Shqipëria – fabrika pa kosto e fuqisë punëtore për Europën

Emigracioni është i vjetër sa njerëzimi. Njeriu është zhvendosur gjithmonë për të mbijetuar.
Historia njeh shkaqe dhe forma të ndryshme të largimit. Por një element përsëritet: njeriu shkëputet nga toka dhe shoqëria që e ka rritur, ndërsa puna dhe energjia e tij prodhojnë pasuri diku tjetër.
Format kanë ndryshuar, por lufta për njeriun si fuqi pune dhe burim pasurie ka mbetur.
Vendi pritës, zakonisht vendi i pasur, nuk merr thjesht krah pune, por një njeri të gatshëm: të rritur, të ushqyer, të mjekuar, të shkolluar dhe të formuar me paratë e një familjeje dhe të një shteti tjetër.
Shqipëria eksporton fuqinë e saj të rigjenerimit
Sipas INSTAT-it, rreth 2,25 milionë shtetas shqiptarë jetojnë jashtë vendit. Të dhënat tregojnë se rreth 77% e popullsisë shqiptare që jeton jashtë është e moshës 15–64 vjeç, përkundrejt 65% të popullsisë banuese në Shqipëri.
Pra, emigracioni ka marrë në përqindje më të madhe pikërisht grupmoshën kur njeriu punon, prodhon, paguan taksa, krijon familje dhe mban ekonominë në këmbë.
Shqipëria nuk ka humbur thjesht njerëz; ajo po humbet moshën aktive, palcën ku rigjenerohet jeta ekonomike dhe shoqërore e një vendi.
Kur largohet një 20-, 25- apo 30-vjeçar, Shqipëria humbet një punëtor, një taksapagues, një profesionist, një prind të ardhshëm dhe disa dekada pune që ai do t’ia japë një ekonomie tjetër.
Nuk po eksportojmë vetëm frutin; po shkulim pemën me gjithë rrënjë. Shqipëria e ka mbjellë, ushqyer dhe rritur, ndërsa, kur hyn në moshën e prodhimit, ajo transplantohet në një ekonomi tjetër, ku do të japë frutat dhe farat e brezave të ardhshëm.
Sa kushtojnë një milion njerëz?
Këta njerëz nuk kanë lindur 25 vjeç në aeroportin e Frankfurtit. Janë rritur, ushqyer, veshur, mjekuar dhe shkolluar diku; në rastin tonë, në Shqipëri.
Ky shkrim nuk pretendon të jetë një studim statistikor dhe as të gjejë koston deri në centin e fundit. Qëllimi është të kuptohet rendi i madhësisë së pasurisë që largohet.
Për këtë arsye, megjithëse shifrat e emigracionit janë më të larta, marrim qëllimisht vetëm 1 milion njerëz të lindur dhe të rritur në Shqipëri, të cilët kanë marrë këtu pjesën kryesore të arsimimit dhe formimit të tyre.
Nga të dhënat e shpenzimeve familjare dhe publike, kemi përllogaritur se rritja e një personi deri në moshën 18 vjeç kushton rreth 95 000–100 000 euro.
Prej tyre, afërsisht 70 000 euro i përballon familja dhe 25 000–30 000 euro shteti dhe taksapaguesit.
Për vetëm 1 milion emigrantë, familjet shqiptare kanë investuar kështu rreth 70 miliardë euro, ndërsa shteti shqiptar dhe taksapaguesit rreth 25–30 miliardë euro. Vetëm deri në moshën 18 vjeç flasim për 95–100 miliardë euro kapital njerëzor të krijuar në Shqipëri.
Brenda këtij milioni ka edhe qindra mijëra njerëz me arsim të lartë. Për të mos e fryrë llogarinë, marrim vetëm 300 mijë persona të diplomuar në Shqipëri.
Formimi universitar dhe jetesa gjatë viteve të studimit shtojnë afërsisht 17 000 euro për person, prej të cilave rreth 11 600 euro i përballon familja dhe rreth 5 400 euro janë shpenzim publik universitar.
Për 300 mijë të diplomuar, kjo shton rreth 3,5 miliardë euro investim familjar dhe rreth 1,6 miliardë euro investim shtetëror.
