Kryenegociatori Bajrami i reagon Vuçiqit: S’mund të ketë dialog kredibil nëse njëra palë ka pretendime territorial
Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Agron Bajrami, ka reaguar pas deklaratës së presidentit serb Aleksandar Vuçiq ndaj Kosovës.
Bajrami ka shpërndarë reagimin e Demokratëve Evropianë, të cilët kanë vlerësuar se deklaratat e vazhdueshme të Vuçiqit, përmes të cilave ai pretendon se Kosova është pjesë e Serbisë, dëmtojnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve dhe cenojnë stabilitetin në rajon.
Sipas demokratëve, presidenti serb “edhe një herë ka pohuar se Kosova është pjesë e Serbisë”, duke theksuar se një qasje e tillë bie ndesh me përpjekjet për pajtim dhe dialog të qëndrueshëm.
Në reagimin e tyre, ata kanë përmendur edhe deklaratën e ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila kishte thënë se do ta kishte “spastruar etnikisht” Kosovën në vitin 1998, duke kritikuar faktin se deklarata të tilla, pavarësisht reagimeve negative në Evropë, nuk kanë sjellë pasoja politike në Serbi.
Kryenegociatori kosovar Agron Bajrami e ka shpërndarë këtë qëndrim, duke e cilësuar si një mesazh të rëndësishëm ndaj, siç e ka përshkruar ai, qasjes së Beogradit dhe retorikës që pengon procesin e normalizimit.
Në një reagim në platformën “X”, Bajrami ka theksuar se Kosova nuk do ta vendosë në diskutim ekzistencën e saj dhe se një dialog i besueshëm nuk mund të zhvillohet përderisa, sipas tij, Serbia vazhdon të mbajë pretendime territoriale ndaj Kosovës.
“Beogradi vazhdon të mohojë realitetin, të mohojë të vërtetën dhe të riciklojë gjuhën e viteve 1990. Nuk mund të ketë dialog të besueshëm ndërsa njëra palë ende pretendon territorin e palës tjetër dhe ëndërron për përsëritjen e spastrimit etnik. Kosova nuk do të negociojë ekzistencën e saj”, ka shkruar Bajrami.
Deklarata e tij vjen në një kohë kur procesi i dialogut Kosovë–Serbi, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, vazhdon të përballet me tensione politike dhe mospajtime të thella lidhur me zbatimin e marrëveshjeve të arritura ndër vite.
Prishtina zyrtare ka kërkuar vazhdimisht që dialogu të bazohet në njohjen e realitetit të krijuar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ndërsa Beogradi vazhdon të mos e njohë pavarësinë e saj dhe e konsideron Kosovën pjesë të territorit të Serbisë./Telegrafi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.