☁️
Tiranë 25°C · Vranët 08 June 2026
S&P 500 7,384 ▼2.64%
DOW 50,867 ▼1.35%
NASDAQ 25,709 ▼4.18%
NAFTA 94.22 ▲4.06%
ARI 4,333 ▼0.74%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1533 EUR/GBP 0.8641 EUR/CHF 0.9177 EUR/ALL 95.2373 EUR/MKD 61.6712 EUR/RSD 117.3431 EUR/TRY 53.1800 EUR/JPY 184.82 EUR/CAD 1.6074 EUR/USD 1.1533 EUR/GBP 0.8641 EUR/CHF 0.9177 EUR/ALL 95.2373 EUR/MKD 61.6712 EUR/RSD 117.3431 EUR/TRY 53.1800 EUR/JPY 184.82 EUR/CAD 1.6074
₿ CRYPTO
BTC $63,228 ▲ +1.62% ETH $1,676 ▲ +3.96% XRP $1.1473 ▲ +1.2% SOL $65.9900 ▲ +1.7%
S&P 500 7,384 ▼2.64 % DOW 50,867 ▼1.35 % NASDAQ 25,709 ▼4.18 % NAFTA 94.22 ▲4.06 % ARI 4,333 ▼0.74 % S&P 500 7,384 ▼2.64 % DOW 50,867 ▼1.35 % NASDAQ 25,709 ▼4.18 % NAFTA 94.22 ▲4.06 % ARI 4,333 ▼0.74 %
EUR/USD 1.1533 EUR/GBP 0.8641 EUR/CHF 0.9177 EUR/ALL 95.2373 EUR/MKD 61.6712 EUR/RSD 117.3431 EUR/TRY 53.1800 EUR/JPY 184.82 EUR/CAD 1.6074 EUR/USD 1.1533 EUR/GBP 0.8641 EUR/CHF 0.9177 EUR/ALL 95.2373 EUR/MKD 61.6712 EUR/RSD 117.3431 EUR/TRY 53.1800 EUR/JPY 184.82 EUR/CAD 1.6074
08 Jun 2026
Breaking
Arte

Qëndrim Rijani: Teatri na lë me pyetje, sepse na përball me veten dhe realitetin

Një nga tragjeditë më të fuqishme të William Shakespeare, “Otello” këtë sezon artistik u shfaq premierë në skenën tonë teatrore me regjinë e Qëndrim Rijanit. “Otello” në skenë shënoi edhe një nga momentet e rëndësishme në jetën artistike të Teatrit Kombëtar këtë sezon. Në intervistën për gazetën “SOT” regjisori i njohur Qëndrim Rijani flet për punën me shfaqjen premierë në skenë dhe thotë se sfida më e madhe ishte gjetja e një gjuhe skenike, që ta bënte veprën të komunikonte me publikun e sotëm pa humbur identitetin e saj.

Sipas tij ajo që e bën realizimin e “Otello”-s të veçantë është se në thelb kemi historinë e një njeriu, që shkatërrohet nga ndjesia e mospranimit, një temë aktuale edhe në realitetin e sotëm shoqëror. Në vijim, ai thekson se teatri duhet ta lërë publikun me pyetje dhe jo me përgjigje të gatshme, duke e përballur atë me vetveten dhe realitetin që e rrethon.

“Otello” në skenën e Teatrit Kombëtar te “ArTurbina” në Tiranë u shfaq premierë në muajin maj për publikun, duke marrë vlerësime pozitive nga publiku dhe kritika për realizimin e saj bashkëkohor dhe interpretimin e fortë artistik. Krijimtaria e regjisorit Qëndrim Rijani është zhvilluar në një hapësirë të gjerë ndërkombëtare, me prezantime në festivale në Kroaci, Zvicër, Rusi, Turqi, Hungari, Serbi, Bosnjë, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Bullgari. Në qendër të punës së tij qëndrojnë autorët e mëdhenj dhe kryeveprat e dramaturgjisë botërore, përfshirë edhe William Shakespeare.

-Tragjedia “Otello” nga William Shakespeare në Teatrin Kombëtar erdhi në një version modern dhe bashkëkohor, që sjell në qendër xhelozinë, manipulimin dhe ndjesinë e të qenit i huaj në shoqëri. Si e keni trajtuar këtë vepër në skenë dhe si i shihni këto tema në realitetin e sotëm?

Mendoj se “Otello” është një nga veprat më aktuale të Shakespeare-it pikërisht, sepse flet për mekanizma që nuk i përkasin vetëm kohës së tij. Në qendër të leximit tim është figura e të huajit. Për mua, Otello nuk është thjesht një njeri me ngjyrë, ai është çdo individ që, pavarësisht suksesit dhe meritës së tij, vazhdon të mbetet i përjashtuar nga shoqëria ku jeton. Shfaqja fillon në kohën tonë dhe gradualisht udhëton drejt kohës së Shakespeare-it. Kjo lëvizje është e rëndësishme, sepse tregon se mekanizmat e përjashtimit, paragjykimit dhe manipulimit nuk kanë ndryshuar aq sa mendojmë. Sot jetojmë në një botë ku informacioni manipulohet me lehtësi dhe ku një dyshim i mbjellë në momentin e duhur mund të shkatërrojë jetë, reputacione dhe marrëdhënie.

