Qershorët që vijnë…
Erdhi Qershori i tretë me babanë në parajsë. Muaji i lidhur me fëmijërinë, fundin e vitit shkollor dhe fillimin e pushimeve verore te gjyshja në Vlorë ose te gjyshja tjetër në Rehovë, pranë detit apo liqenit me prindërit, i lojërave me qershitë në vesh si vathë, dhe leximet e librave për qejf, dhe pa menduar për detyra shkolle, është edhe muaji i peshës së zbrazëtisë.
Tre qershore qëkur njeriu me të cilin mund të bisedoja për gjithçka, bashkëbiseduesi im më i mirë, njeriu që të ndihmonte të kuptoja ngjarje, libra, njerëz dhe vetveten, frymon në një pjesë të vetes sime, ku gjej kujtime dhe boshllëk: pasditet kur babai na lexonte tregimet, përrallat, novelat apo esetë që sapo kishte shkruar dhe ne, tri vajzat, dhe mami, ishim lexueset e para të veprave të tij, këngët e preferuara Eja Eja Lule Bore dhe Perëndeshë e Bukurisë në festa e gëzime familjare, poezitë që recitonte përmendësh ishin pasione që nuk i humbi ndër vite. Deri në ditët e fundit recitonte vargjet që kishte dashur gjithë jetën “Si e dua Shqipërinë” apo vargjet e Fishtës dhe të Eposit të Kreshnikëve.
Zërin e tij e dëgjoj sapo nis të dëgjoj rreshtat e parë të tyre. Në momente bisede në Tiranë a Nju Jork ia beh humori i tij në biseda e takime për ardhjen në atdhe, “Në Shqipëri vij me qejf dhe iki me më shumë qejf”, apo “Unë kam qenë gjithë jetën amerikan dhe nuk e kam ditur.”
Në këto tre vite kam ardhur në Shqipëri më shpesh dhe kam qëndruar më gjatë se në çdo kohë tjetër që nga largimi im në vitet ’90. Në takimet me shoqërinë, në batutat dhe dollitë e tyre për babanë e zbehin mungesën në formën më të dashur. Babai frymon në librat dhe shkrimet e tij edhe tek miqtë e tij të dashur.
Nuk e kam trashëguar prej babait kënaqësinë e veçantë për ushqimin apo pijet e mira. Por kur vjen puna te bisedat e gjata mes miqsh dhe te dollitë e ngrohta, mund të them se i afrohem shumë. Po aq e fortë është tek unë edhe dashuria për udhëtimet nëpër Shqipëri. Kur përshkoj rrugët që ai ka dashur, kur ndalem në vendet që e kanë frymëzuar, kur takoj njerëz që e kanë njohur, më duket sikur vazhdojmë të udhëtojmë së bashku. Nuk jam babai im, por jam një pjesë e tij. Mbaj brenda vetes dashurinë për librin, për gjuhën, për njerëzit, për udhëtimet dhe për Shqipërinë. Ka raste kur mendoj se nuk e falënderova sa duhet për gjithçka që më dha, por jam e bindur se ai e dinte dhe e di sa shumë e duam dhe adhurojmë. Dashuria e tij nuk u largua, ajo u bë dritë që udhëton bashkë me mua çdo ditë dhe ndizet nga përmallimi në çdo qershor që vjen pas.





Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.