☀️
Tiranë 23°C · Kthjellët 17 June 2026
S&P 500 7,511 ▼0.57%
DOW 52,000 ▲0.64%
NASDAQ 26,376 ▼1.15%
NAFTA 74.71 ▼0.74%
ARI 4,348 ▼0.15%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1610 EUR/GBP 0.8647 EUR/CHF 0.9213 EUR/ALL 94.9443 EUR/MKD 61.6267 EUR/RSD 117.4375 EUR/TRY 53.7946 EUR/JPY 186.17 EUR/CAD 1.6245 EUR/USD 1.1610 EUR/GBP 0.8647 EUR/CHF 0.9213 EUR/ALL 94.9443 EUR/MKD 61.6267 EUR/RSD 117.4375 EUR/TRY 53.7946 EUR/JPY 186.17 EUR/CAD 1.6245
₿ CRYPTO
BTC $65,916 ▼ -0.32% ETH $1,797 ▲ +1.92% XRP $1.2209 ▼ -0.45% SOL $73.9000 ▲ +0.12%
S&P 500 7,511 ▼0.57 % DOW 52,000 ▲0.64 % NASDAQ 26,376 ▼1.15 % NAFTA 74.71 ▼0.74 % ARI 4,348 ▼0.15 % S&P 500 7,511 ▼0.57 % DOW 52,000 ▲0.64 % NASDAQ 26,376 ▼1.15 % NAFTA 74.71 ▼0.74 % ARI 4,348 ▼0.15 %
EUR/USD 1.1610 EUR/GBP 0.8647 EUR/CHF 0.9213 EUR/ALL 94.9443 EUR/MKD 61.6267 EUR/RSD 117.4375 EUR/TRY 53.7946 EUR/JPY 186.17 EUR/CAD 1.6245 EUR/USD 1.1610 EUR/GBP 0.8647 EUR/CHF 0.9213 EUR/ALL 94.9443 EUR/MKD 61.6267 EUR/RSD 117.4375 EUR/TRY 53.7946 EUR/JPY 186.17 EUR/CAD 1.6245
17 Jun 2026
Breaking
Opinion

Revolucioni i Flamingove është revolucioni i dinjitetit kombëtar

Revolucioni i Flamingove është revolucioni i dinjitetit kombëtar

Ka një moment në jetën e çdo kombi kur ai duhet të vendosë se çfarë historie do të tregojë për veten.

Për shumë vite, historia jonë ishte historia e mbijetesës. Më pas u bë historia e transformimit, të cilën edhe e besuam si historinë e suksesit. Dhe kohët e fundit, për fat të keq, ishte vec një histori mashtrimi.

Në vitet e fundit kam udhëtuar anë e kënd botës për arsye pune, deri në vendet më të largëta nga Ballkani. Kam folur në universitete, konferenca dhe forume ndërkombëtare nga India në Afrikë, nga Azia në Amerikë Latine.

Deri një dekadë më parë, më duhej t’u shpjegoja njerëzve ku ndodhej Shqipëria, se shumica nuk e dinin ku binte vendi prej të cilit vija. Diku përballë Italisë dhe në veri të Greqisë.  Jo shumë kohë më parë, ishim një vend që kërkonte të gjendej në hartë.

Pastaj, për një periudhë, mu duk sikur e gjetëm vendin tonë në imagjinatën e botës. Një kryeministër me atlete. Tre udhëheqës fetarë në një fotografi. Një vend i vogël që fliste për tolerancën fetare si një pasuri kombëtare, m’u në mes të Parisit.

Një fjalim në OKB që bëri xhiron e botës. Tek ai fjalim ra fjala në bisede të lirë me një nga profesorët e universitetit ku jepja mësim në Nju Delhi. Mbaj mend krenarinë time ato çaste. Po, profesor—pohova atë ditë —unë jam nga Shqipëria.

Ndjeva krenari. Jo vetëm si qytetare. Por edhe si pjesë e atij sistemi atëhere, sistemit tek i cli besova aq shumë sa pranova të kontribuoja në të. Mbase sepse atëhere mendoja olitika, në fund të fundit, nuk është gjë tjetër veçse akti i besimit se gjërat mund të bëhen më mirë.

Sot e kuptoj se ndonjëherë gabimi më i madh nuk është të mashtrosh. Është të besosh.