Kështu, për 1 milion emigrantët tanë, ku llogarisim vetëm 300 mijë të diplomuar, familjet shqiptare kanë investuar rreth 73–74 miliardë euro, ndërsa shteti shqiptar rreth 27–32 miliardë euro.
Totali kalon 100 miliardë euro.
Kjo është pasuria që Shqipëria ka përdorur për të lindur, ushqyer, rritur, mjekuar, shkolluar dhe formuar një milion njerëz që sot punojnë jashtë saj.
Në këtë shumë nuk kemi përfshirë specializimet profesionale, masterin, doktoraturat dhe as 30–40 vitet e punës që këta njerëz do të bëjnë jashtë.
Sa kursen vendi pritës?
Për të kuptuar anën tjetër të bilancit, marrim Gjermaninë si pikë krahasimi për një ekonomi të pasur europiane.
Rritja dhe formimi i një fëmije deri në 18 vjeç në kushtet gjermane përfaqëson afërsisht 205 mijë euro shpenzime familjare dhe rreth 170 mijë euro shpenzime publike, pra rreth 375 mijë euro për person.
Për të krijuar nga lindja 1 milion njerëz, familjet dhe shteti në një ekonomi të tillë do të investonin rreth 375 miliardë euro.
Nëse brenda këtij milioni marrim, si në llogarinë shqiptare, vetëm 300 mijë të diplomuar, universiteti dhe jetesa gjatë studimeve do të shtonin edhe rreth 25 miliardë euro.
Krijimi nga lindja deri në diplomim i një popullsie të tillë do të përfaqësonte në kushtet gjermane afërsisht 400 miliardë euro kapital familjar dhe publik. Vetëm shteti, pa përfshirë shpenzimet e familjeve, do të duhej të përballonte rreth 181 miliardë euro për rritjen, shkollimin dhe universitetin e kësaj popullsie.
Natyrisht, një milion shqiptarët nuk kanë shkuar të gjithë në Gjermani. Ata janë shpërndarë në Itali, Greqi, Gjermani, Britani, Francë, Zvicër, SHBA dhe vende të tjera. Krahasimi me Gjermaninë nuk është një faturë që ia paraqesim Berlinit, por tregon sa vlen kapitali njerëzor që ekonomitë e pasura marrin të gatshëm.
Për më tepër, këto 400 miliardë euro nuk janë fitimi i plotë. Janë vetëm kostoja që do të kërkonte krijimi i një kapitali njerëzor të krahasueshëm. Fitimi ekonomik vazhdon për dekada me punën, taksat, sigurimet shoqërore, konsumin, dijen dhe përvojën e emigrantit.
Mjekët e tregojnë fenomenin më qartë
Në mjekësi ky mekanizëm bëhet edhe më i dukshëm.
Një studim i para dy viteve shtroi hapur pyetjen nëse është e drejtë që një vend më i varfër si Shqipëria të paguajë rritjen dhe formimin e kushtueshëm të mjekëve, ndërsa vendet e pasura i marrin për të mbushur boshllëqet e sistemeve të tyre shëndetësore; a nuk është kjo nuk është një lloj ndihme zhvillimi nga vendi i varfër drejt vendit të pasur?
Vetëm gjatë viteve 2018–2022, 809 mjekë morën certifikatën e Urdhrit të Mjekëve që përdoret për ushtrimin e profesionit jashtë, ndërkohë që Universiteti i Mjekësisë në Tiranë diplomoi 1 322 studentë në mjekësi të përgjithshme. Numri i certifikatave përfaqëson rreth 61% të të diplomuarve.
Në anketën e studimit, 54% e mjekëve shqiptarë jashtë kishin kryer formimin në Shqipëri dhe vetëm më pas kishin marrë kontrata jashtë, kryesisht në Gjermani dhe Itali.
Numri i mjekëve shqiptarë në Gjermani ishte rritur nga 149 në vitin 2013 në 988 në vitin 2021, ndërsa autorët vlerësonin se numri real i mjekëve shqiptarë jashtë mund të ishte mbi 2 500.
