Kur propaganda kthehet në boomerang: Mësimet nga disfata zgjedhore e Orban-it në Hungari

Humbja e thellë e qeverisë së Viktor Orbanit në zgjedhjet e prillit tregoi qartë se dominimi i saj pothuajse i plotë mbi peizazhin mediatik të Hungarisë nuk mjaftoi këtë herë për të siguruar fitoren. Që atëherë, të dhënat e reja kanë treguar se sa joefektive ishte në të vërtetë fushata zgjedhore e partisë Fidesz, e ish-kryeministrit hungarez, aleatit të saj kristian-nacionalist KDNP dhe strukturave që vepronin në mbështetje të tyre.
Sipas kompanisë lituaneze të inteligjencës së narrativave Repsense, me seli në Vilnius, e cila kombinoi tre analiza plotësuese gjatë katër muajve që paraprinë zgjedhjet e përgjithshme në Hungari, disa prej përpjekjeve të qeverisë – përfshirë një operacion të tipit “false flag” (provokim i rremë), ku u përdor një flamur i vërtetë për të diskredituar partinë opozitare Tisza – rezultuan në një efekt të kundërt dhe dështuan rëndë.
Sipas raportit të konsoliduar ekzekutiv, jo publik, të siguruar nga BIRN, Repsense analizoi gjithsej 816,863 artikuj dhe postime në faqet hungareze të lajmeve, si edhe në platformat Facebook, X, YouTube, TikTok, Instagram dhe Telegram, gjatë periudhës nga dhjetori 2025 deri në prill 2026. Këto materiale përmbanin rreth 12,25 milionë fjali unike. (Kompania nuk synon të monitorojë çdo llogari, por përqendron mbledhjen e të dhënave te llogaritë me ndikim dhe përmbajtjet që arrijnë audiencë të gjerë në të gjithë spektrin politik.)
Raporti tregon se, ndonëse përmbajtjet që përputheshin me temat e fushatës së Fidesz-it ishin afërsisht katër herë më të shumta se ato që pasqyronin temat e opozitës, në disa raste reagimet kundërshtuese u përhapën më shpejt dhe arritën audiencë më të madhe sesa vetë operacionet fillestare.
Kjo nuk do të thotë se propaganda e ish-qeverisë nuk arriti te një numër i madh qytetarësh hungarezë. Pas 16 vitesh në pushtet, Fidesz kontrollonte drejtpërdrejt ose tërthorazi rreth 80 për qind të peizazhit mediatik të Hungarisë, duke përfshirë transmetuesit publikë dhe privatë, gazetat kombëtare, shtypin rajonal dhe mediat online. Mesazhet e qeverisë përforcoheshin gjithashtu nga fushata masive me billborde të vendosura në mbarë vendin. Megjithatë, këtë herë bindja e qytetarëve rezultoi një sfidë krejt tjetër.
Demaskimet u bënë më virale

Një rast domethënës ishte ai kur disa të rinj shpalosën një flamur gjigant të Ukrainës gjatë tubimit të partisë Tisza për festën kombëtare të 15 Marsit. Fotografitë e këtij aksioni u publikuan dhe u shpërndanë me shpejtësi nga mediat dhe llogaritë pranë Fidesz-it, duke e paraqitur incidentin si provë se partia opozitare mbështeste Ukrainën.
Megjithatë, media e pavarur 444.hu raportoi shpejt se aksioni ishte koordinuar nga anëtarë kyç të stafit të një agjencie të fushatave digjitale të lidhur me Fidesz-in. Ajo identifikoi gjithashtu dy të miturit që kishin shpalosur flamurin; njëri prej tyre publikoi më vonë atë ditë një Instagram Story, ku shfaqej në shoqërinë e kryetarit të organizatës së Budapestit të Fidelitas, forumit rinor të Fidesz-it.