Dhe sa e çuditshme është të shohësh sesi një projekt që nisi me premtimin e shtetit modern përfundon duke prodhuar çdo ditë ngjarje që ngjajnë më shumë me episode kriminale në serialet e Netflix. Çdo njëra prej tyre…

Sot ne jemi një vend ku veprimet korruptive nuk janë më raste të shkëputra, shmangje të sistemit, por korrupsioni është vetë sistemi, vetë metoda e veprimit të qeverisjes.

Prandaj çdo skandal i ri, çdo hetim i ri nga SPAK nuk prodhon më tronditje, sepse na është është bërë pjesë e rutinës. (Madje edhe SPAK tani duket se është rehatuar me këtë normalitet dhe i merr hetimet ngadalë e pa urgjencë e vendosmëri.)

Me këtë qasje qeverisjeje, e keqja është shtrirë kudo në shoqëri. Makutëria është sheshit. Madje e keqja është arrogante, mbrohet duke i rënë gjoksit.

Ndoshta kjo është arsyeja pse ajo që po ndodh këto ditë më ka prekur kaq shumë. Sepse për herë të parë pas shumë kohësh, Shqipëria nuk po bëhet lajm për pushtetin. Nuk po bëhet lajm për një tjetër ministër të korruptuar, për një tjetër oligark të babazitur, apo për një tjetër grup kriminal.

Po bëhet lajm për qytetarët e vet, për intelektualët e vet, për brezin e ri më të bukur në botë.

Për flamingot.

Sa absurde tingëllon kjo po aq edhe kuptimplotë është njëkohësisht.

Në një vend ku njerëzit nuk protestojnë për bukën, për pagat, për energjinë, për politikën, papritur shfaqet një turmë që del për zogjtë.

Dhe i merr të gjithë ata që duhet të protestojnë për pensionet, për rrogat e mjera, për çmimet që kanë kapur qiellin. Për padrejtësinë e pronës që ka mbetur dyerve të gjykatave, për vjedhjen e ndihmave për bujqit, për rrugët milionëshë që bien sapo ndërtohen, për taksat e larta që po mbysin shtresën e mesme, për inspektorët tatimorë që dhunojnë sipërmarrësin, për hajdutërinë që e institucionalizojnë me karton idiotët funksionale të parlamentit . Për aq shumë…

Ne u ngritëm për një lagunë. Për një ekosistem. Për një bukuri që nuk na përket vetëm neve, por edhe atyre që do të vinë.

Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron rëndësia e asaj që po ndodh, pasi flamingot nuk janë çështja e vërtetë.

Flamingot janë simboli. Simboli i një shoqërie që prej kohësh ka duruar më shumë sesa duhej të duronte.

Simboli i një populli që ka parë korrupsionin të normalizohet, shtetin të degradojë, institucionet që janë bërë pronë private a tij që i drejton, ligjet të shkruhen me porosi nga oligarkët, meritokracinë që është zëvendësuar nga idiotizmi me selfie në Instagram dhe zgjedhjet që merren me muskuj dhe para.

Është njëkohësisht e çuditshme por edhe domethënëse që atë që nuk arritën ta bëjnë vjedhejt, padrejtësitë dhe arroganca e pushtetit, e bëri një çështje mjedisore.

Mbase sepse në momentin që një shoqëri pranon se gjithçka ka çmim, ajo ka humbur shumë më tepër sesa një lagunë. Ka humbur busullën morale.

Andaj Revolucioni i Flamingove nuk është një protestë për zogjtë. Është një protestë për dinjitetin qytetar. Për idenë se ky vend u përket ende qytetarëve të tij dhe jo vetëm atyre që e qeverisin sikur të jenë pronarë, që pasuritë e atdhetu i shfrytëzojnë apo i ndajnë mes tyre si plackë lufte.

Dhe, për herë të parë pas shumë kohësh, kur kolegët e mi nga e gjithë bota më shkruajnë për Shqipërinë, nuk po më pyesin për një skandal të ri. Nuk po më pyesin për një dosje të re.

Nuk po më pyesin për një tjetër histori korrupsioni, apo për një tjetër shaka banale të kryeministrit tim.

Po më shkruajnë për një popull që është ngritur në këmbë për të mbrojtur dinjitetin dhe të ardhmen e vet.

Dhe kjo është historia më e bukur që Shqipëria ka treguar për veten prej shumë kohësh.

 

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.