FOKUS – Përvojat stresuese të fëmijërisë lënë pasoja për të ardhmen
UASHINGTON, 16 gusht /ATSH-ANSA/ – Përvojat stresuese të përjetuara gjatë fëmijërisë mund të lënë ”shenja” në tru, të cilat mund të ndikojnë në mënyrën se si organizmi reagon ndaj stresit edhe shumë vite më vonë.
Studiuesit kanë zbuluar se qelizat në disa zona të trurit mund të ruajnë një lloj ”kujtesë molekulare” të traumave, përmes ndryshimeve që ndodhin në ADN.
Këto ndryshime mund ta bëjnë një person më të cenueshëm ndaj ankthit, depresionit dhe çrregullimeve të tjera të humorit në moshë të rritur.
Mekanizmi është vërejtur te minjtë, në një studim të udhëhequr nga Universiteti i Princetonit dhe të publikuar në revistën shkencore “Neuron”.
Studiuesit thonë se zbulimi është i rëndësishëm sepse identifikon një mekanizëm molekular konkret që mund të ndihmojë në shpjegimin e pasojave afatgjata të stresit të hershëm dhe, në të ardhmen, mund të shërbejë si objektiv për zhvillimin e trajtimeve të reja.
“Aktualisht nuk ekzistojnë trajtime për efektet e stresit të hershëm në tru”, tha Catherine Jensen Pena, e cila drejtoi studimin.
Sipas saj, një nga arsyet është se shkencëtarët nuk kanë pasur deri tani një pamje të qartë të mekanizmave molekularë mbi të cilët mund të ndërhyhet.
Studimi i ri, sipas saj, zbulon një mekanizëm të saktë dhe ndihmon të kuptohet pse ndikimi i stresit mund të jetë njëkohësisht i gjerë dhe të shfaqet shumë kohë pas përvojës fillestare.
Studime të mëparshme kishin treguar se stresi i përjetuar gjatë fëmijërisë mund të ndryshojë aktivitetin e gjeneve në qelizat e trurit, por nuk ishte e qartë se cili mekanizëm qëndronte pas këtyre ndryshimeve.
Për këtë arsye, studiuesit u përqendruan në një zonë të veçantë të trurit, të quajtur zona tegmentale ventrale, e cila përmban qeliza nervore që prodhojnë dopaminë dhe luajnë rol në mënyrën se si truri përpunon stresin dhe përvojat emocionale.
Te minjtë e rinj që ishin ekspozuar ndaj situatave stresuese, studiuesit vunë re se këto qeliza nervore kishin pësuar një ndryshim molekular në ADN.
Një “etiketë” molekulare vendosej në një pjesë të ADN-së dhe bënte që ajo zonë të qëndronte më e hapur.
Për pasojë, gjenet e pranishme aty mund të aktivizoheshin më lehtë kur kafsha përballej përsëri me situata stresuese.
Kjo mund të shpjegojë pjesërisht pse një përvojë e vështirë në moshë të hershme mund të ndikojë në reagimin ndaj stresit edhe më vonë.
Në një farë mënyre, sistemi nervor mund të bëhet më i ndjeshëm ndaj përvojave të ardhshme stresuese.
Kjo nuk do të thotë se trauma e fëmijërisë përcakton domosdoshmërisht të ardhmen e një personi, por tregon se përvojat e hershme mund të ndikojnë në mënyrën se si funksionojnë disa mekanizma biologjikë.
Studiuesit kryen edhe një eksperiment tjetër veçanërisht interesant: ata penguan vendosjen e kësaj etikete molekulare në ADN.
Si rezultat, minjtë që kishin qenë të ekspozuar ndaj një mjedisi stresues nuk shfaqën të njëjtën prirje për sjellje të lidhura me ankthin.
Megjithatë, shkencëtarët theksojnë se rezultatet janë marrë te minjtë dhe jo te njerëzit, ndaj nevojiten studime të tjera për të kuptuar nëse i njëjti mekanizëm funksionon edhe në trurin e njeriut.
Zbulimi është gjithsesi premtues, sepse mund të hapë rrugën për kërkime të reja mbi mënyrën se si trauma dhe stresi i hershëm ndikojnë në shëndetin mendor dhe, në të ardhmen, për zhvillimin e trajtimeve që mund të synojnë këto ndryshime molekulare./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.