☀️
Tiranë 33°C · Kthjellët 01 September 2026
S&P 500 7,632 ▼0.71%
DOW 52,859 ▼0.62%
NASDAQ 26,078 ▼1.11%
NAFTA 88.36 ▲3.03%
ARI 4,408 ▼1.65%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1609 EUR/GBP 0.8572 EUR/CHF 0.9388 EUR/ALL 92.3446 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3508 EUR/TRY 56.0738 EUR/JPY 185.50 EUR/CAD 1.6096 EUR/USD 1.1609 EUR/GBP 0.8572 EUR/CHF 0.9388 EUR/ALL 92.3446 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3508 EUR/TRY 56.0738 EUR/JPY 185.50 EUR/CAD 1.6096
₿ CRYPTO
BTC $78,052 ▲ +0.24% ETH $2,442 ▲ +0.01% XRP $1.3744 ▲ +0.86% SOL $101.9600 ▼ -0.44%
S&P 500 7,632 ▼0.71 % DOW 52,859 ▼0.62 % NASDAQ 26,078 ▼1.11 % NAFTA 88.36 ▲3.03 % ARI 4,408 ▼1.65 % S&P 500 7,632 ▼0.71 % DOW 52,859 ▼0.62 % NASDAQ 26,078 ▼1.11 % NAFTA 88.36 ▲3.03 % ARI 4,408 ▼1.65 %
EUR/USD 1.1609 EUR/GBP 0.8572 EUR/CHF 0.9388 EUR/ALL 92.3446 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3508 EUR/TRY 56.0738 EUR/JPY 185.50 EUR/CAD 1.6096 EUR/USD 1.1609 EUR/GBP 0.8572 EUR/CHF 0.9388 EUR/ALL 92.3446 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3508 EUR/TRY 56.0738 EUR/JPY 185.50 EUR/CAD 1.6096
01 Sep 2026
Breaking
Kosova

Bllokimi i fondeve dhe buxheteve: Kryetarët e komunave protestojnë ndaj Qeverisë së Kosovës

Kryetarët e komunave kanë protestuar në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke kërkuar nga Qeveria e Kosovës respektimin e kompetencave lokale, mbrojtjen e buxheteve komunale dhe kompensimin e obligimeve financiare që, sipas tyre, u janë bartur komunave nga niveli qendror.

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka paraqitur shtatë kërkesa, ndërsa përfaqësuesit e komunave kanë paralajmëruar se vazhdimi i kësaj qasjeje rrezikon funksionimin e tyre dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët.

Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar se kërkesat e komunave nuk janë partiake dhe as personale të kryetarëve, por, sipas tij, përfaqësojnë interesat e qytetarëve.

Ibrahimi ka thënë se komunat kërkojnë respektimin e të drejtave dhe kompetencave të tyre, të përcaktuara me Kushtetutë dhe legjislacionin në fuqi.

“Mesazhet që u dhanë nga ky shesh nuk janë partiake e as kërkesa personale të kryetarëve. Ato përfaqësojnë interesat e komunave dhe qytetarëve të tyre. Komunat nuk po kërkojnë privilegje, por po kërkojnë atë që u takon me Kushtetutë dhe legjislacionin në fuqi”, ka deklaruar Ibrahimi.

Ai ka thënë se AKK-ja nuk do të heshtë përballë asaj që e ka cilësuar si padrejtësi ndaj komunave.

“Përballë këtyre padrejtësive, AKK nuk ka heshtur dhe nuk do të heshtë. Ne përfaqësojmë komunat e Kosovës”, ka thënë Ibrahimi.

Shtatë kërkesat e komunave

Në protestë janë paraqitur shtatë kërkesa drejtuar Qeverisë së Kosovës.

Kërkesa e parë është kompensimi i obligimeve financiare që burojnë nga kontratat kolektive dhe që, sipas AKK-së, po u ngarkohen komunave përmes vendimeve gjyqësore dhe procedurave përmbarimore.

Kërkesa e dytë lidhet me kompensimin retroaktiv të përvojës së punës prej 0.5% për periudhën përkatëse nga viti 2023 deri në vitet 2024-2025. AKK-ja kërkon që kjo kosto të mbulohet nga buxheti qendror dhe jo nga buxhetet komunale.

Komunat kërkojnë gjithashtu rishikimin e kritereve të grantit specifik për arsim. Sipas AKK-së, mbi 3,100 mësimdhënës kanë mbetur pa financim, duke krijuar për komunat një barrë shtesë prej mbi 24 milionë eurosh vetëm gjatë këtij viti.