-Ju si regjisor keni vënë dhe më parë vepra të William Shakespeare në skena teatrore. Por duke pasur më parë përvojë me vepra të tij, çfarë e bën këtë vënie të “Otello”-s të veçantë në raport me projektet tuaja teatrore të mëparshme?

Kam pasur fatin të punoj më parë me Shakespeare-in përmes “Tregtarit të Venedikut”, “Makbethit” dhe “Jul Cezarit”. Çdo vepër e tij hap një univers të ri, por “Otello” ka një veçanti të rrallë. Kjo është ndoshta vepra, ku Shakespeare arrin ekuilibrin më të madh mes tragjedisë politike dhe asaj familjare. Ajo që e bën këtë realizim të veçantë për mua është fakti se në dukje kemi një histori xhelozie, por në thelb kemi historinë e një njeriu që shkatërrohet nga ndjesia e mospranimit. Kjo më ka interesuar shumë si temë dhe mendoj se lidhet drejtpërdrejt me realitetin tonë bashkëkohor.

– Për ju si regjisor, cili është momenti më i fortë emocional i shfaqjes?

Ka shumë momente të tilla, megjithëse unë, si regjisor, përpiqem të mos përfshihem emocionalisht në shfaqje gjatë procesit të punës. Gjithmonë përpiqem ta shoh veprën me ftohtësi profesionale dhe ta analizoj nga pikëpamja e ndërtimit dramaturgjik, ritmit dhe funksionimit skenik. Gjithsesi, kur arrij ta shoh produktin artistik disi i distancuar nga pozicioni i regjisorit dhe i veshur me petkun e publikut, ndiej se ka pafund momente tepër emocionuese. Janë momente që burojnë nga vetë Shakespeare-i, nga madhështia e personazheve dhe e konflikteve që ai ndërton, por edhe nga puna e jashtëzakonshme e aktorëve që arrijnë t’u japin jetë atyre.

Më pas, rrugës, më rrëmben sërish të qenit regjisor dhe filloj të përfshihem në skena që burojnë nga vetë Shakespeare-i, por edhe në ato që kemi ndërtuar bashkërisht me aktorët mbi universin e tij dramatik. Pikërisht aty lind një emocion i veçantë, sepse sheh sesi një tekst i shkruar katër shekuj më parë vazhdon të marrë frymë përmes artistëve të sotëm. Sigurisht, ka edhe momente që lidhen drejtpërdrejt me ndërhyrjet e mia regjisoriale. Një prej tyre është ndëshkimi final i Jagos, ku personazhi përballet simbolikisht me zemrën e tij të vogël. Është një imazh që më emocionon jo vetëm për forcën teatrale që mbart, por sepse shpreh besimin tim se, pavarësisht dëmit që mund të shkaktojë, e keqja nuk mund t’i shpëtojë përgjithmonë përballjes me pasojat e veta.

– Çfarë dëshironi të marrë publiku nga kjo premierë në teatër?

Do të doja që publiku të largohej me pyetje dhe jo me përgjigje të gatshme. Teatri nuk ekziston për të dhënë leksione morale, as për të na argëtuar deri në “hangarizje” por për të na vënë përballë vetes. Shpresoj që spektatori të reflektojë mbi mënyrën se si gjykojmë tjetrin, mbi faktin se-sa lehtë manipulohemi dhe mbi pasojat që mund të sjellë një dyshim i pambështetur. Nëse publiku del nga salla duke menduar për këto gjëra, atëherë mendoj se shfaqja e ka përmbushur misionin e saj.

-A keni hasur vështirësi gjatë realizimit të kësaj shfaqjeje dhe si i keni tejkaluar ato?

Çdo vepër e madhe sjell vështirësi. Shakespeare kërkon një nivel të lartë disipline, përgatitjeje dhe përqendrimi. Sfida më e madhe ishte gjetja e një gjuhe skenike, që ta bënte veprën të komunikonte me publikun e sotëm pa humbur identitetin e saj. Për ta arritur këtë, kemi punuar shumë mbi strukturën vizuale të shfaqjes, mbi ritmin dhe mbi marrëdhënien mes trupit, hapësirës dhe fjalës. Besoj se pikërisht procesi kolektiv dhe përkushtimi i ekipit na ndihmuan t’i kapërcejmë vështirësitë.

-Si regjisor, cili është mesazhi kryesor, që keni dashur të nxirrni në këtë vënie të “Otello”-s në skenën teatrore?

Nëse do ta përmblidhja me një fjali, do të thosha se kjo është një shfaqje mbi pasojat shkatërruese të dyshimit dhe përjashtimit të-të ndryshmit. Për mua, “Otello” është historia e një njeriu të madh që humbet betejën më të rëndësishme, atë me vetveten. Dhe pikërisht për këtë arsye vazhdon të na flasë me të njëjtën forcë edhe pas më shumë se katër shekujsh.

Intervistoi: Juljana Vrapi

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.