🌤️
Tiranë 28°C · Kryesisht kthjellët 08 August 2026
S&P 500 7,758 ▲0.62%
DOW 54,037 ▲0.28%
NASDAQ 26,691 ▲1.3%
NAFTA 78.18 ▲1.15%
ARI 4,400 ▲2.33%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1552 EUR/GBP 0.8569 EUR/CHF 0.9342 EUR/ALL 93.2153 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3365 EUR/TRY 55.1300 EUR/JPY 182.37 EUR/CAD 1.6123 EUR/USD 1.1552 EUR/GBP 0.8569 EUR/CHF 0.9342 EUR/ALL 93.2153 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3365 EUR/TRY 55.1300 EUR/JPY 182.37 EUR/CAD 1.6123
₿ CRYPTO
BTC $65,021 ▲ +0.27% ETH $1,921 ▲ +0.38% XRP $1.0416 ▲ +1.92% SOL $76.0400 ▲ +3.22%
S&P 500 7,758 ▲0.62 % DOW 54,037 ▲0.28 % NASDAQ 26,691 ▲1.3 % NAFTA 78.18 ▲1.15 % ARI 4,400 ▲2.33 % S&P 500 7,758 ▲0.62 % DOW 54,037 ▲0.28 % NASDAQ 26,691 ▲1.3 % NAFTA 78.18 ▲1.15 % ARI 4,400 ▲2.33 %
EUR/USD 1.1552 EUR/GBP 0.8569 EUR/CHF 0.9342 EUR/ALL 93.2153 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3365 EUR/TRY 55.1300 EUR/JPY 182.37 EUR/CAD 1.6123 EUR/USD 1.1552 EUR/GBP 0.8569 EUR/CHF 0.9342 EUR/ALL 93.2153 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3365 EUR/TRY 55.1300 EUR/JPY 182.37 EUR/CAD 1.6123
08 Aug 2026
Breaking
Opinion

Ndarja territoriale dhe marrëzitë e debatit mbi të në këtë verë të nxehtë

Nga LUAN RAMA

Kemi krijuar një praktikë shqiptare për të bërë reforma: fillojmë me përgjigjen dhe pastaj parashtrojmë pyetjen.

Kështu nisi dhe po vazhdon edhe debati mbi ndarjen territoriale në këtë verë të nxehtë.

Dikush ka gjetur numrin ideal të bashkive. Dikush ka zbuluar hartën perfekte. Dikush tjetër propozon që Shqipëria të ndahet sipas maleve, fushave dhe brigjeve.

Të gjithë duket sikur e kanë gjetur zgjidhjen.

Por askush nuk ka prekur ende çështjen themelore:

Cilin problem po përpiqemi të zgjidhim?

Sepse një reformë territoriale nuk fillon me kufijtë.

Fillon me funksionet.

Nuk fillon me pyetjen sa bashki duhet të ketë Shqipëria.

Fillon me pyetjen se çfarë duhet të bëjë një bashki, çfarë kompetencash duhet të ketë, me çfarë burimesh duhet t’i ushtrojë ato dhe ndaj kujt duhet të mbajë përgjegjësi.

Vetëm pasi t’u jemi përgjigjur këtyre pyetjeve mund të dimë nëse ndarja territoriale që është ende në fuqi është apo jo pengesë për qeverisjen.

Përndryshe, bëjmë gabimin e zakonshëm: ndryshojmë strukturën duke shpresuar se ajo do të ndryshojë vetë funksionin.

Reforma e vitit 2015 ishte një ndërhyrje e rëndësishme në organizimin e pushtetit vendor. Nga një numër shumë i madh njësish të vogla kaluam në 61 bashki.

Ideja ishte e kuptueshme: bashki më të mëdha, kapacitete më të mëdha administrative, ekonomi shkalle — pra një bashki më e madhe mund të kryejë disa shërbime me kosto më të ulët për banor, sepse kostot fikse shpërndahen mbi një numër më të madh përdoruesish — financa më të qëndrueshme dhe shërbime më të mira.

Nuk ka asgjë të gabuar në këtë mënyrë konceptimi dhe vlerësimi.

Por dhjetë vjet më pas duhet të bëjmë një bilanc, duhet të bëjmë një analizë.

Duhet të pyesim nëse bashkitë janë sot më autonome, më efikase dhe më të afta për të administruar dhe zhvilluar territoret e tyre.

Duhet të pyesim nëse qytetari është më afër pushtetit apo më larg tij.

Duhet të pyesim nëse kompetencat që iu transferuan pushtetit vendor u shoqëruan me burimet dhe autoritetin e nevojshëm për t’i ushtruar.

Duhet të pyesim nëse politikat e zhvillimit janë bërë më të mundshme apo nëse bashkitë vazhdojnë të presin nga qendra edhe për atë që teorikisht është përgjegjësi e tyre.

Dhe mbi të gjitha duhet të pyesim:

A e kemi decentralizuar realisht pushtetin apo kemi decentralizuar vetëm përgjegjësitë?

