Protesta që nuk merret me hallin tim
Fejton

Në kafenenë e lagjes ishin mbledhur disa burra që kishin ardhur në përfundimin se protesta në bulevard nuk vlente gjë. Ishte një përfundim i rëndësishëm, sidomos po të kihej parasysh se asnjëri prej tyre nuk kishte qenë ndonjëherë atje.
Beni kishte hallin e pensioneve. Babai i tij merrte një pension që, sipas Benit, mjaftonte për të jetuar mirë vetëm nëse njeriu hiqte dorë nga zakoni i të ngrënit, i pirjes dhe i blerjes së ilaçeve.
Për këtë arsye Beni ishte shumë i zemëruar me protestën.
– Çfarë proteste është kjo që nuk kërkon rritjen e pensioneve? A e dinë ata protestuesit sa e ka pensionin babai im? Përse nuk e ngrenë këtë çështje?
Iliri kishte një hall tjetër. Ai kishte zbuluar se ilaçet që shiteshin në Shqipëri vinin nga vende të ndryshme të botës dhe kishte dyshimin e fortë se gjysma e tyre ose nuk bënin punë, ose bënin ndonjë punë tjetër nga ajo që shkruhej në kuti.
Sipas tij, një protestë serioze duhej të merrej para së gjithash me ilaçet. Një protestë që nuk merrej me ilaçet dhe me shëndetin e popullit, nuk e meritonte të quhej protestë.
– Ilaçet kanë rëndësi, – tha ai, duke thirrur kamarierin që t’i sillte një makiato me qumësht të ftohtë. – Shëndeti i popullit është mbi gjithçka.
Pali ishte specialist i ushqimit. Jo me profesion. Me shqetësim. Ai nuk hante më një domate pa dyshuar se brenda saj kishte gjithë tabelën periodike të Mendelejevit. Për qumështin dyshonte se lopët nuk kishin më ndonjë rol të rëndësishëm në prodhimin e tij, ndërsa për mishin ishte i bindur se vetëm mishi vetë e dinte nga kishte ardhur.
– Siguria ushqimore, – tha ai. – Kjo është kauzë.
Dhe shpjegoi se ajo që bëhej jashtë nuk mund të quhej protestë, përderisa nuk kishte ngritur çështjen e sigurisë ushqimore.
Agimi kishte dy ditë pa ujë. Në shtëpinë e tij kishte dy depozita mbi tarracë dhe çdo mëngjes shikonte lart për t’u siguruar se ato vazhdonin të ishin mbi pallat.
Ai mendonte se një vend ku qytetari duhej të ndërtonte rezervuarin e vet të ujit mbi çati nuk kishte nevojë për analiza të mëdha politike. Mjaftonte të hapje rubinetin.
Por edhe Agimi ishte kundër protestës. Ata protestuesit që bërtisnin jashtë dhe po ua prishnin qetësinë të gjithëve në kafene, nuk po kërkonin ujë 24 orë. Kërkonin dorëheqjen e qeverisë.
– S’kam parë protestë më kot se kjo, – tha ai.
Në tavolinë ishte edhe Nardi, që kishte një pronë për të cilën gjyshi kishte një dokument, babai një tjetër, shteti një të tretë dhe fqinji një të katërt. Në Shqipëri kjo konsiderohej një situatë pothuajse normale, sepse po të kishin të gjithë të njëjtin dokument, gjykatat do të mbeteshin pa punë.
Nardi e kishte shumë të qartë:
– Pa zgjidhur pronën, nuk bëhet shtet.
Edhe ai ishte i bindur se kjo ishte protesta më e kotë në botë, sepse nuk kishte kapur problemin themelor të vendit: problemin e pronave. Më saktë, problemin e pronës së Nardit.
Astriti kishte një dyqan. Shteti, sipas tij, kishte vetëm një qëllim në jetë: të merrte taksa nga Astriti. Ai paguante tatime, sigurime, energji, tarifa dhe çdo muaj zbulonte nga një pagesë të re, gjë që e mbante administratën publike në formë dhe Astritin në ankth. Tatimorët i quante gjobaxhinj, ndërsa qeverinë gjobaxhiun më të madh të vendit.
– Po shikoni për çfarë bërtasin, mor aman! – tha. – Kërkojnë të mbrohen ca zogj të qelbur, ndërsa për biznesin e vogël, që këtu në Shqipëri i kanë marrë frymën, nuk ngrenë zërin fare.
Të gjithë në kafene miratuan me kokë.
Pak më tutje, në tavolinën pranë banakut, ishte një mësues që fliste për shkollat, një fermer që fliste për subvencionet, një shofer që fliste për rrugët dhe një prind që ankohej se të dy fëmijët i kishin ikur jashtë.
Edhe ata ishin të pakënaqur me protestën.
Sipas tyre, protesta ishte pa kokë. Merrej me ca kërkesa të përgjithshme, si dorëheqja e qeverisë, ndryshimi i ligjit zgjedhor, zgjedhje pa vjedhje, kufizimi i mandateve qeverisëse, anulimi i ligjit për zonat e mbrojtura apo Paketa e Maleve, dhe nuk merrej me gjërat vërtet të rëndësishme: subvencionin e fermerit, rrugën e shoferit, shkollën e mësuesit dhe fëmijët e prindit që kishin ikur jashtë.
Secili kishte një hall të vërtetë.
Pas një ore diskutimi, kafeneja kishte ndërtuar programin më të mirë politik që kishte parë Shqipëria ndonjëherë. Kishte pensione më të larta, ilaçe të sigurta, ushqime të kontrolluara, ujë 24 orë, prona të zgjidhura, taksa më të ulëta, shkolla më të mira, bujqësi të mbështetur, rrugë të rregulluara dhe drejtësi që funksiononte.
Mungonte vetëm një gjë: njerëzit që duhej t’i kërkonin këto.
Ata ishin në kafene.
Sipas njerëzve në kafene, protestuesit kishin për detyrë të merrnin vesh hallin e çdo shqiptari, sidomos hallin e çdo shqiptari që ndodhej në atë kafene, ta fusnin në program, ta shkruanin në pankartë dhe ta bërtisnin me zë të lartë në shesh.
Në fund Beni ngriti zërin:
– Protestës i ka humbur kau. Kërkon zilen e kaut. Ja, shikoni vetë çfarë kërkesash kanë. A mund të quhet protestë kjo? Dëgjojini me veshët tuaj!
Të gjithë heshtën dhe kthyen kokën nga bulevardi.
Nga jashtë vinte zhurma e protestës dhe një thirrje që përsëritej gjithnjë e më fort:
– Ngrihuni nga kafeneja! Ngrihuni nga kafeneja!
Për disa çaste askush nuk foli.
Pastaj Beni thirri kamarierin.
-Na sill edhe nga një kafe.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.