E (pa)ngrëna, e (pa)pira dhe e (pa)q** e revolucionarëve
Nga Ylli Manjani
Revolucionet zakonisht lindin nga idetë e mëdha. Nga liria. Nga drejtësia. Nga barazia. Nga ndonjë manifest filozofik që të lë pa gjumë.
Ky i yni, mesa duket, lindi nga… mungesa e seksit.
Në fund të fundit, ndoshta ky ishte momenti më i sinqertë i gjithë revolucionit. Mes britmave, fishkëllimave dhe fjalimeve për shpëtimin e kombit, një djalë i ri e tha troç në mikrofon atë që të tjerët vetëm e rrotullonin me metafora: njeriu do të hajë, do të pijë dhe të bëjë seks. Kaq. Filozofia e jetës u përmblodh në një fjali. Aristoteli do ta kishte zili këtë thjeshtësi.
Se fundja, për çfarë robtohet robi?!
Për të ngrënë. Për të pirë. Për të dashuruar. Ose, në rastin e revolucionarëve tanë, për të bërë revolucion derisa t’i vijë radha edhe pjesës së tretë.
Zaten gjithë ai lum sharjesh që kanë lëshuar gjitjë këto ditë, tregon diskomfort seksual që u vjen nga e paq*ra.
Tani, mendoj se qeverisë i është krijuar një mundësi e artë për ta çarmatosur këtë revolucion seksual. Jo me polici. Jo me gaz lotsjellës. Jo me propagandë.
Po me një paketë sociale.
Një VKM, për shembull: “Për uljen e agresivitetit të revolucionarëve përmes rehabilitimit emocional.”
Masa e parë: të ndërmjetësohen njohje mes vetë revolucionarëve. Në vend që të zihen në kuvendet e tyre, le të merren vesh ndryshe. Ndoshta kështu ulet tensioni dhe rritet mirëkuptimi.
Se më erdhi ndër mend ajo barcaleta e vjetër.
Dy vëllezër vranë ujkun që po u bënte kërdinë në tufën e deleve.
– Pse e vratë? – i pyetën. – Duhej ta linit, se po të gjente shoqe do t’i binte agresiviteti.
Dhe ata u përgjigjën fare qetë:
– E vramë se na i hante delet, jo se na i ngacmonte.
Ja pra. Ka agresivitet që vjen nga uria dhe ka agresivitet që vjen nga frustrimi. Revolucionarët tanë duket se na zbuluan publikisht kategorinë e dytë.
Prandaj qeveria duhet ta marrë seriozisht këtë sinjal. Të mos merret më me analizat politike, me sondazhet apo me debatet televizive. Problemi, mesa duket, nuk qenka ideologjik. Është biologjik.
Nëse duhet, le të krijohet edhe një “Program Kombëtar për Çtensionimin e Revolucionit”. Se sevap do të ishte. Më lirë se kaq nuk është zgjidhur ndonjëherë një krizë politike.
Mund të nxiten edhe programe të natyrës autodidakte me logo “Bëje mirë, bëje vetë”.
Në fund të fundit, revolucioni na dha edhe programin e tij ekonomik:
Të hanë. Të pinë. Dhe të mos kenë arsye të jenë kaq të zemëruar, dmth të q*në.
Sepse, siç u pa këto ditë, djersa nuk u pikonte nga mundi i revolucionit.
U kishte dalë në sqetullat e flamingove.
Vapë e madhe…



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.