Sepse problemi nuk është vetëm madhësia e bashkisë.

Një bashki e madhe nuk është domosdoshmërisht një bashki e fortë.

Një bashki e vogël nuk është domosdoshmërisht një bashki e dobët.

Një bashki e madhe mund të ketë më shumë specialistë dhe më shumë burime, por mund të ketë njëkohësisht një administratë që e ka më të vështirë të njohë dhe t’i përgjigjet nevojave të territorit në skajet më të largëta.

Një bashki e vogël mund të ketë kapacitete të kufizuara, por një marrëdhënie shumë më të drejtpërdrejtë me komunitetin.

Prandaj çështja nuk është:
Sa e madhe duhet të jetë bashkia, por, sa kapacitet duhet të ketë një bashki për të ushtruar kompetencat që i janë dhënë dhe sa afër qytetarit duhet të jetë për të përmbushur përgjegjësitë?

Kjo është çështje qeverisjeje.

Nuk është çështje harte apo topografie.

Komuna u zhduk. Po çfarë fitoi qytetari?

Në vend të saj u sajua, si një gjetje idiote të paktën në kuptimin semantik, “njësia administrative”.

Por “njësi administrative” nuk është një emër tjetër për komunën.
Është një koncept tjetër.

Njësi administrative nuk është vetëm ajo që më parë quhej komunë. Njësi admimistrative është edhe bashkia, njësi administrative është edhe qarku.

Administratori i njësisë administrative nuk zgjidhet nga banorët. Ai emërohet dhe shkarkohet nga kryetari i bashkisë.

Kjo do të thotë se reforma nuk ndryshoi vetëm hartën. Ndryshoi edhe arkitekturën e përfaqësimit vendor.

Mund të argumentohet se kjo ishte e nevojshme për të konsoliduar administrimin.

Mbase.

Por nëse e shtrojmë problemin se çfarë fituam në eficiencë dhe çfarë humbëm në përfaqësim, cila është përgjigjja që marrim?

Sepse problemi ka të bëjë me demokracinë lokale.

Decentralizimi nuk është vetëm transferimi i një funksioni nga një organ i zgjedhur tek një autoritet i emëruar. Është edhe aftësia e qytetarit për të ndikuar mbi vendimin që merret për të.

Këtu gjendet një nga paradokset më të mëdha të sistemit tonë.

Bashkia është gjithnjë e më shumë përgjegjëse për territorin, por territori nuk është gjithnjë në duart e saj.

Ose le të marrim si shembull ujin e pijshëm.

Pushteti vendor ka një rol të rëndësishëm në administrimin e këtij shërbimi. Por qytetari që hap rubinetin dhe nuk ka ujë nuk pyet për arkitekturën institucionale të shtetit.

Ai pyet:

Kush është përgjegjës?

Nëse përgjegjësia është e bashkisë, atëherë bashkia duhet të ketë edhe autoritetin, burimet dhe instrumentet për të garantuar shërbimin.

Nëse nuk i ka, kemi krijuar një kontradiktë institucionale: i kemi dhënë dikujt përgjegjësinë pa i dhënë të gjithë fuqinë për ta përmbushur.

E njëjta gjë shfaqet në administrimin e bregdetit.

Bashkitë kanë territorin, kanë qytetarët, kanë turizmin, kanë një pjesë të rëndësishme të përgjegjësive të administrimit lokal.

Por lejet, madje edhe përcaktimi se sa çadra mund të vendosen nëpër plazhet e “privatizuara”, që shpesh nuk marrin parasysh sa duhet qytetarin, i jep ministria.

Nëse një bashki nuk mund të kontrollojë as përdorimin e hapësirës publike në territorin e saj, nuk kemi një problem me madhësinë e bashkisë.

Kemi një problem me ndarjen e pushtetit.

Çdo verë Shqipëria digjet.

Dhe sa herë që një zjarr zbret nga mali drejt fshatit, kuptojmë se kufijtë administrativë nuk e ndalin flakën.

Por kuptojmë edhe diçka tjetër.

Një bashki mund të jetë përgjegjëse për mbrojtjen e komunitetit të saj, por, ndërkohë që nuk ka mjetet, nuk ka pajisjet më të domosdoshme, nuk ka personelin e duhur, të trajnuar dhe të mirëpaguar apo kapacitetin operacional për të ndërhyrë në shkallën që kërkon një emergjencë, çfarë përgjegjësish i kemi dhënë?

Atëherë çfarë kuptimi ka të diskutojmë nëse bashkia duhet të ketë 500 apo 1 000 kilometra katrorë?

Problemi është tjetërkund.

Përgjegjësia pa kapacitet është një formë administrative e pafuqisë.

Dhe kjo nuk zgjidhet duke prishur një hartë për ta zëvendësuar atë me një hartë tjetër.

As duke e analizuar problemin vetëm përmes gjeografisë.

