka nevojë për një politikë serioze ballkanike. Dhe çdo politikë serioze italiane për Ballkanin duhet ta vendosë Shqipërinë pranë qendrës së saj.

Shqipëria i ofron Italisë diçka që pak vende në rajon mund t’ia ofrojnë njëkohësisht: afërsi gjeografike, afinitet të thellë kulturor, një diasporë të fortë në Itali, vullnet të mirë politik, anëtarësim në NATO, orientim proevropian, një vijë të gjatë bregdetare, porte, infrastrukturë detare dhe një gatishmëri të vazhdueshme për të bashkëpunuar me Romën. Është e vështirë të imagjinohet një platformë më e natyrshme për një strategji italiane në Adriatikun juglindor.

Këtu bëhet sërish e rëndësishme ideja e një “Ostpolitik” të re italiane. Italia ka nevojë për një politikë që nuk reagon thjesht ndaj krizave në Ballkanin Perëndimor, por projekton ndikim afatgjatë përmes integrimit, investimeve, bashkëpunimit industrial, partneriteteve të sigurisë dhe mbështetjes për zgjerimin e BE-së. Një politikë e tillë nuk do të ishte një gjeopolitikë nostalgjike. Ajo do të ishte gjeoekonomi moderne dhe art strategjik shtetëror.

Ballkani Perëndimor nuk është më thjesht një zonë paqëndrueshmërie që duhet menaxhuar. Ai është pjesë e arkitekturës së sigurisë së Evropës, e debatit për zgjerimin e BE-së dhe e hapësirës juglindore të NATO-s. Ai është gjithashtu pjesë e garës për infrastrukturë, energji, porte, rrjete digjitale, zinxhirë furnizimi dhe ndikim të huaj. Në këtë mjedis, Italia nuk mund t’ia lejojë vetes një politikë të vogël ndaj Shqipërisë. As Shqipëria nuk mund t’ia lejojë vetes një politikë pasive ndaj Italisë. Për shumë gjatë, Shqipëria është mbështetur në supozimin se gjeografia, historia dhe afeksioni do të prodhonin natyrshëm një marrëdhënie strategjike me Italinë. Ato nuk e kanë prodhuar. Afiniteti nuk është strategji. Migracioni nuk është strategji. Tregtia, e vetme nuk është strategji. Edhe miqësia nuk është strategji nëse nuk përkthehet në projekte, institucione dhe angazhime afatgjata. Prandaj Shqipëria duhet të përcaktojë më qartë se çfarë kërkon nga Italia. Ajo nuk duhet t’i qaset Romës vetëm përmes gjuhës së mirënjohjes, afërsisë kulturore apo mbështetjes politike për integrimin evropian. Ajo duhet të ofrojë platforma konkrete strategjike: industri detare, prodhim mbrojtjeje, zhvillim portual, bashkëpunim energjetik, arsim profesional, partneritete universitare, korridore infrastrukturore dhe nisma të përbashkëta rajonale.

Projekti i Fincantierit mund të bëhet themeli i një platforme të tillë. Por vetëm nëse Shqipëria ndërton rreth tij ekosistemin e nevojshëm: shkolla teknike, kapacitete inxhinierike, formim detar, planifikim të prokurimeve të mbrojtjes, modernizim portual, rregullim transparent dhe mbrojtje nga ndërhyrjet klienteliste dhe sidomos duke lënë mënjanë interesat afatshkurtra. politike që lidhen me pushtetin. Nëse Shqipëria dëshiron të trajtohet si një partner strategjik, ajo duhet të sillet si një shtet strategjik.

Formula e vjetër e marrëdhënieve shqiptaro-italiane u ndërtua mbi afërsinë, emocionin dhe emergjencën. Formula e re duhet të ndërtohet mbi industrinë, sigurinë, teknologjinë dhe qëllimin e përbashkët gjeopolitik.

Për dekada, Italia pyeste se çfarë rreziqesh mund të vinin nga Shqipëria: migracioni, paqëndrueshmëria, krimi, kufijtë e dobët. Këto ishin shqetësime legjitime, sidomos në vitet 1990. Por ato ishin shqetësime mbrojtëse. Ato i përgjigjeshin pyetjes se çfarë frikësohej Italia nga Shqipëria, jo çfarë mund të ndërtonte Italia me Shqipërinë.

Tani pyetja duhet përmbysur: çfarë mund të ndërtojnë së bashku Italia dhe Shqipëria? Ato mund të ndërtojnë një qendër industriale detare në Adriatik. Mund të ndërtojnë një model bashkëpunimi në mbrojtje brenda NATO-s. Mund të ndërtojnë një aks më të fortë jugor për integrimin evropian. Mund të lidhin kapacitetin industrial italian me gjeografinë dhe kapitalin njerëzor shqiptar. Mund ta shndërrojnë Shqipërinë nga një fqinj periferik në një platformë strategjike për rolin e Italisë në Ballkan dhe në Mesdhe. Por kjo kërkon imagjinatë politike nga të dyja palët. Italia duhet të ndalojë së pari Shqipërinë kryesisht përmes kategorive të vjetra të migracionit, kufijve dhe rrezikut. Shqipëria duhet të ndalojë së prituri vëmendjen e Italisë sikur afërsia historike të mjaftonte. Partneritetet strategjike nuk trashëgohen. Ato ndërtohen.

Për momentin, projekti i Fincantieri-t mbetet pjesë e një imagjinate politike strategjike nga të dyja palët. E tillë ishte edhe marrëveshja Itali–Shqipëri–Emirate të Bashkuara Arabe për energjinë e rinovueshme dhe interkonektorin nënujor Vlorë–Pulja, me vlerë rreth 1 miliard euro, e nënshkruar një vit më parë, në vitin 2025, me përfshirjen e Terna-s italiane dhe TAQA-s nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Por vetëm imagjinata politike nuk është e mjaftueshme. Siç thotë një shprehje e urtë shqiptare: nga e thëna në të bërë është një det i tërë.

Mbreti Zog shkruante dikur se nuk kishte frikë nga një Itali e fortë; kishte frikë nga një Itali e dobët. Një Itali e fortë, argumentonte ai, ështv një Itali që dëshiron një Shqipëri të qëndrueshme, të organizuar dhe të pavarur. Kjo ide mbetet jashtëzakonisht e rëndësishme dhe shumë relevante edhe sot. Por sot ajo duhet çuar më tej: një Itali vërtet strategjike është ajo që e sheh Shqipërinë jo vetëm si të qëndrueshme dhe të pavarur, por si të dobishme, të aftë dhe të domosdoshme.

Albert RakipiInstituti i Studimeve Nderkombetare.

Libri më i fundit i tij është: The Perils of Change. Albania’s Foreign Policy in Transition.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.