KOMENT – Kthesë historike në BE: Nga bllokadat politike në valën e re të zgjerimit evropian
– Katër vende që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian kanë bërë hapa të rëndësishëm përpara në procesin e tyre të integrimit, në një nga lëvizjet më të mëdha të zgjerimit të BE-së, në më shumë se 20 vjet, raportoi AP.
Në Bruksel u zhvilluan konferenca ndërqeveritare për hapjen ose mbylljen zyrtare të disa kapitujve të negociatave, për katër kandidatët kryesorë për t’u bashkuar me BE-në prej 27 vendesh: Shqipërinë, Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën.
Megjithatë, mund të kalojnë ende disa vite, përpara se ndonjë nga këto vende të bëhet anëtare e plotë.
“Një gjë të tillë nuk e kemi parë prej më shumë se dy dekadash. Herën e fundit ishte në vitin 2002. Kjo është një ‘Super e martë’ për zgjerimin e BE-së dhe Ukraina është pjesë e saj”, tha komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos.
Mbajtja e katër takimeve të tilla, brenda një dite, është një ngjarje e rrallë. Në vitin 2004, dhjetë vende, kryesisht nga Evropa Qendrore, u bashkuan me BE-në.
Kroacia, vendi i fundit që iu bashkua bllokut më të madh tregtar në botë, u bë anëtare në vitin 2013.
Ndryshimet në Evropë sollën ndryshim të politikës
Hapat e e ndërmarra sot, tregojnë ndryshimet e mëdha politike dhe gjeostrategjike që po ndodhin në Evropë.
Në vitin 2019, presidenti francez Emmanuel Macron këmbëngulte se do të bllokonte çdo zgjerim të BE-së, derisa vetë unioni të kryente reforma të thella.
Por lufta më e madhe tokësore në Evropë, gjatë dekadave të fundit dhe pasojat e saj, kanë ndryshuar qasjen e BE-së.
Unioni po përpiqet të nxisë reformat në vendet kandidate, duke u shqetësuar për rritjen e ndikimit të Rusisë dhe Kinës.
Përparimi i Ukrainës ka qenë veçanërisht i shpejtë. Ajo aplikoi për anëtarësim në vitin 2022, vetëm katër ditë pas nisjes së pushtimit të plotë rus. Edhe Moldavia është përballur me presion të madh nga Moska.
Ukraina e sheh anëtarësimin në BE si një nga “garancitë e sigurisë”, për një të ardhme të qëndrueshme pas përfundimit të luftës.
Garancia më e fortë do të ishte anëtarësimi në NATO, por administrata e presidentit amerikan, Donald Trump këmbëngul se kjo nuk mund të ndodhë, ndërsa disa vende të NATO-s, janë kundër anëtarësimit të Ukrainës, për sa kohë që lufta vazhdon.
Vendet evropiane e konsiderojnë luftën një kërcënim ekzistencial dhe kanë frikë se presidenti rus, Vladimir Putin, mund t’i drejtohet vendeve të tjera në vitet e ardhshme, veçanërisht nëse Rusia fiton në Ukrainë.
“Argumentet në favor të anëtarësimit të Ukrainës në BE janë shumë të forta”, tha Marta Kos.
“Arkitektura e ardhshme e sigurisë së kontinentit tonë, është e paimagjinueshme pa Ukrainën”, shtoi ajo, duke theksuar se ukrainasit e kanë shndërruar vendin e tyre, në një fuqi ushtarake, me aftësi që pak vende të tjera mund t’i krahasojnë, veçanërisht në zhvillimin e teknologjive të dronëve.
Përfitimet e anëtarësimit në BE
Perspektiva e anëtarësimit në BE është një shtysë e fortë për reformat demokratike.
Anëtarësimi ka ndihmuar në rritjen e tregtisë dhe krijimin e vendeve të punës, veçanërisht në rajonin e Ballkanit Perëndimor, i cili u godit nga një seri luftërash në vitet ’90 që shpërbënë ish-Jugosllavinë.
Shumica e vendeve kandidate për anëtarësim në BE janë shtete të Ballkanit.
Vendet që duan të bëhen pjesë e BE-së, duhet të përfundojnë negociatat në 35 fusha politike, të njohura si kapituj, që përfshijnë nga bujqësia, taksat dhe energjia, deri te tregtia. Ky proces mund të zgjasë disa vite.
Muajin e kaluar, Ukraina dhe Moldavia hapën negociatat për një grup prej pesë kapitujsh, që lidhen me vlerat dhe parimet themelore të BE-së, si shteti i së drejtës, respektimi i të drejtave themelore dhe funksionimi i institucioneve demokratike.
Sot, ato hapën një grup të dytë kapitujsh që lidhen me politikën e jashtme, sigurinë dhe mbrojtjen, si dhe tregtinë, bashkëpunimin për zhvillim dhe ndihmën humanitare.
Për Shqipërinë, takimi shërbeu për mbylljen paraprake të kapitujve për shkencën dhe kërkimin, arsimin dhe kulturën, si dhe marrëdhëniet me jashtë.
Mali i Zi, i cili shpreson të anëtarësohet në vitin 2028, bëri të njëjtin hap për kapitujt, që lidhen me politikën e konkurrencës dhe rregullat doganore.
Largimi i Orban hapi rrugën
Një faktor i rëndësishëm që ka sjellë ritmin e ri të zgjerimit të BE-së, është ndryshimi politik në Hungari.
Procesi i anëtarësimit të Ukrainës, ishte penguar për një kohë të gjatë nga ish-kryeministri hungarez Viktor Orbán, i cili shihej si aleati më i afërt i Rusisë në Evropë dhe si një pengesë për projektin evropian.
Kandidaturat e Ukrainës dhe Moldavisë ishin të lidhura me njëra-tjetrën dhe asnjëra nuk mund të përparonte.
Por, aleati i presidentit amerikan Donald Trump u rrëzua nga votuesit në prill, pas 16 vitesh në pushtet.
Orbán përdorte shpesh rregullat e votimit të BE-së, që kërkojnë dakordësinë e të gjitha 27 vendeve anëtare për vendime të caktuara, përfshirë sanksionet dhe deklaratat politike.
Për çdo kapitull negociatash kërkohet unanimiteti si për hapjen, ashtu edhe për mbylljen e tij.
Aktualisht, nëntë vende janë zyrtarisht kandidate për anëtarësim në BE: Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Gjeorgjia, Moldavia, Ukraina dhe Turqia.
Negociatat e Gjeorgjisë dhe Turqisë janë pezulluar, për shkak të shqetësimeve mbi standardet demokratike.
Edhe Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE, por ende nuk ka marrë statusin e vendit kandidat. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.