Repsense analizoi disa tregues të bazës së të dhënave, mes tyre edhe intensitetin viral, që mat sa shpejt dhe sa gjerë përhapet një narrativë. Ky tregues bazohet kryesisht në shpejtësinë e publikimit (numrin e fjalive të publikuara në orë), ritmin e përshpejtimit të përhapjes dhe madhësinë që arrin narrativi gjatë gjashtë orëve të para krahasuar me përhapjen e tij përfundimtare.
Për rastin e flamurit, postimet fillestare morën 28 pikë në analizën e thelluar të Facebook-ut për intensitetin viral, ndërsa publikimet që demaskonin operacionin arritën 44 pikë, duke siguruar gjysmën e shtrirjes së tyre totale në më pak se një orë – përhapja më e shpejtë e regjistruar në bazën e të dhënave të Facebook-ut të kompanisë.
“Ajo që tregojnë të dhënat është se qytetarët hungarezë i përdorën të njëjtat platforma jo si konsumues pasivë të propagandës, por si një forcë aktive kundër dezinformimit. Kjo dinamikë kujton premtimin fillestar të rrjeteve sociale si mjet i rezistencës qytetare dhe sjell ndër mend Pranverën Arabe,” tha Mykolas Katkus, bashkëthemelues dhe drejtor ekzekutiv i Repsense.
“Mjedisi informativ kishte zhvilluar një lloj reagimi imunitar – çdo provokim i ri vetëm sa përshpejtonte zbulimin dhe demaskimin e tij.”
Fakti që e vërteta pas shpalosjes së flamurit u zbulua nga një media e pavarur nënvizon rëndësinë e shtypit të lirë.
“Besoj se raporti nuk është plotësisht gjithëpërfshirës, në kuptimin që ky ndryshim qeverie nuk do të ishte i mundur pa punën e gazetarëve të pavarur,” thekson Kata Horvath, studiuese e medias në Departamentin e Medias dhe Komunikimit të Universitetit Eötvös Loránd në Budapest.
Horvath vlerëson se media e lirë që ka mbetur në Hungari ka bërë një punë të jashtëzakonshme në rrethana shumë të vështira, duke zbuluar raste të shumta korrupsioni, të vërtetën pas incidentit me flamurin, si edhe skandalin e pedofilisë. Ky i fundit lidhet me dorëheqjen, në vitin 2024, të presidentes Katalin Novak, pasi u zbulua se ajo kishte falur ish-zëvendësdrejtorin e një shtëpie për fëmijë, i cili kishte ndihmuar në fshehjen e abuzimit seksual të fëmijëve të kryer nga eprori i tij.
Bulcsu Hunyadi, drejtues i programeve në institutin kërkimor Political Capital, me seli në Budapest, thotë se rol të rëndësishëm luajti edhe komunikimi aktiv i ekspertëve të besueshëm dhe me ndikim, të cilët ndihmuan publikun të kuptonte se çfarë po ndodhte në të vërtetë.
Të dhënat e Repsense tregojnë modele të ngjashme edhe lidhur me dallimet mes sondazheve të institucioneve të pavarura, që tregonin epërsinë e opozitës, dhe instituteve pranë Fidesz-it, të cilat parashikonin një tjetër fitore të partisë në pushtet. Vetë kjo çështje u shndërrua në një narrativë më vete: sipas raportit, një sondazh i institutit Nezopont, i afërt me Fidesz-in, mori 15 pikë në indeksin e intensitetit viral, ndërsa reagimet kundërshtuese arritën 35 pikë.
Një video e krijuar me inteligjencë artificiale, ku paraqitej ekzekutimi i një babai hungarez, pjesë e përpjekjeve të Fidesz-it për ta paraqitur votimin si zgjedhje mes qëndrimit jashtë luftës në Ukrainë ose përfshirjes në të, mori 28 pikë, ndërsa narrativat kundërshtuese arritën 35 pikë.
Repsense konstatoi se ky ishte një nga materialet e fushatës që u prit më negativisht nga publiku. Edhe pse reagimet negative mund të kenë qenë të drejtuara ndaj Ukrainës ose thjesht një reagim njerëzor ndaj përmbajtjes, diskutimet që e shoqëruan videon – më shumë sesa vetë analiza e sentimentit – sugjerojnë se reagimi negativ ishte kryesisht kundër videos. Sipas raportit, narrativat që morën vlerësimet më negative ishin ato që lidheshin me sulmet fizike ndaj aktivistëve.
