Protesta është më e madhe se numrat në shesh – është në qindra mijëra zemra

Në Shqipëri këto ditë po zhvillohen shumë debate dhe ngrihen shumë pyetje për protestën: çfarë po ndodh? Po fiton? Po shpërbëhet? Është pushtuar apo është çliruar? Sa ishin dje në shesh? Po sot? Po nesër sa do të jenë? Ikën flamingot dhe mbetën sorrat?
Gjithçka diskutohet në mënyrë abstrakte rreth një aksioni real për më shumë se 50 ditë. Për entuziazmin e rinisë, masivitetin, braktisjen, njerëzit me mend e ata pa busull mendore, ky aksion është kthyer në temë diskutimi të përditshëm në media, në politikë dhe në shoqëri.
Ky diskutim kudo e analizon protestën si dukuri në vetvete.
Protesta në shesh ndoshta e ka humbur entuziazmin dhe masivitetin e fillimit të saj, ndoshta vërtet është tkurrur e vërtet është përçarë – edhe pse nuk ka qenë asnjëherë homogjene, sepse nuk ka qenë asnjëherë e organizuar.
Protesta e parë me syze të kuqe apo të kaltra, me sy nga larg, nga anash, nga e majta e nga e djathta, nuk ngjan me ditët e para të saj.
Ndoshta sot janë më pak njerëz në protestë, por nuk janë zvogëluar arsyet që i nxorën njerëzit në protestë.
Numrat mund të bien, por numri i arsyeve nuk ka gjasa të ulet.
E kundërta duket e vërtetë – çdo ditë del një arsye më shumë për të protestuar.
Arsyet për të cilat protestohet kanë qenë aty edhe më parë – korrupsioni, arroganca, përjashtimi i qytetarëve nga qeverisja e vendit, mungesa e transparencës, personifikimi i pushtetit te një njeri apo një grup individësh, shkatërrimi i natyrës dhe shpërdorimi i burimeve natyrore të Shqipërisë, dhënia e çdo trualli dhe peizazhi natyror për një grup të kufizuar biznesesh pranë qeverisë, rritja e kostos së jetesës, varfëria etj.
Ajo që ka ndryshuar është se shoqëria e ka kaluar pikën e vlimit dhe pakënaqësia, që deri dje ishte e heshtur, tani është kthyer në zemërim dhe kundërshtim publik.
Ky kundërshtim nuk matet me numrat në shesh.
Sepse sot nuk protestohet vetëm përpara Kryeministrisë. Sot protestohet kudo: protestohet në rrugë, protestohet në rrjetet sociale, protestohet në diasporë, protestohet në tryeza miqsh, protestohet edhe në plazh.
Pakënaqësia dhe kundërshtimi ndihen kudo në publik, edhe kur ajo nuk shpërfaqet patjetër në rrugë, për t’u kthyer në debat numrash me foto të orës 19:00 apo video marshimesh të orës 21:00.
Shoqëria shqiptare duket se e ka arritur ndërgjegjësimin që gjërat nuk po shkojnë mirë dhe vendi ka humbur drejtimin.
Tashmë është arritur ajo masë kritike që i bën proceset të pakthyeshme.
Masa kritike në një shoqëri – një koncept i huazuar nga fizika dhe përshtatur nga sociologjia – është pragu minimal i njerëzve apo ideve të nevojshme për të nisur një ndryshim shoqëror të qëndrueshëm dhe të pakthyeshëm.
Mjafton një minimum prej 10 përqindësh që një popull të përqafojë me bindje një ide të re, ku mendimi i shumicës përmbyset me shpejtësi.
E sikurse koncepti i masës kritike që vjen nga ligjet e fizikës, është edhe rregulli i 3,5 përqindëshit, që njihet në teorinë politike në sajë të një studimi voluminoz të një pedagogeje të shkencave politike në Universitetin e Harvardit.
Dy dekada më parë, Erica Chenoweth analizoi historinë e protestave në të gjithë botën në 100 vite dhe doli në konkluzionin se asnjë qeveri nuk mund t’i rezistojë një sfide nga 3,5% të popullsisë që merr pjesë aktivisht në një lëvizje proteste jo të dhunshme.
Nëse duam të jemi mosbesues e cinikë, mund t’i vëmë në dyshim si arritjen e masës kritike sot në Shqipëri, edhe rregullin e 3,5 përqindëshit që ndryshon qeveritë – por megjithatë ka një ‘teori’ të provuar kudo në botë: asnjë qeveri nuk mbijeton dot kur populli ka humbur në masë besimin te ajo dhe kërkon largimin e saj.
Sado që të mbrohet e sado që të qëndrojë në këmbë, rënia është e pashmangshme.
Këto ditë, për herë të parë në shumë e shumë vite, në mos për herë të parë në gjithë karrierën e tij politike, Kryeministri Rama dhe qeveria e tij kanë përqafuar një narrativë mbrojtëse.
Tani nuk është më Kryeministri dhe qeveria që e komandon diskursin politik, por është masa dhe pakënaqësia e protestës.
Çfarëdo numrash të dalin në shesh në mbrëmje, protesta është në mendjet dhe zemrat e qindra mijëra të tjerëve në çdo cep të Shqipërisë.
Kësaj proteste nuk i shpëton dot asnjë qeveri.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.