Nëse protesta nuk flet vetë, do të flasin të tjerët për të
Prej një jave tashmë (sot bëhen plot shtatë ditë), Shqipëria po dëshmon një moment të rrallë të çlirimit të politikës nga forcat e zakonshme që e kanë kontrolluar atë prej tri dekadash. Kjo falë valës së protestave në mbrojtje të ‘Zvërnecit,’ që duket se kanë thyer mpirjen e një pjese të konsiderueshme të shoqërisë dhe që nisën simbolikisht kundër një gardhi telash me gjemba që rrethonte zonën ku flitet se do të ndërtohet një resort luksi, pas të cilit bien në sy për nga pesha publike si investitorë, Jared Kushner dhe Ivanka Trump.
Gardhi fillestar u hoq, por problemi nuk ishte kurrë vetëm shfaqja e beftë e tij në atë zonë. Përkundrazi, Zvërneci vetëm sa e bëri më të dukshme morinë e gardheve që ndajnë shoqërinë në ata të cilët e përjetojnë shtetin si pengesë, për të cilën duhet të gjejnë vazhdimisht mënyra për ta kapërcyer, dhe ata për të cilët bëhet “gjalpë” në rrugën drejt përmbushjes së synimeve. Gardhe që ndajnë ata të cilët gjobiten sepse tentojnë të rregullojnë çatinë e shtëpisë dhe ata të cilët përfitojnë lehtësi ligjore për të transformuar sipërfaqe masive bregdetare.
‘Zvërneci’ vetëm sa na i shfaqi këto gardhe në formën e tyre të dukshme fizike për pak çaste. Ndaj edhe protestat kanë qenë deri tani kaq të fuqishme, pasi kanë bërë bashkë njerëz që jo domosdoshmërisht bashkëndajnë të njëjtat bindje politike, madje edhe njerëz që nuk janë interesuar kurrë për politikë. Kjo përzierje kaq e kritikuar është ajo çka e ka mbrojtur protestën nga privatizimi i saj prej njërës apo tjetrës parti politike.
Por kjo gjithëpërfshirje përbën gjithashtu edhe kërcënim për të. Baza e gjerë e pjesëmarrësve, ndonëse frymëzuese, nuk garanton dot që protesta nuk do të zhvishet politikisht. Ajo mund të mbledhë dhjetëra e ndoshta qindra mijëra njerëz në të ardhmen dhe prapëseprapë të mos arrijë të emërtojë kauzën për të cilën është duke luftuar. Sloganet patriotike, që kanë qenë të shumta këto ditë të para, kanë vendin e tyre në nxitjen e njerëzve për të dalë nga shtëpia apo për t’u “çuar nga kafja”, i tregojnë gjithashtu qeverisë se njerëzit vazhdojnë ta duan tokën nën këmbët e tyre, por patriotizmi është gjithashtu gjëja më e lehtë për t’u zhveshur nga domethënia. Ai mund të përdoret nga kushdo, që nga tifozët në stadium kur luan kombëtarja e deri tek politikanët që votojnë ligje që privatizojnë bregdetin, pa e patur asnjëri seriozisht.
Ndaj protesta tani përballet me një pikëpyetje serioze, nëse mund ta gjejë zërin e saj politik para se të tjerë njerëz të nisin të flasin në emër të saj? Përgjatë kësaj jave kemi parë forcën, energjinë e saj dhe aftësinë mbresëlënëse për të mbledhur bashkë njerëz që i bezdis edhe ideja se thithin të njëjtin ajër. Kjo tregon për një fuqi reale, por vetëm pjesëmarrja nuk garanton se ajo nuk do të zhvishet politikisht. Nga ana tjetër, pretendimi se protesta nuk duhet të jetë politike është një nga ato paradokset e shqiptarëve të tranzicionit që fjala “politikë” i tremb ndonjëherë edhe më shumë se fjala “kancer” sepse e shohin politikën vetëm tek partitë dhe jo te idetë. Por çdo çështje që protesta ka ngritur këto ditë është ndërkaq politike. Nga dhuna e forcave privatë të sigurisë, te trajtimi i pasurisë publike si material investimi, janë të gjitha politike. Madje, edhe këmbëngulja për ta mbajtur protestën jopolitike, me dëshirën për të mos e bërë pis atë, është në vetvete politike dhe shumë herë më e rrezikshme sepse duke dashur t’i largohet politikës, do të humbasë edhe kuptimin e saj.
Për këtë arsye shqetësimi kryesor duhet të jetë nëse protesta do arrijë ose jo ta gjejë zërin e saj politik. Ky zë nuk është kërcënim për të. Përkundrazi, pa të, ajo rrezikon të kapet nga politika e vjetër. Partitë dhe figurat që prej tri dekadash e kanë bjerrur jetën publike në vend, mund të shfaqen sërish si pronarët legjitimë të zemërimit publik. Madje, përpjekjet kanë nisur, veçnaërisht nga PD e Berishës që pasi e sulmoi protestën, duket sikur po ndërron kurs gradualisht. Nëse protesta nuk e emërton qartësisht kauzën e saj, të tjerë njerëz do ta bëjnë në vend të saj.
Por, ka një rrezik edhe më të madh, që protesta të bëhet qesharake para se të bëhet politikisht efikase. Përpjekjet për këtë kanë nisur edhe më herët dhe janë intensive dhe nuk është se protestuesit ia kanë bërë më të vështirë këtë makinerisë së pushtetit, veçanërisht kur sheh të rrëmbejnë mikrofonin konspiracionistë dhe figura me të cilat populli tallet, por teatraliteti i të cilëve ngjit në media.
Ka gjithashtu një ndjesi kompleksimi, që rrezikon ta bëjë protestën të duket e influencuar nga qeveria dhe kjo lidhet me përpjekjen e grupeve brenda saj për t’u shfajësuar pas çdo etikete që kryeministri hedh ndaj tyre. Kur ai i quan protestuesit të manipuluar nga Greqia dhe ata shfaqen të nesërmen me parulla kundër Fredi Belerit, mund të duket si vetëmbrojtje, por në fakt s’po bëjnë tjetër veçse hyjnë brenda kornizës së vendosur prej tij. E njëjta gjë kur i etiketon si marksistë dhe 24 orë më pas, ata brohorasin “poshtë komunizmi.”
Një protestë serioze nuk mund të lejojë t’ia shkruajë sloganet, qoftë edhe indirekt, njeriu kundër të cilit po protestojnë. Ajo duhet të këmbëngulë në atë çfarë është dhe jo të provojë çdo ditë se çfarë nuk është. Dhe ajo është në thelb një protestë kundër kapjes së pasurisë publike nga interesat private.
Ajo e ka trazuar ndërkaq fabulën e bukur të qeverisë, duke e bërë projektin të kushtueshëm politikisht. Tani duhet të ruajë vetën që të mos kthehet thjesht në zhurmë të bukur.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.