Çfarë nuk duhet të jetë Shqipëria e Re: jo një sistem që pasuron pakicën dhe varfëron shumicën

Nuk e di se çfarë do të jetë Shqipëria e Re që po kërkohet nga protestuesit e Revolucionit të Flamingove, por e di mirë se çfarë nuk duhet të jetë.
Historia na jep një katalog të tërë sistemesh që dështuan sepse u ndërtuan mbi privilegjin, rentën dhe përqendrimin abuziv të pushtetit.
Duke kuptuar si vepronin këto sisteme, mund të kuptojmë më mirë cilat gabime nuk duhet të përsërisim nëse duam të ndërtojmë një Shqipëri të Re.
Debati politik modern shpesh zhvillohet sikur problemi themelor i shoqërive është thjesht zgjedhja mes së majtës dhe së djathtës, ndërkohë që historia sugjeron se kjo ndarje është shpesh sipërfaqësore.
Zgjedhja më e rëndësishme është mes institucioneve që krijojnë mundësi për të gjithë dhe institucioneve që i shërbejnë vetëm një pakice.
Në fakt, dallimi më i rëndësishëm mes vetë shoqërive njerëzore, siç argumentojnë ekonomistët institucionalistë, është mes shoqërive me institucione gjithëpërfshirëse dhe atyre me institucione zhvatëse.
Të parat krijojnë mundësi, mbrojnë konkurrencën dhe kufizojnë privilegjin ndërsa të dytat janë ndërtuar për të transferuar pasuri, pushtet dhe privilegje nga shumica drejt një elite.
Në fakt, historia politike e njerëzimit mund të lexohet si historia e formave të ndryshme që kanë marrë institucionet zhvatëse.
Skllavopronaria ishte forma më e drejtpërdrejtë e zhvatjes.
Në qytetërimet e lashta greke dhe romake, si dhe në plantacionet e Amerikës deri në shekullin XIX, pasuria krijohej përmes punës së detyruar të njerëzve që nuk zotëronin as trupin e tyre.
Feudalizmi, që dominoi pjesën më të madhe të Evropës për afro një mijëvjeçar, ishte një formë disi më e rafinuar dhe më e qëndrueshme e zhvatjes institucionale.
Fshatarët prodhonin ushqimin, paguanin rentën, taksa dhe detyrime ndaj zotërinjve feudalë dhe klerikëve, por kishin shumë pak mundësi për të grumbulluar pasuri, për të ndryshuar statusin social apo për të ndikuar në vendimmarrje.
Feudalizmi ishte një rend ku pushteti ekonomik, politik dhe ushtarak ishte përqendruar në të njëjtat duar, duke krijuar një sistem ku privilegji trashëgohej, ndërsa varësia po ashtu.
Monarkitë absolute të shekujve XVI-XVIII e përqendruan privilegjin te mbreti, oborri i tij, aristokracia dhe kleri. Taksat paguheshin nga shumica, ndërsa përjashtimet, privilegjet dhe favoret shpërndaheshin për pakicën e sipërpërmendur.
Kolonializmi mandej ishte, në njëfarë mënyre, eksportimi global i institucioneve zhvatëse. Nga Amerika Latine në Afrikë dhe Azi, fuqitë koloniale krijuan sisteme që kishin si qëllim të vetëm transferimin e burimeve drejt metropoleve të tyre.
Fashizmi dhe nazizmi funksiononin përmes bashkëpunimit të elitave politike dhe ekonomike, ku biznesi lejohej të ekzistonte, por vetëm nëse i shërbente objektivave të regjimit.
Shteti garantonte privilegje, kontrata dhe mbrojtje për bizneset besnike, ndërsa këto të fundit mbështesnin projektet politike dhe ushtarake të pushtetit. Por ky bashkëpunim ndërtohej mbi përjashtimin sistematik të grupeve të tëra të popullsisë.
Në Amerikën Latine, Afrikë dhe Lindjen e Mesme, shumë regjime autoritare gjatë shekullit XX krijuan ekonomi ku pasuria dhe mundësitë shpërndaheshin sipas besnikërisë ndaj pushtetit dhe jo sipas meritës apo konkurrencës.
Kontratat publike, licencat, burimet natyrore dhe privilegjet ekonomike përqendroheshin në duart e një elite të lidhur me regjimin.
Por forma më e përhapur e institucioneve zhvatëse në botën moderne nuk është as komunizmi, as kolonializmi, as monarkia absolute, por ajo që njihet si kapitalizmi klientelist (crony capitalism), ku hyn edhe Shqipëria.
