🌧️
Tiranë 12°C · Shi i lehtë 03 Nëntor 2026
S&P 500 7,541 ▼0.51%
DOW 51,984 ▲0.41%
NASDAQ 25,164 ▼1.07%
NAFTA 97.05 ▲0.61%
ARI 3,932 ▼0.94%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1195 EUR/GBP 0.8350 EUR/CHF 0.9176 EUR/ALL 91.0200 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5648 EUR/TRY 55.9660 EUR/JPY 176.79 EUR/CAD 1.5650 EUR/USD 1.1195 EUR/GBP 0.8350 EUR/CHF 0.9176 EUR/ALL 91.0200 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5648 EUR/TRY 55.9660 EUR/JPY 176.79 EUR/CAD 1.5650
₿ CRYPTO
BTC $76,776 ▼ -2.11% ETH $2,252 ▼ -1.86% XRP $1.2516 ▼ -0.18% SOL $91.9600 ▼ -3.23%
S&P 500 7,541 ▼0.51 % DOW 51,984 ▲0.41 % NASDAQ 25,164 ▼1.07 % NAFTA 97.05 ▲0.61 % ARI 3,932 ▼0.94 % S&P 500 7,541 ▼0.51 % DOW 51,984 ▲0.41 % NASDAQ 25,164 ▼1.07 % NAFTA 97.05 ▲0.61 % ARI 3,932 ▼0.94 %
EUR/USD 1.1195 EUR/GBP 0.8350 EUR/CHF 0.9176 EUR/ALL 91.0200 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5648 EUR/TRY 55.9660 EUR/JPY 176.79 EUR/CAD 1.5650 EUR/USD 1.1195 EUR/GBP 0.8350 EUR/CHF 0.9176 EUR/ALL 91.0200 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5648 EUR/TRY 55.9660 EUR/JPY 176.79 EUR/CAD 1.5650
03 Nën 2026
Breaking
Opinion

A ka të drejtë Elisa Spiropali me mocionin e saj?

A ka të drejtë Elisa Spiropali me mocionin e saj?

Ka dy mënyra për ta parë mocionin: ose si politikë ose si manovër pushteti.

Si manovër pushteti mocioni e vë Spiropalin në përplasje të drejtpërdrejtë me Ramën, sepse akuzat e mocionit nuk janë të zgjidhshme me termat e butë të ish-ministres, domethënë me dialog me shoqërinë.

Në mocion Spiropali flet për krizë pushteti, personalizim të pushtetit, klientelizëm, njësim të partisë dhe shtetit, etj, etj.

Nëse PS-ja i pranon këto akuza rrjedhoja logjike do të ishte mbajtja e përgjegjësisë dhe dorëheqja e Ramës, sepse nuk janë humbje rruge, por rrugë e keqe.

Nëse analiza e Spiropalit do t’i duket e ashpër një socialisti pro-Rama, ajo është gjithsesi larg të qenit agresive apo edhe realiste. Problemet e qeverisjes socialiste shkojnë shumë përtej konstatimeve të mocionit.

Kështu, nuk preket kapja e thellë e shtetit nga krimi i organizuar dhe oligarkët, ligjet me porosi, deformimi i zgjedhjeve, vjedhja masive e taksave tona, shitja dhe rrënimi i pasurive natyrore të vendit, vënia e ekonomisë shqiptare në funksion të pastrimit të parave të drogës dhe oligarkëve, etj, etj.

Si politikë mocioni ka gjithashtu problemin e lartpërmendur: paraqitjen sipërfaqësore të problemeve duke krijuar përshtypjen e një gabimi të paqëllimshëm apo neglizhence të qeverisjes dhe jo abuzimit total të saj me pushtetin.

Nuk mund të ndërtosh një politikë qeverisëse apo qoftë edhe një dokument të thjeshtë politikash nëse premisat e analizës i ke sipërfaqësore ose çorientuese.

Duke ia propozuar këtë mocion Partisë Socialiste, zonja Spiropali po jep mesazhin se problemet janë të korigjueshme përmes një dialogu dhe arsyetimi të zakonshëm.

Është si të propozosh që problemin e ujkut me qingjin ta zgjidhësh duke e ndërgjegjësuar ujkun për vlerat e të qenit vegjetarian.

Qeverisja socialiste nuk është e korigjueshme me dialog e as ndërgjegjësim.

Le të supozojmë për një çast se Rama vendos të ndryshojë kurs.

A mundet realisht qeveria socialiste të çlirohet nga marrëdhënia simbiotike që ka me krimin e organizuar i cili pret nga qeveria garantimin e pastrimit të të ardhurave kolosale nga trafiku i drogës?

A mundet Partia Socialiste të arrijë të njëjtin rezultat zgjedhor nëse nuk merr votat e blera ose trysnuara nga krimi?

A mundet Partia Socialiste të kontrollojë axhendën mediatike nëse prish marrëdhënien klienteliste me pronarët e mediave që jetojnë me tenderat dhe investimet strategjike të financuara nga xhepi ynë?

A mundet qeveria socialiste të financojë lobimin e saj ndërkombëtar dhe të sigurojë heshtje relative për problemet e saj pa paratë e oligarkëve?

Epo nëse Spiropali nuk i sheh këto probleme në thellësinë e tyre dramatike nuk mund të ofrojë as zgjidhje reale.

Kërkesa e mocionit për dialog me shoqërinë nuk ndryshon në thelb nga ajo që synon Rama: të flasë me protestuesit, të flasë me studentët, të flasë… thjesht të flasë…

E megjithatë mocioni i Spiropalit ka vlerë. Ai fermenton, qoftë edhe në këtë mënyrë modeste, pakënaqësinë në lindje brenda socialistëve dhe u tregon atyre se mund të flitet kundër kupolës.

Gjithashtu, mocioni, megjithëse në mënyrë sipërfaqësore, u dëshmon ndërkombëtarëve vështirësinë e pranimit të narrativës socialiste për qeverisjen.

Të njëjtën gjë bëri edhe Marjana Koçeku.

Ndoshta ndryshimi i Partisë Socialiste do të nisë në këtë mënyrë të kujdesshme.

Por ndryshimi real kërkon shumë më tepër se kaq.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.