Oda Ekonomike Amerikane: Institucionet e reja të Kosovës të kenë prioritet gazin amerikan
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë u ka bërë thirrje institucioneve të reja që qasjen e Kosovës në infrastrukturën rajonale të gazit të lëngshëm natyror amerikan, ta trajtojnë si prioritet në kuadër të politikave të ardhshme energjetike të vendit.
Oda Amerikane e Kosovës ka bërë thirrje që institucionet e reja ta kanë prioritet qasjen në infrastrukturën e gazit amerikan.
Oda ka bërë thirrje që me konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e institucioneve të reja, bartësit e mandatit të ri institucional që përfshirjen e Kosovës në infrastrukturën rajonale të gazit të lëngshëm natyror amerikan (LNG) ta trajtojnë me prioritet dhe ta shqyrtojnë seriozisht si pjesë të politikës së ardhshme energjetike të vendit.
“Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë beson se institucionet e reja kanë mundësinë të ndërtojnë një politikë energjetike të bazuar në analiza profesionale dhe interesin afatgjatë të vendit. Për këtë arsye, Oda Amerikane u bën thirrje atyre që qasjen në infrastrukturën rajonale të LNG-së amerikane ta trajtojnë me prioritet dhe ta vlerësojnë këtë mundësi si një investim strategjik në sigurinë energjetike, konkurrueshmërinë ekonomike dhe të ardhmen e Kosovës”, thuhet në thirrjen e Odës.
Sipas Odës Amerikane Kosova gjendet në një moment vendimtar për të ardhmen e sektorit të saj energjetik.
Tutje thuhet se vendimet që do të merren gjatë muajve dhe viteve në vijim do të përcaktojnë jo vetëm mënyrën e prodhimit të energjisë elektrike, por edhe nivelin e sigurisë energjetike, konkurrueshmërinë e ekonomisë dhe aftësinë e vendit për të përmbushur nevojat e një ekonomie në zhvillim.
“Për këtë arsye, diskutimi mbi orientimin e politikave energjetike nuk duhet të kufizohet në krahasimin e kostove fillestare të investimeve apo në opsionet e prezantuara deri më tani. Politikat moderne energjetike kërkojnë një vlerësim gjithëpërfshirës që merr në konsideratë shpejtësinë e realizimit të projekteve, sigurinë e furnizimit, mundësinë e sigurimit të financimit, ndikimin në konkurrueshmërinë e ekonomisë, fleksibilitetin e sistemit elektroenergjetik dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të investimeve”.
Tutje thuhet se për Kosovën, e cila vazhdon të mbështetet në kapacitete të vjetruara gjeneruese dhe në importe të konsiderueshme të energjisë elektrike, koha e nevojshme për ndërtimin dhe vënien në funksion të kapaciteteve të reja prodhuese është një faktor me rëndësi strategjike.
“Çdo vit vonesë në krijimin e kapaciteteve të reja vendore nënkupton ekspozim të vazhdueshëm ndaj paqëndrueshmërisë së tregjeve rajonale, kostove të larta të importit dhe pasigurisë së furnizimit”, thuhet në thirrjen e Odës.
Sipas Odës Amerikane përfshirja e Kosovës në infrastrukturën rajonale të LNG-së amerikane meriton një vlerësim të veçantë.
“Përveç se krijon mundësinë për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese brenda një afati relativisht të shkurtër, ajo ofron një bazë të qëndrueshme për diversifikimin e burimeve të energjisë, rritjen e fleksibilitetit të sistemit elektroenergjetik dhe integrimin më efikas të burimeve të ripërtëritshme të energjisë. Po aq e rëndësishme është edhe mundësia për sigurimin e financimit, duke pasur parasysh orientimin e institucioneve financiare ndërkombëtare drejt projekteve që janë të realizueshme, të financueshme dhe të zbatueshme brenda një afati të arsyeshëm”
Zhvillimi i kapaciteteve të reja vendore huhet se nuk është vetëm çështje e prodhimit të energjisë elektrike.
“Ai lidhet drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare, stabilitetin ekonomik, konkurrueshmërinë e sektorit privat dhe aftësinë e Kosovës për të ofruar një mjedis tërheqës për investime. Njëkohësisht, avancimi i kësaj agjende do të ishte në përputhje me orientimin strategjik të partnerit më të rëndësishëm të Kosovës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe me zhvillimet që po ndodhin në nivel rajonal dhe evropian për forcimin e sigurisë energjetike”.
E ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Anu Prattipati, ka përsëritur dy herë radhazi kërkesën që Kosova ta pranojë gazin amerikan, teksa theksoi se kjo do t’i siguronte investime amerikane në të ardhmen.
Teksa mori pjesë në ndarjen e çmimeve të partneritetit SHBA – Kosovë në ceremoninë e organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë Prattipati e përshëndeti vendimin që Kosova i ka larguar tarifat doganore për mallrat amerikane.
Sipas njoftimit të ambasadës, ajo vuri në pah që Kosova duhet ta diversifikojë furnizimin me energji me gaz natyror të lëngshëm amerikan (LNG), që sipas saj, do t’i siguronte investime amerikane në të ardhmen.
Prattipati edhe në fillim të qershorit përmes një opinioni i pati bërë thirrje Kosovës të hyjë në partneritet afatgjatë energjetik me Shtetet e Bashkuara përmes projektit për gazin e lëngshëm natyror, duke thënë se kjo do t’i ndihmonte ta sigurojë të ardhmen e vet energjetike.
Sa i përket vendeve të rajonit, Shqipëria ka firmosur projektin në prill. Ndërkohë këtë e ka bërë edhe Bosnjë-Hercegovina dhe Kroacia.
Por Qeveria në detyrë ka këmbëngulur në gazifikimin e thëngjillit.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka reaguar ndaj debatit për gazin e lëngëzuar amerikan (LNG), duke mohuar pretendimet se Qeveria e Kosovës ka refuzuar këtë projekt.
Ajo ka theksuar se Kosova nuk është kundër LNG-së amerikane, por se zgjidhja më e favorshme për vendin është importi përmes terminalit të Vlorës në Shqipëri, në vend të ndërtimit të një gazsjellësi të ri.
Në një video, Rizvanolli tha se është e pasaktë të thuhet se institucionet e Kosovës refuzojnë gazin e lëngëzuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në vitin 2021, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga LVV-ja, refuzoi një projekt të mbështetur nga SHBA-ja, përmes Korporatës të Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), për t’u lidhur me rrjetin rajonal të gazit natyror, përmes Maqedonisë së Veriut.
Asokohe, autoritetet qeveritare arsyetuan se “Kosovës i duhen më shumë informata për të qenë e sigurt se ndërtimi i infrastrukturës së gazit është opsioni më i mirë” për tranzicionin energjetik të vendit.
Në periudhën e viteve 2018-2019, Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Ramush Haradinaj, nxiti projektin e ndërtimit të një gazsjellësi Shkup–Prishtinë, që do ta lidhte Kosovën me rrjetin rajonal të gazit. Megjithatë, ai nuk u realizua.
Në shkurt të 2026-tës, në Samitin Trans-Atlantik për Sigurinë e Gazit, ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, tani në detyrë, kishte shprehur gatishmërinë e vendit për t’u furnizuar me gaz të lëngshëm natyror nga SHBA-ja. Kryeministri në detyrë, njëherësh udhëheqës i LVV-së, Albin Kurti, tha në një intervistë televizive se Qeveria është e “interesuar për gazifikimin e qymyrit tonë që është në sipërfaqe”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.