Kapitalizmi klientelist është ndoshta forma më e sofistikuar e institucioneve zhvatëse, sepse ruan pamjen e jashtme të tregut të lirë, ndërkohë që deformon mekanizmat e tij themelorë.
Në letër ekzistojnë kompani private, investitorë privatë dhe e drejta e pronës, por suksesi ekonomik nuk përcaktohet nga aftësia për të krijuar vlerë, për të inovuar apo për të fituar besimin e konsumatorëve, por varet gjithnjë e më shumë nga aksesi te pushteti politik dhe nga mundësia për të përfituar trajtim preferencial nga shteti.
Ndryshe nga një ekonomi konkurruese, ku fitimi është rezultat i produktivitetit, efikasitetit, inovacionit dhe riskmarrjes, në kapitalizmin klientelist pjesa kryesore e fitimeve buron nga privilegjet e krijuara politikisht.
Në vend që bizneset të konkurrojnë për konsumatorët, ato investojnë energji dhe burime për të siguruar favore, mbrojtje ose avantazhe nga shteti të cilat nuk i ofrohen të tjerëve në treg.
Në këtë mënyrë, burimi kryesor i suksesit ekonomik zhvendoset gradualisht nga tregu te pushteti politik.
Kjo logjikë manifestohet përmes koncesioneve të privilegjuara, partneriteteve publike-private të projektuara për një numër të kufizuar përfituesish, monopoleve të krijuara me ligj ose vendime qeverie, tenderave me konkurrencë të kufizuar, licencave ekskluzive, amnistive fiskale, imunitetit apo shpëtimit financiar bankar të kompanive të lidhura politikisht.
Në këto skema fitimet privatizohen, pra i merr të gjitha privati, ndërsa kostot dhe rreziqet shtetëzohen, pra i përballon të gjitha buxheti publik apo shteti.
Në kushte të tilla, shteti pushon së vepruari si arbitër i paanshëm që garanton rregulla të barabarta për të gjithë, por bëhet pjesëmarrës në lojë dhe fillon të shpërndajë drejtpërdrejt mundësi dhe favore ekonomike.
Pasoja e këtij modeli është një ekonomi ku konkurrenca dobësohet, hyrja e aktorëve të rinj në treg vështirësohet, inovacioni dekurajohet dhe pasuria përqendrohet tek ata që gëzojnë aksesin më të madh në vendimmarrjen politike.
Kjo është arsyeja pse shumë vende si Shqipëria përjetojnë atë që mund të quhet “rritje pa zhvillim e mirëqenie”.
Ka ndërtime, investime dhe qarkullim kapitali, por mungon produktiviteti, mungon inovacioni dhe mungon konkurrenca.
Pasuria përqendrohet te pak duar, ndërsa mundësitë për shumicën tkurren gjithnjë e më shumë dhe kjo shumicë sheh si rrugëdalje emigracionin.
Nëse ka një mësim që del nga historia është se emrat transformohen, flamujt rimodelohen dhe ideologjitë ndryshojnë, por logjika e privilegjit mbetet shpesh e njëjtë.
Historia është e mbushur me revolucione që rrëzuan elitat e vjetra vetëm për të krijuar elita të reja.
Prandaj sfida e Shqipërisë së Re nuk është të ndryshojë përfituesit e privilegjit, por të kufizojë vetë privilegjin.
Qëllimi nuk duhet të jetë që thjesht të zëvendësojë një qeveri, një parti apo një elitë me një tjetër, por të ndërtojë institucione që krijojnë mundësi për shumicën dhe jo privilegje për pakicën.
Në fund të fundit, pyetja vendimtare mbetet nëse rregullat e lojës janë të njëjta për të gjithë.
Sepse prosperiteti afatgjatë nuk ndërtohet mbi rentën, favorin dhe kapjen e shtetit, por mbi konkurrencën, meritën, sundimin e ligjit dhe mundësinë që çdo qytetar të ecë përpara falë punës dhe aftësive të veta dhe jo origjinës apo lidhjeve të tij.
Sepse zhvillimi i vërtetë nuk lind nga aftësia për të kapur shtetin, por nga aftësia për të kufizuar pushtetin, për të mbrojtur konkurrencën dhe për të garantuar që askush; qoftë mbret, parti, oligark apo kryeministër; të mos jetë mbi rregullat e lojës.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.