Megjithatë, ky model nuk u përsërit në çdo rast. Në çështjen shumë të diskutuar të sekuestrimit të një sasie parash cash, i cili u shfrytëzua gjerësisht për propagandë nga mediat pranë qeverisë, Repsense konstatoi se narrativa fillestare dhe kundër-narrativa arritën të njëjtin nivel intensiteti viral.
Narrativa të njohura

Duke analizuar 12,25 milionë fjali të mbledhura nga faqet e lajmeve dhe platformat e rrjeteve sociale, Repsense konstatoi se 2,81 milionë fjali përputheshin me narrativat e fushatës së Fidesz-it, ose pothuajse 23 për qind e të gjithë përmbajtjes së shqyrtuar. Tre mesazhe kryesore – pretendimi se partia opozitare Tisza donte ta fuste Hungarinë në luftë, se ajo do të shkatërronte ekonominë dhe se financohej nga Ukraina dhe fuqi të tjera të huaja – përbënin gati 20 për qind të gjithë diskursit të monitoruar.
Sipas platformës investigative Vsquare.org, Moska dërgoi specialistë të manipulimit të rrjeteve sociale në Budapest për të ndërhyrë në zgjedhje në favor të Fidesz-it të Viktor Orbanit. Siç tregojnë të dhënat e Repsense, vetë shpërndarja e këtij investigimi u shndërrua në një narrativë të rëndësishme, duke u përhapur me shpejtësi dhe në mënyrë organike nga grupet autentike të opozitës në Facebook, dhe jo nga llogari të automatizuara (bot-e).
Analiza e Repsense konfirmon se narrativat tipike të Kremlinit – Orbani si garantues i paqes, Bashkimi Evropian dhe Ukraina si kërcënim lufte, Peter Magyar si “kukull” e Brukselit dhe Ukraina si ndërhyrëse në zgjedhjet hungareze – ishin qartësisht të pranishme, por thekson se ato u përforcuan kryesisht përmes llogarive zyrtare të Fidesz-it dhe mediave pranë qeverisë.
Strategjia propagandistike e Kremlinit ishte veçanërisht e matshme në TikTok, ku përbënte rreth 17 për qind të postimeve të grupuara sipas narrativës, ndërsa llogaritë e lidhura me Fidesz-in ishin ndër shpërndarësit kryesorë të këtyre mesazheve. Megjithatë, raporti i Repsense thekson se “atribuimi i kësaj veprimtarie koordinimit rus nuk mund të provohet vetëm mbi bazën e të dhënave të përmbajtjes.”
Gjithsesi, është e vështirë të përcaktohet se deri në çfarë mase Fidesz i krijoi vetë këto narrativa. Megjithatë, Repsense vuri re se një rrjet llogarish të automatizuara i lidhur me Rusinë shpërndau, duke filluar nga shkurti, video të manipuluara që pretendonin rrejshëm se ishte organizuar një atentat ndaj Viktor Orbanit.
Katkus thotë se situata në TikTok ndryshon ndjeshëm nga ajo në Facebook.
“Një përdorues mesatar që sapo regjistrohet në TikTok në Budapest do të përballet me një përmbajtje dukshëm të njëanshme,” thekson ai.
Në një analizë të veçantë të TikTok-ut, Repsense shqyrtoi 15,791 postime unike, të publikuara nga 183 llogari. Numri mujor i postimeve u rrit nga 488 në dhjetor 2025 në 7,843 në mars 2026 – një rritje afërsisht 16-fish. Aktiviteti ditor i këtyre llogarive arriti kulmin më 11 prill, një ditë para zgjedhjeve, me 360 postime.