Ndër kërkesat e tjera është ndërprerja e centralizimit dhe e cenimit të kompetencave komunale, përfshirë çështjet që lidhen me pronën komunale, procedurat e rekrutimit dhe kompetenca të tjera vetanake të komunave.

AKK-ja ka kërkuar gjithashtu përgjegjësi institucionale për humbjen e mbështetjes financiare të Bashkimit Evropian dhe për zvogëlimin e mjeteve nga granti i performancës komunale.

Një tjetër kërkesë është kompensimi i dëmeve të shkaktuara nga vërshimet dhe fatkeqësitë e tjera natyrore që nga viti 2022, si dhe krijimi i grantit të katërt për investime kapitale, me kritere të qarta, ligjore dhe transparente.

Aliu: Mjetet e komunave janë mjete të qytetarëve

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu, ka akuzuar Qeverinë se ka përkeqësuar gjendjen financiare të komunave dhe se ndaj tyre ka pasur, sipas tij, “qasje selektive, jombështetëse e diskriminuese”.

Në protestë, Aliu ka përsëritur mesazhin se mjetet e komunave janë mjete të qytetarëve.

“Mos ua merrni komunave atë që u takon qytetarëve”, ka thënë Aliu.

Ai ka kërkuar që Qeveria të marrë përsipër pagesën e obligimeve që burojnë nga kontratat kolektive, si dhe koston e normës prej 0.5% për përvojën e punës të punëtorëve publikë.

“Kur dëmtohet buxheti, dëmtohen qytetarët. Kontratat kolektive janë negociuar në nivelin qendror pa pjesëmarrjen e komunave dhe faturat u janë bartur komunave. Nga viti 2022 deri më 2026, qindra miliona euro u janë marrë komunave”, ka deklaruar Aliu.

Sipas tij, këto mjete do të mund të përdoreshin për ndërtimin e shkollave, çerdheve, kanalizimeve dhe qendrave sportive, si dhe për mbështetjen e fermerëve, bujqve dhe familjeve në nevojë.

“Kompensoni komunat për mjetet e marra dhe merreni përsipër financimin e obligimeve që burojnë nga vendimet dhe marrëveshjet e nivelit qendror”, ka thënë ai.

Rama: Pasojat e bllokadave i bartin qytetarët

Në protestë ka marrë pjesë edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka kritikuar Qeverinë për, siç ka thënë, bllokimin e institucioneve lokale dhe të fondeve për komunat.

Rama ka deklaruar se pasojat e këtyre bllokadave po i bartin drejtpërdrejt qytetarët.

“Këto institucione janë marrë peng nga një qeverisje që i shfrytëzon këto institucione për t’i bllokuar qytetarët. Nuk i bllokon kryetarët, por qytetarët, vetëm pse nuk e kanë votuar dikë të LVV-së”, ka deklaruar Rama.

Ai e ka cilësuar këtë qasje si “tendencë diktatoriale” dhe “autokratike”, duke thënë se kryetarët janë bërë bashkë për të kërkuar të drejtat e komunave dhe qytetarëve.

“Të gjitha këto bllokada të fondeve e buxheteve që janë marrë prej komunave i dëmtojnë drejtpërdrejt qytetarët tanë. Tendencë puro autokratike, diktatoriale. Nuk do ta lejojmë këtë”, ka thënë Rama.

Sipas tij, bëhet fjalë për rreth 344 milionë euro fonde të bllokuara. Ai ka deklaruar gjithashtu se 18 komuna nuk kanë pasur buxhet të miratuar në vitin 2023.

Latifi: Mjetet publike u takojnë të gjithë qytetarëve

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka akuzuar pushtetin e Lëvizjes Vetëvendosje për diskriminim ndaj komunave që nuk udhëhiqen nga kjo parti.

Latifi ka thënë se mjetet publike u takojnë të gjithë qytetarëve dhe se ato nuk mund të trajtohen si mjete të një partie politike.

“Mjetet publike u takojnë të gjithë qytetarëve të Kosovës – ato nuk janë të një partie politike. Qytetari nuk duhet të dënohet për mënyrën se si ka votuar”, ka deklaruar Latifi.

Pas protestës ka reaguar edhe kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, i cili ka kundërshtuar, siç ka thënë, qasjen e Qeverisë ndaj pushtetit lokal dhe cenimin e kompetencave komunale.

Lushtaku ka deklaruar se Qeveria nuk mund t’ua marrë kompetencat komunave, t’ua lërë barrën financiare dhe më pas të kërkojë llogari për shërbimet ndaj qytetarëve.

Sipas tij, protesta e kryetarëve nuk ishte vetëm një kundërshtim institucional, por përbën atë që ai e ka cilësuar si përplasje mes demokracisë dhe autoritarizmit.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.