Bulevardi i flamingove dhe qeveria e empatisë
Konspekt nga fjala e kryeministrit

Kryeministri doli para grupit parlamentar me një video të prodhuar nga Kinostudio “Rilindja” dhe një dokument që iu shpërnda deputetëve dhe ministrave për lexim në kohën e pushimeve. Pas shfaqjes së filmit, që u ndoq me vëmendje të madhe nga të pranishmit, e mori fjalën kryeministri, i cili deklaroi që në fillim se vërtet në rrugët e Tiranës kishte protesta, por protestuesit nuk kishin dalë kundër qeverisë, edhe pse kërkonin largimin e saj.
Më pas, fjalimi vazhdoi duke sjellë si shembull një kryetar bashkie që kishte rregulluar një rrugë, por që banorët ishin zemëruar, sepse ata kërkonin edhe ujë, drita dhe kanalizime. Sipas këtij kryetari, qytetarët ishin mosmirënjohës. Kryeministri theksoi se qytetarët nuk ishin aspak mosmirënjohës, por ata kishin rritur kërkesat dhe pritshmëritë. Dikur qytetari gëzohej kur i shtrohej rruga. Sot kërkon edhe që rruga të mos çahet pas shiut të parë. Këtu qëndron, sipas kryeministrit, problemi i madh i Shqipërisë moderne: qytetari nuk kënaqet më aq lehtë.
Më parë populli priste me durim. Sot kërkon përgjigje. Më parë falënderonte për një shkollë. Sot pyet pse mungojnë mësuesit. Më parë shihte spitalin e ri në televizor. Sot shkon në poliklinikë dhe nuk gjen as mjek dhe as ilaçe. Këto nuk janë më halle. Janë pritshmëri evropiane.
Kryeministri pranoi se faktet e qeverisë nuk mjaftojnë më. Qeveria thotë se ekonomia rritet, ndërsa qytetari shikon çmimet. Qeveria thotë se shëndetësia është falas, ndërsa pacienti paguan nën dorë doktorin dhe blen ilaçet që nuk janë në spital. Qeveria thotë se administrata është digjitale, ndërsa fermeri pret tre vjet për një përgjigje me email. Midis dy alternativave, ndryshimit të realitetit dhe shpjegimit të këtij realiteti, që edhe qytetari ta shohë me sytë e qeverisë, sigurisht që alternativa e dytë është më e mira. Ndryshimi i realitetit do të kërkojë kohë, kurse ndryshimi i perceptimit mund të arrihet më lehtë.
Dhe pikërisht këtu lindi zgjidhja e re: empatia.
Mandati i katërt nuk do të premtojë vetëm rrugë, aeroporte, porte dhe kulla. Do të premtojë që, kur administrata të mos të japë përgjigje, të paktën të të kuptojë. Kur të refuzojë, të refuzojë me butësi. Kur të të lërë tre vjet në pritje, në fund të të telefonojë vetë kryeministri dhe të të shpjegojë pse askush tjetër nuk të kishte telefonuar.Kjo i ngarkonte detyre edhe Lepiresit te shpjegonte se administrata nuk i kishte zbatuar porosite e herepashershme te udheheqesit.
Pastaj erdhi klasifikimi i shpendëve.
Flamingot ishin protestuesit e mirë, ata që dolën në shesh, ngritën zërin dhe më pas u kthyen në shtëpi. Sorrat dhe korbat ishin ata që vazhduan të protestonin edhe pasi qeveria kishte vendosur se protesta kishte mbaruar.
Flamingoja kërkon llogari me qytetari. Korbi kërkon dorëheqje. Flamingoja është simbol i demokracisë. Sorra bëhet armike e turizmit. Kështu, me pak ornitologji politike, protesta u nda në shpendë të dobishëm dhe shpendë të rrezikshëm.
Nuk munguan as armiqtë e jashtëm. Kishte iranianë, rusë, serbë, grekë xhelozë për turizmin, profile të rreme, algoritme, lobistë dhe senatorë të largët. Mbeti vetëm të zbulohej nëse edhe flamingot kishin ardhur nga jashtë me financime të dyshimta.
Megjithatë, kryeministri u tregua i drejtë. Ai tha se protesta nuk ishte shpikur nga armiqtë. Armiqtë vetëm e kishin përdorur. Pra, qytetarët kishin dalë vetë, por më pas ishin futur pa e kuptuar në një operacion ndërkombëtar kundër turizmit, stabilitetit dhe rezervimeve të hoteleve.
Në fund u shpall edhe kthesa e madhe politike. Tre mandatet e para kishin ndryshuar Shqipërinë. Mandati i katërt do të ndryshonte mënyrën si qytetarët duhet ta përjetonin Shqipërinë.
Rilindja e parë ndërtoi faktet. Rilindja 2.0 do të ndërtojë ndjenjat.
Qeveria nuk premtoi se do të ndalonte projektet që kundërshtohen, se do të përgjigjej më shpejt, se do të dëgjonte përpara se të vendoste apo se do të jepte më shumë llogari. Premtoi se do t’i shpjegonte të gjitha me empati.
Mesazhi për protestuesit ishte i thjeshtë: “Ju kam dëgjuar. Nuk do të bëj asgjë nga ato që kërkoni, por ju kam dëgjuar.”
Në fund, flamingot duhet të kthehen në lagunë, qytetarët në shtëpi dhe deputetët te dokumenti “Besa”. Duhet t’u shpjegojmë me durim qytetarëve se përse kërkimi i votës së tyre në katër mandatet e para nuk mund të quhej sikur qeveria u kishte dhene besen , dhe pse tani vota që kërkohet do të kërkohet me besë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.