Studiuesit regjistruan gjithashtu rritje të ndjeshme të aktivitetit më 3-4 mars, në të njëjtën periudhë me një bisedë telefonike mes Viktor Orbanit dhe Vladimir Putinit, si edhe me takimin e ministrit të Jashtëm hungarez Péter Szijjártó me Putinin në Kremlin. Një tjetër kulm u vu re më 8 prill, pas publikimit të një regjistrimi audio të rrjedhur në media që lidhej me Szijjártó-n.
Raporti thekson se kjo përputhje kohore tregon korrelacion, por jo domosdoshmërish koordinim, megjithëse është “në përputhje me kronologjinë e dokumentuar të fushatës”.
Katkus vëren se “rusët po eksportojnë mënyrën e tyre të të menduarit”, prandaj taktika të ngjashme shfaqen në vende të ndryshme, edhe pse ato “shpesh nuk rezultojnë efektive.”
Një nga këto taktika është paraqitja e zgjedhjeve si një përballje gjeopolitike, në vend që debati të përqendrohet te çështjet e jetës së përditshme dhe ekonomisë – një metodë që, sipas tij, fillimisht u përdor në politikën e brendshme ruse.
“Ata përpiqen të eksportojnë një botëkuptim bardh e zi,” thotë ai, duke shtuar se armiku nuk është domosdoshmërish Ukraina; ai mund të jetë edhe NATO-ja ose një shtet fqinj, shpesh duke përdorur formulime pothuajse identike.
Sipas Katkusit, taktika të tjera përfshijnë diskreditimin e të gjithë procesit zgjedhor dhe sulmet ndaj kandidatëve që mbajnë qëndrime kundër Rusisë.
Çfarë ndryshoi në Hungari?

Pas rikthimit në pushtet në vitin 2010, Viktor Orban deklaroi se Fidesz i kishte fituar zgjedhjet në internet dhe në Facebook. Megjithatë, që atëherë, partia ka filluar t’i përshkruajë rrjetet sociale si një terren të ri dhe armiqësor, ku dominojnë zërat e majtë dhe liberalë.
Një nga projektet më të mëdha të kampit pro-Fidesz në rrjetet sociale ishte Qendra “Megafon”, e krijuar në vitin 2020 në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2022. Ajo trajnonte krijues të përmbajtjes pro-qeveritare për prodhimin e videove të shkurtra dhe promovonte intensivisht materialet e tyre përmes reklamave të paguara. Deri në fund të vitit 2025, Megafon kishte shpenzuar më shumë se 2,7 miliardë forintë (rreth 7,5 milionë euro) vetëm për reklama në Facebook.
Megjithëse ndalimi i reklamave politike nga Meta dhe Google në vjeshtën e vitit 2025 e bëri më të vështirë mbushjen e rrjeteve sociale me propagandë, Fidesz dhe strukturat pranë saj nuk reshtën së provuari. Së fundmi, ish-qeveria krijoi grupin “Fight Club” (Harcosok Klubja), i përqendruar në fitimin e “betejave” online, si edhe “Rrethet Digjitale Qytetare” (Digitális Polgári Körök), me synimin për të ndërtuar komunitete mbështetëse.
“Mendoj se mund të thuhet pa hezitim se kjo ishte një dështim i madh,” thotë Kata Horvath nga Universiteti Eötvös Loránd.
Ajo shpjegon se rrjetet sociale kanë një natyrë të bazuar te pjesëmarrja spontane e përdoruesve dhe se idetë nuk mund të imponohen thjesht nga lart-poshtë.
Ndërkohë, platforma hungareze e verifikimit të fakteve Lakmusz dhe instituti Political Capital kanë dokumentuar vazhdimisht rrjete profilesh të rreme në Facebook dhe forma të tjera të manipulimit të koordinuar në rrjetet sociale nga Fidesz. Horvath thekson se, ndonëse këto rrjete investuan shumë përpjekje në këto metoda, ato nuk funksionuan mirë, pjesërisht “sepse nuk ishin autentike.”
