RUSI – Putini riorganizon logjistikën ushtarake për të forcuar luftën në Ukrainë
MOSKË, 5 gusht /ATSH-DPA/- Presidenti rus Vladimir Putin njoftoi sot riorganizimin e logjistikës dhe njësive të tjera mbështetëse të ushtrisë nën një komandë të vetme, me synim forcimin e operacioneve ushtarake në Ukrainë.
Gjatë një takimi me drejtuesit më të lartë ushtarakë, Putin emëroi Valery Solodchuk në krye të shërbimeve të riorganizuara të mbështetjes logjistike.
Sipas Kremlinit, të gjitha shërbimet e mbështetjes në prapavijë, do të vendosen tashmë nën një komandë të unifikuar.
Putin deklaroi gjithashtu se Rusia po ristrukturon forcat e saj të armatosura, bazuar në përvojën e fituar dhe kërkesat operative të luftës në Ukrainë.
Ai, së fundmi rriti me 25 mijë numrin e forcave të armatosura ruse, duke e çuar atë në 2 milionë e 426 mijë ushtarakë, prej të cilëve 1 milion e 535 mijë janë ushtarë aktivë.
Ndërkohë, sulmet ukrainase me dronë, kanë goditur rafineri nafte dhe qendra logjistike thellë në territorin rus, duke shkaktuar ndërprerje të konsiderueshme të furnizimeve për frontin.
Situata është bërë veçanërisht e vështirë në Krime, gadishullin e aneksuar nga Rusia në vitin 2014.
Gjatë takimit, Putin emëroi gjithashtu Denis Lyamin në krye të forcave ruse përgjegjëse për dronat dhe vlerësoi grupin ushtarak Vostok (Lindja), duke thënë se trupat po avancojnë me ritëm që, sipas tij, “meriton vlerësimin më të lartë”.
Lufta në shkallë të plotë e Rusisë kundër Ukrainës nisi në shkurt 2022. /

Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.