Gjeografia ka rëndësi.

Por ajo duhet të ndikojë mbi mënyrën se si financohen shërbimet, si planifikohet infrastruktura, si kompensohen kostot e territoreve të vështira dhe si ndërtohen politikat e zhvillimit.

Nuk është e nevojshme që një territor malor të ketë një model tjetër qeverisjeje vetëm sepse është malor.

Është e nevojshme që një territor malor të ketë politikën e duhur për kushtet e tij.

Ky është një ndryshim thelbësor.

Reforma duhet të shpjegojë çfarë ndryshon në mënyrën e qeverisjes.

Çfarë kompetence ndryshon?

Çfarë burimi ndryshon?

Çfarë përgjegjësie ndryshon?

Çfarë rezultati pritet?

Klasifikimi gjeografik nuk është teori e decentralizimit.

Reforma duhet të fillojë nga performanca.

Sot kemi dhjetë vjet përvojë.

Kjo do të thotë se nuk kemi më nevojë të debatojmë vetëm me intuitë.

Duhet të krahasojmë bashkitë.

Të shohim të ardhurat e tyre.
Shpenzimet.
Investimet.
Shërbimet.
Kapacitetet administrative.
Aftësinë për të mbledhur të ardhura.
Varësinë nga transfertat.
Cilësinë e menaxhimit.
Transparencën.
Pjesëmarrjen qytetare.
Aftësinë për të hartuar dhe zbatuar politika zhvillimore.

Dhe pastaj të shkojmë te pyetja më e rëndësishme:

Cilat prej këtyre problemeve shkaktohen nga madhësia ose kufiri territorial dhe cilat shkaktohen nga mënyra se si është ndërtuar sistemi i qeverisjes?

Kjo është analiza që mungon në pjesën më të madhe të debatit.

Sepse nëse një bashki dështon për shkak të mungesës së parave, nuk e shpëton ndryshimi i kufirit.

Nëse dështon për shkak të mungesës së kompetencave, nuk e shpëton bashkimi me një bashki tjetër.

Nëse dështon për shkak të administratës së dobët, nuk e shpëton një hartë më e madhe.

Nëse qytetari nuk merr pjesë në vendimmarrje, nuk e zgjidh këtë një kufi i ri territorial.

Dhe nëse bashkia nuk ka kontroll mbi një pjesë të rëndësishme të territorit të saj, problemi nuk është territori.

Problemi është pushteti.

Mund të na duhet një reformë shumë e thellë pa na u dashur një hartë e re.

Mund të na duhet të rishikojmë kompetencat.

Mund të na duhet të forcojmë autonominë fiskale.

Mund të na duhet një sistem më i drejtë i barazimit financiar midis bashkive.

Mund të na duhet të qartësojmë përgjegjësitë midis qeverisë qendrore dhe asaj vendore.

Mund të na duhet të rikthehemi te komuna si njësia bazë e qeverisjes vendore.

Por mbi të gjitha do të na duhet më shumë transparencë dhe llogaridhënie.

Ashtu sikundër do të na duhet një sistem i ri për politikat zhvillimore të territoreve të varfra dhe të zbrazura.

Dhe, pasi të bëjmë të gjitha këto, mund të rezultojë se disa bashki duhet të bashkohen dhe disa të tjera të ndahen.

Atëherë ndryshimi i territorit do të ishte pasojë e analizës.

Nuk është problemi nëse Shqipëria duhet të ketë 40, 50, 61 apo 80 bashki.

Nuk është çështje se kujt bashkie duhet t’i jepet kjo krahinë dhe kujt tjetra.

Nuk është çështje nëse kufiri duhet të jetë veri-jug apo lindje-perëndim.

Të gjitha këto mund të jenë përfundime.

Por asnjëra nuk është pikënisje.

Pikënisja është:

Çfarë duhet të bëjë pushteti vendor?

Pastaj:

Çfarë autoriteti duhet të ketë për ta bërë?

Pastaj:

Me çfarë parash dhe me çfarë kapaciteti?

Pastaj:

Kush e kontrollon dhe kush mban përgjegjësi?

Dhe vetëm në fund:

Sa territor i duhet për t’i bërë të gjitha këto sa më mirë dhe në shërbim të qytetarëve?

Ky është rendi logjik i një reforme.

Sepse një bashki nuk ekziston për të pasur një territor më të madh apo më të vogël, më malor apo më fushor.

Ekziston për të qeverisur mirë.

Dhe para se të ndajmë përsëri Shqipërinë, do të ishte mirë të kuptojmë pse ajo që ndamë në vitin 2015 nuk funksionon aq mirë sa duhet.

Kjo është pyetja që duhej të bënim në vitin 2015.

Kjo është pyetja që duhet të bëjmë edhe sot.

Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron marrëzia e debatit të kësaj vere të nxehtë:

po kërkojmë përgjigjen në hartë, ndërkohë që pyetja ndodhet te pushteti.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.