Jo vetëm që këto fushata në rrjetet sociale dështuan, por dështoi edhe aparati më i gjerë propagandistik i Fidesz-it, i cili përdori ndaj Peter Magyar-it të njëjtat taktika diskredituese që kishte përdorur kundër kundërshtarëve të mëparshëm. Këtë herë, megjithatë, akuzat nuk bindën publikun, sepse, sipas Horvathit, Hungaria tashmë kishte një parti opozitare të besueshme dhe konkurruese.
Ajo shton se fushata e Fidesz-it kishte filluar të dukej e konsumuar, sidomos pasi imazhi i saj si një parti “pro-familjes” u godit rëndë nga skandali i pedofilisë. Sipas saj, ky skandal, i kombinuar me ngritjen politike të Peter Magyar, bëri që Fidesz të mos ishte më në gjendje t’i heshtte kritikët.
Edhe Bulcsu Hunyadi, drejtues i programeve në Political Capital, e lidh rënien e besimit publik me atë periudhë, por përmend edhe faktorë të tjerë.
“Situata ekonomike dhe përkeqësimi i shërbimeve publike gjithashtu e përgatitën terrenin. Shumë njerëz kishin krijuar përshtypjen se gjendja e tyre ekonomike dhe sociale, si edhe ajo e vendit në tërësi, po përkeqësohej,” thotë ai.
Hunyadi thekson se mbështetja popullore për Fidesz-in ishte ndërtuar mbi premtimin se, nëse qytetarët anashkalonin ideologjinë e partisë, masat e saj jodemokratike dhe korrupsionin, mund të përfitonin prej saj.
Edhe skandale të tjera dëmtuan besueshmërinë e Fidesz-it në fusha të rëndësishme. Ai përmend shqetësimet për ndikimin në shëndet dhe mjedis të fabrikës së baterive pranë qytetit Göd, mbështetjen e Viktor Orban për George Simion – kandidat i ekstremit të djathtë në Rumani, i njohur për provokimet ndaj hungarezëve etnikë – si dhe keqpërdorimin e fondeve të transferuara në fondacionet e Bankës Qendrore të Hungarisë.
Në përfundim, Hunyadi thotë se studimi i Repsense tregon se fushatat propagandistike dhe dezinformuese të Fidesz-it dështuan në këto zgjedhje për shkak të rënies së popullaritetit të partisë dhe shfaqjes së një kundërshtari që ofroi një vizion alternativ për vendin dhe që gjithnjë e më shumë po shihej si fitues i mundshëm.
“Nuk ishte kryesisht dështimi i dezinformimit ai që shkaktoi rënien e regjimit dhe dezinformimi nuk ishte as arsyeja e vetme pse ai funksionoi për 16 vjet,” tha Hunyadi për BIRN.
E qeshura është e rrezikshme
Pasi Fidesz-i dhe aleati i tij KDNP siguruan fitore të njëpasnjëshme zgjedhore me shumicë kushtetuese, dukej sikur askush nuk do të mund t’i largonte nga pushteti përmes votës. Megjithatë, me ngritjen e shpejtë të Peter Magyar, ky perceptim ndryshoi, duke shkaktuar atë që Bulcsu Hunyadi e quan një “zgjim shoqëror”. Hungarezët filluan të flisnin më shpesh për politikën dhe të merrnin pjesë më aktivisht në protesta.
Ky ndryshim i atmosferës u bë edhe më i dukshëm në fund të fushatës, kur disa zyrtarë dhe ish-zyrtarë shtetërorë, si edhe nëpunës publikë, dolën hapur duke denoncuar abuzimin me pushtetin nga qeveria dhe menaxhimin joefektiv të shërbimeve publike.
Sipas Repsense, festa kombëtare e 15 Marsit, me 19,728 postime në Facebook, gjeneroi më shumë debat publik sesa tri javët pararendëse të marra së bashku. Diskutimet përfshinin edhe përshkrime të mobilizimit “historik” të partisë Tisza për protestën e saj në Budapest.
“Që nga ky moment, diskursi publik filloi ta trajtonte fitoren e Tisza-s si një supozim të mundshëm pune,” thuhet në raport.
