Rama për ”Monocle”: Nuk po u shesim tokën të huajve, projekti i Kushnerit një shembull që mund të ndiqet
– Shqipëria nuk po ua shet tokën të huajve, ndërkohë që projekti i Jared Kushnerit është një shembull që mund të ndiqet, deklaroi kryeministri Edi Rama, në një intervistë revistën e njohur britanike ”Monocle”.
Ai theksoi se Shqipëria duhet të kalojë drejt një modeli më të qëndrueshëm turistik, duke argumentuar se zhvillimi i turizmit me standarde të larta është i nevojshëm për të ardhmen e vendit.
Në intervistë, Rama u shpreh se protestat paqësore janë një arritje për demokracinë shqiptare, por theksoi se qeveria ka një mandat të qartë nga shumica e qytetarëve.
”Pse duhet të bëj një marrëveshje? Ata kanë të drejtë të protestojnë. Është një arritje e madhe për këtë vend që të ketë protesta paqësore. Por, ne jemi zgjedhur me një shumicë dërrmuese dhe kemi një vizion të qartë. Ne kemi një kontratë me shumicën e shqiptarëve. Disa mijëra njerëz, që këmbëngulin se ne duhet të largohemi janë të mirë për shëndetin demokratik të vendit, por ata nuk janë në pozicionin për të imponuar asgjë”, tha Rama.
Duke folur për investimet turistike dhe projektet e zhvillimit në bregdet, kryeministri u shpreh se Shqipëria duhet të shmangë pasojat e një turizmi të pakontrolluar dhe të kërkojë një ekuilibër mes numrit të vizitorëve dhe vlerës ekonomike që ata sjellin.
”Turizmi masiv ka qenë një forcë e jashtëzakonshme, për ta bërë të njohur këtë vend, por nuk është i qëndrueshëm për natyrën, ajrin dhe ujin”, tha Rama.
”Stresi që ai sjell në vend nuk ia vlen. Nuk po them se duhet të ndalojmë, por kemi nevojë për ekuilibër. Na duhet niveli i lartë, më pak turistë, por më shumë para”, shtoi ai.
Në lidhje me investitorin Jared Kushner dhe projektet e propozuara në bregdetin shqiptar, Rama tha se ai është një investitor që respekton vendin dhe rregullat.
”Kushner është një investitor që është respektues ndaj vendit dhe që dëshiron të bëjë gjithçka sipas rregullave”, u shpreh kryeministri.
Duke komentuar incidentin e dhunës ndaj një protestuesi nga roje private sigurie, Rama e cilësoi atë si një ngjarje të papranueshme.
”Është një episod i papranueshëm”, tha Rama, duke shtuar se për këtë çështje zyrtarët përgjegjës po mbajnë përgjegjësi.
Kryeministri kundërshtoi gjithashtu pretendimet se toka shqiptare po u jepet të huajve të pasur pa përfitime për qytetarët.
Në lidhje me kritikat e protestuesve për çështjet sociale, si arsimi, shëndetësia dhe standardi i jetesës, Rama tha se ”po mbaj shënime”.
Ai shtoi se ”armiqtë tuaj mund t’ju tregojnë gjëra që janë më të dobishme sesa ato që ju tregojnë miqtë tuaj”.
Rama deklaroi gjithashtu se vizatimi është një mënyrë që e ndihmon të përqendrohet gjatë punës. / a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.