🌤️
Tiranë 29°C · Kryesisht kthjellët 15 August 2026
S&P 500 7,786 ▼0.17%
DOW 53,732 ▼0.2%
NASDAQ 26,729 ▼0.28%
NAFTA 82.40 ▲1.42%
ARI 4,437 ▲0.38%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1566 EUR/GBP 0.8547 EUR/CHF 0.9405 EUR/ALL 92.9042 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3307 EUR/TRY 55.4165 EUR/JPY 184.18 EUR/CAD 1.6057 EUR/USD 1.1566 EUR/GBP 0.8547 EUR/CHF 0.9405 EUR/ALL 92.9042 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3307 EUR/TRY 55.4165 EUR/JPY 184.18 EUR/CAD 1.6057
₿ CRYPTO
BTC $63,097 ▼ -0.07% ETH $1,885 ▲ +0.04% XRP $1.0031 ▲ +0.11% SOL $75.5700 ▲ +0.16%
S&P 500 7,786 ▼0.17 % DOW 53,732 ▼0.2 % NASDAQ 26,729 ▼0.28 % NAFTA 82.40 ▲1.42 % ARI 4,437 ▲0.38 % S&P 500 7,786 ▼0.17 % DOW 53,732 ▼0.2 % NASDAQ 26,729 ▼0.28 % NAFTA 82.40 ▲1.42 % ARI 4,437 ▲0.38 %
EUR/USD 1.1566 EUR/GBP 0.8547 EUR/CHF 0.9405 EUR/ALL 92.9042 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3307 EUR/TRY 55.4165 EUR/JPY 184.18 EUR/CAD 1.6057 EUR/USD 1.1566 EUR/GBP 0.8547 EUR/CHF 0.9405 EUR/ALL 92.9042 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3307 EUR/TRY 55.4165 EUR/JPY 184.18 EUR/CAD 1.6057
15 Aug 2026
Breaking
Opinion

Miti i diasporës së ndriçuar politikisht

Nga Bjorn Runa

Sa herë që Shqipëria përballet me kriza apo ngërçe politike në dukje të pazgjidhshme, ka një fantazi romantike se si të dilet prej tyre dhe që lidhet gjithmonë me idenë se herët ose vonë, diaspora do të vijë për të na shpëtuar.

Është një lloj bindjeje se shqiptarët që jetojnë jashtë janë më të lirë sepse nuk varen nga një punë në shtet dhe më të ditur sepse e kanë parë si funksionon Europa dhe bota. I ngjan pak a shumë mentalitetit të babait të pagdhendur por të urtë në filmat Anagnostit, i cili e këshillon gjithmonë të birin se xhaxhai a një fqinj i ardhur nga jashtë, duhet dëgjuar sepse “ka parë botë me sy” dhe “di ç’është Amerika,” sikur qytetaria të jetë diçka që mund të përftohet përmes një osmoze politike.

Arsyet pse një ide e tillë dominon kaq fort janë natyrisht historike. Shumica e lëvizjeve tona kombëtare janë zhvilluar nga shkrimtarë dhe intelektualë që kanë jetuar e punuar jashtë vendit. Por problemi qëndron se përgjatë viteve, kemi marrë cilësitë e disa njerëzve jo të zakonshëm për t’ia atribuuar një kategorie të tërë shoqërore, siç është diaspora. Harrojmë se rilindasit të cilët i kujtojmë sot, ishin të rëndësishëm pikërisht sepse nuk ishin njerëz të thjeshtë.

E premtja na e kujtoi këtë. Ashtu sikurse qe njoftuar, diaspora iu bashkua protestës së 76-të në Tiranë. Shifrat ishin disi më modeste krahasuar me ato të 20 qershorit, por nuk është kjo ajo që e bën interesante përfshirjen e diasporës në jetën politike dhe shoqërore të vendit. Ajo çfarë qe në fakt interesante, ishte se sa shpejt u zhbë miti i emigrantit të përndritur, për të na dhuruar protestuesin tipik shqiptar. Kjo natyrisht nuk e bën protestën e tyre jolegjitime, por e zhvesh atë nga ekzotizmi me të cilin shpesh e veshim diasporën në përfytyrimin tonë.

Në fakt, largësia e bën ndonjëherë politikën e vendit tënd më sentimentale seç duhet sepse, nëse dikujt në Shqipëri i duhet ta përjetojë vendin në formën e vet materiale më të mërzitshme (nga rroga tek spitalet dhe tortura që është marrëdhënia me adminsitratën), parë nga mijëra kilometra larg, të gjitha këto zhduken dhe Shqipëria kthehet në një kompozim flamujsh e mitesh kombëtare rreth nacionalizmit, nderit dhe tradhtisë. Por, emigricaioni është vetëm ndryshim adrese dhe nuk përkthehet automatikisht në edukim qytetar. Kjo e fundit në fakt, është marrë bashkë me arsimin fillor para se diaspora të bëhej diasporë dhe zor se ndryshon në moshë të rritur.

Mbi të gjitha, ajo çfarë duket se harrojmë është se diaspora përbëhet nga shqiptarë, njerëz që ashtu si ne, kanë interesa, paragjykime dhe nivele informacioni të ndryshme nga njëri tjetri. Disa janë vërtet të mirëarsimaur dhe të pavarur, ndërsa të tjerë janë shndërruar ndoshta në edhe më tribalë se ç’kanë qenë para se të emigronin. Disa janë më liberalë se të afërmit e tyre në Shqipëri, të tjerë shumë herë më konservatorë. Pra me pak fjalë, janë një komunitet krejt normal dhe jo një ushtri rezervë njerëzish të ndriçuar politikisht, siç na ndodh shpesh t’i përfytyrojmë.

Nuk ka asnjë Shqipëri të iluminuar që pret jashtë kufijve. Janë të gjithë shqiptarë si ne, por me adresa dhe kode postare europiane.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.