Sfida kryesore për Viktor Orban ishte se, në fund të fushatës, thotë Hunyadi, mesazhet e tij nuk ngjallnin më zemërim, por të qeshura.
Të bëheshe objekt talljeje ishte një kërcënim që ekipi i fushatës së Orbanit e mori seriozisht. Sipas raportimeve, në një grup të mbyllur, politikanët në pushtet u kërkuan anëtarëve të partisë të pëlqenin postimet e tyre publike për të zbutur “sulmet” e opozitës – një referencë ndaj numrit të madh të reagimeve me emoji që qeshnin në Facebook.
Në këtë platformë u krijuan gjithashtu një numër i madh faqesh dhe grupesh satirike që tallnin nismën e Fidesz-it për krijimin e Rretheve Digjitale Qytetare.
Mykolas Katkus nga Repsense thotë se, megjithëse demaskimi i dezinformimit funksionon në disa vende, si Moldavia, në rrjetet sociale ai mund t’i japë një teme “më shumë vëmendje”. Për këtë arsye, sipas tij, ndonjëherë tallja me propagandën mund të jetë më efektive sesa përgënjeshtrimi i saj.
Hunyadi thekson se hendeku midis realitetit paralel të krijuar nga propaganda qeveritare dhe përvojës së përditshme të qytetarëve hungarezë “u zgjerua ndjeshëm”.
Sipas narrativës së Fidesz-it, qytetarët duhej të kishin frikë nga fëmijët transgjinorë, emigrantët dhe lufta në Ukrainë, megjithëse të gjitha këto kishin ndikim të kufizuar dhe të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës së hungarezëve.
“Dezinformimi dhe propaganda funksionuan për shumë vite sepse, në shumicën e rasteve, nuk përbëheshin nga gënjeshtra të pastra; ato ishin narrativa shumë të njëanshme, të ndërtuara mbi disa fakte të shtrembëruara. Kur regjimi i Orbanit humbi mbështetjen shoqërore, njerëzit u bënë më kritikë ndaj këtyre mesazheve,” tha Hunyadi.
Ta luftosh zjarrin me zjarr
Ndërsa Fidesz i përdorte rrjetet sociale në atë që Kata Horvath e përshkruan si një mënyrë tipike të brezit “baby boomer”, vende si Gjermania dhe Portugalia kanë populistë të rinj, si Alternativa për Gjermaninë (AfD) dhe Chega, të cilët e kanë më të lehtë të mobilizojnë votuesit rreth çështjeve si çmimet e banesave apo emigrimi i të rinjve – diçka që Fidesz, pas 16 vitesh në pushtet, nuk arrinte ta bënte me të njëjtin sukses.
Megjithatë, kopjimi i makinerisë propagandistike të Viktor Orbanit nuk do të jetë i lehtë. Bulcsu Hunyadi, nga Political Capital, argumenton se funksionimi afatgjatë i saj ishte i mundur vetëm falë vetë sistemit të ngritur nga regjimi, përfshirë kapjen e institucioneve shtetërore dhe deformimin e mjedisit mediatik. Sipas tij, një autoritet mediatik i pavarur dhe një treg pluralist e konkurrues i mediave do ta ndëshkonin përhapjen e një dezinformimi të tillë.
Ai shton se financimi i këtij sistemi ishte gjithashtu “i bazuar në korrupsion”.
Një tregues domethënës është fakti se konglomerati i madh mediatik pro-Orban, Mediaëorks, nisi të zvogëlonte aktivitetin pothuajse menjëherë pas fitores zgjedhore të Peter Magyarit, i cili kishte bërë të qartë se qeveria e tij do të ndërpriste të gjitha reklamat shtetërore për këtë grup mediatik.
Edhe Megafon, rrjeti i influencuesve pro-Fidesz, i financuar më parë me shuma të konsiderueshme dhe që ka mohuar vazhdimisht se merr fonde publike, largoi stafin e mbetur dhe mbylli zyrat e tij në qershor.
“Mendoj se shoqërisë hungareze iu desh përvoja e një dekade e gjysmë nën regjimin e Orbanit për të arritur në këtë zgjidhje,” thotë Hunyadi.
