Karamuço: Trafik armësh është bërë në 36 vite, kemi çuar armë në Ukrainë
Eksperti i sigurisë Ervin Karamuço këtë të martë i ftuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka folur lidhur me kërkesën e opozitës për ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me pretendimet për trafik ndërkombëtar armësh. Ai sqaroi aspektet ligjore dhe ushtarake të kësaj çështjeje, duke theksuar se çdo njoftim apo denoncim publik duhet të shërbejë si bazë për nisjen e hetimeve kryesisht nga ana e SPAK-ut.
Karamuço u shpreh se Shqipëria ka një histori të gjatë në tregtinë e armatimeve, por në kuadrin e ligjshmërisë dhe marrëveshjeve shtetërore.
Eksperti solli në vëmendje se Shqipëria ka prodhuar dhe eksportuar armë deri në vitet 2001-2002 dhe se mbështetja me armatime e logjistikë ndaj Ukrainës që prej fillimit të luftës nuk është sekret.
Karamuço theksoi se në terma ushtarakë e tregtarë, “trafiku” kthehet në tregti të ligjshme atëherë kur ka aprovimet dhe licencat përkatëse. Ai mori shembull Serbinë, e cila ka 17 fabrika shtetërore e private që prodhojnë municione për Ukrainën.
“Në 36 vite demokraci, Shqipëria ka bërë gjithë kohën “trafik armësh”, por i gjithi ka qenë sipas të gjitha rregullave dhe dokumentacionit zyrtar me dijeninë e institucioneve, eksport-import.
Kemi bërë forma nga më të ndryshmet. Kemi çuar në Afrikë, janë disa ministra të mbrojtjes që kanë marrë pjesë. Kemi çuar armatime, kemi çuar në Lindje. Kemi prodhuar dhe kemi çuar deri në vitin 2001-2002. Kemi prodhuar armë deri në 2002-shin vetë.
Pastaj e kemi ndërprerë prodhimin dhe eksportin. Dhe të vijmë te Ukraina siç është rasti konkret. Tashmë nuk përbën ndonjë sekret që ne kemi çuar armë në Ukrainë. Kemi mbështetur me logjistikë Ukrainën që në fillimet e saj. Madje kemi bërë trajnime të disa prej ushtarakëve të nivelit të mesëm dhe të lartë në Shqipëri, të cilët më pas shkuan në front.
Më fal, kjo ka qenë historia e nënkuptuar e shumë falënderimeve që Zelensky ka drejtuar, ka adresuar ndaj Shqipërisë në atë kohë. Atëherë, kjo është pjesë e një trafiku në kuptimin e ligjshëm, jo të paligjshëm. Eksport-import. Unë e përmenda trafik sepse ka porositës, ka një përpunues dhe pastaj ka një përfitues.
Dhe kjo në linjat e trafikut ndërkombëtar të armëve është e aprovuar ose e paaprovuar. Kur është e paaprovuar është e paligjshme dhe në bazë të ligjeve ndërkombëtare ti shkon në burg. Nëse është e aprovuar, pastaj kthehet në një tregti normale.
Për shembull, në Ballkan tregtaren më të madhe të armëve me Ukrainën e ka Serbia. Serbia ka 17 fabrika shtetërore dhe private që prodhojnë vetëm për Ukrainën. Kjo ka qenë edhe përplasja, mos hymë, përplasja me Rusinë që pse i çoni armë e të tjerë e të tjerë. Dhe së fundi dronët që ka marrë Izraeli, si po bashkëpunon dhe këtu dhe aty”, tha ai ndër të tjera.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.