Ndërsa Horvath nuk dëshiron që vende të tjera të duhet të kalojnë 16 vjet “orbanizëm” për të fituar të njëjtën ndërgjegjësim, ajo paralajmëron se mënyra se si konsumohen lajmet sot – përmes rrjeteve sociale, përmbajtjeve të krijuara me inteligjencë artificiale dhe ciklit të pandërprerë 24-orësh të lajmeve – nuk e ndihmon situatën.
Në vend që ta lexojmë një informacion, ta analizojmë dhe ta përpunojmë, ne po mbështetemi gjithnjë e më shumë te emocionet tona, thotë ajo.
“Aktualisht, rrjetet sociale, veçanërisht TikTok-u, janë jashtëzakonisht të njëanshme kundër rendit aktual,” thekson Mykolas Katkus.
“Narrativat e dezinformimit rus dominojnë përmbajtjen politike në TikTok në Gjermani dhe Hungari, dhe kemi parë modele të ngjashme edhe në Mbretërinë e Bashkuar.”
Si pasojë, narrativat që qarkullojnë më shpesh në TikTok ndryshojnë shpesh nga opinionet mesatare të publikut. Po ashtu, konsumimi i lajmeve përmes rrjeteve sociale në Gjermani lidhet me një prirje më të lartë për të votuar partitë populiste, si AfD-ja e ekstremit të djathtë në disa breza, apo Die Linke e së majtës radikale tek grupmoshat më të reja.
Katkus propozon “ta luftojmë zjarrin me zjarr”, duke argumentuar se politikanët demokratikë duhet t’u japin përparësi videove të shkurtra dhe të mos mbështeten vetëm te deklaratat për shtyp apo aktivitetet e kontrolluara të fushatës.
“Bëhuni si Peter Magyar. Ai u bë viral dhe ishte jashtëzakonisht i aftë në komunikimin e drejtpërdrejtë me qytetarët.”
Edhe Hunyadi thekson se fushata intensive e Magyar-it në terren kontribuoi ndjeshëm në rrëzimin e perceptimit se qeveria ishte e pamposhtshme.
Ai shton se parandalimi paraprak i dezinformimit (pre-bunking) dhe komunikimi proaktiv ishin gjithashtu shumë të rëndësishëm dhe, në përgjithësi, përbëjnë mjete efektive kundër dezinformimit dhe ndikimit rus.
Drejtori ekzekutiv i Repsense vlerëson hapat e fundit të Italisë për ta përfshirë manipulimin dhe ndërhyrjen e huaj në informacion në kuadrin e sigurisë kombëtare, duke bërë thirrje që edhe vende të tjera të miratojnë rregullime më inteligjente.
Ai thekson se, në vend që të ndalohen platforma, postime ose profile individuale, vëmendja duhet të përqendrohet te zbulimi i fushatave të koordinuara të manipulimit.
Horvath kërkon rregullim ligjor kundër propagandës armiqësore dhe përmbajtjeve politike të krijuara me inteligjencë artificiale.
Ajo thekson se edhe verifikimi i fakteve mund të institucionalizohet më mirë, duke përmendur Portugalinë, ku rubrikat televizive të verifikimit të fakteve janë të integruara ngushtë me mbulimin e debateve politike.
Sipas saj, kufizimet për shpenzimet e fushatave, mbyllja e boshllëqeve në Aktin Evropian për Lirinë e Medias dhe edukimi i qytetarëve mbi rëndësinë e pjesëmarrjes demokratike do të ndihmonin gjithashtu.
Megjithatë, propaganda nuk mund të zhduket plotësisht.
“Propagandën nuk mund ta mposhtësh,” thotë Horvath, duke shpjeguar se ajo mbështetet te urrejtja, frika dhe një “mënyrë fisnore e të menduarit”.
Ajo përfundon se, edhe pse propaganda duhet të luftohet me mendim kritik, ajo shfrytëzon instinkte që i kanë shoqëruar njerëzit që nga kohët më të lashta.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.