Shqipëria paguan formimin dhe vendi pritës merr profesionistin: një pasuri që kalon kufirin pa doganë dhe pa faturë.
Europa merr gjak të ri, Shqipëria plaket
Vendi pritës nuk merr vetëm një kokë dhe një palë duar, por potencialisht disa dekada pune, taksa, kontribute, konsum, dije dhe përvojë. Shpesh merr edhe fëmijët që do të lindin dhe rriten atje, ndërsa Shqipërisë i mbeten prindërit që kanë investuar, institucionet që kanë formuar dhe vendi bosh në tregun e punës.
Në të njëjtën kohë, popullsia që mbetet plaket. Mungojnë mjekët, infermierët, teknikët dhe njerëzit që duhet të kujdesen për të moshuarit, por edhe taksapaguesit që duhet të financojnë pensionet, ilaçet dhe sistemin shëndetësor.
Emigracioni godet kështu aftësinë e shtetit për të financuar dhe rigjeneruar vetveten.
Loja me fjalën “ndihmë”
Kur Europa jep 20, 50 apo 100 milionë euro, ka projekt, konferencë, tabela, flamuj dhe deklarata ku dëgjojmë: “Europa ndihmon Shqipërinë.”
Kjo ndihmë ekziston dhe nuk ka arsye të mohohet.
Por, kur nga Shqipëria largohen mijëra njerëz të rritur dhe të arsimuar këtu, askush nuk vendos një tabelë në kufi ku të shkruajë: “Sot Shqipëria i transferoi Europës kaq mjekë, infermierë, inxhinierë, teknikë, kaq vite shkollimi dhe kaq dekada pune të ardhshme.” Kjo nuk quhet ndihmë; quhet emigracion.
Kështu krijohet përshtypja sikur marrëdhënia është vetëm njëkahëshe: Europa jep, Shqipëria merr. Por, në bilancin e plotë, Europa jep para dhe Shqipëria jep njerëz.
Qeveria, korrupsioni dhe “peshqit e mëdhenj”
Do të ishte e lehtë t’ia vinim gjithë fajin Europës. Europa bën interesin e vet: ka nevojë për punëtorë, mjekë, infermierë, inxhinierë dhe njerëz të rinj dhe, nëse mund t’i marrë të formuar nga një vend tjetër, kjo i leverdis.
Problemi ynë është pala tjetër, sepse ka gjithmonë dy: njëri që merr dhe tjetri që e lë të merret ose e jep.
Këtu përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi qeverisjen shqiptare. Pas më shumë se 35 vjetësh, Shqipëria vazhdon të prodhojë të rinj që shohin më shumë të ardhme jashtë sesa në vendin e tyre.
Korrupsioni, mungesa e perspektivës, administrata e politizuar, pabarazia para ligjit dhe paaftësia për të krijuar një shtet ku puna dhe merita shpërblehen nuk kanë ardhur nga qielli.
Prej vitesh dëgjojmë nga Europa për luftën kundër korrupsionit, reformën në drejtësi dhe goditjen e të ashtuquajturve “peshq të mëdhenj”.
Pyetja ime është: ku janë këta peshq të mëdhenj dhe përse, ndërkohë që vetë raportet europiane flasin për korrupsion dhe probleme të qeverisjes, mbështetja politike për qeverinë shqiptare vazhdon?
Mendoj se kjo nuk mund të shihet e shkëputur nga interesat europiane.
Një Shqipëri që garanton stabilitet politik, bashkëpunim dhe furnizon vazhdimisht Europën me fuqi pune të re e të formuar u shërben edhe nevojave të saj. Nuk pretendoj se shpopullimi është një projekt i deklaruar europian, por rezultati është i dukshëm dhe i leverdis Europës.
As qëllimin e keqqeverisjes shqiptare nuk mund ta provojmë. Mund të jetë paaftësi, korrupsion, mungesë vizioni ose të gjitha bashkë.
Qëllimin nuk e provojmë; rezultatin po.
Pasuria e papaguar
Vetëm me bazën tonë konservatore prej 1 milion emigrantësh, përllogaritja arrin në mbi 100 miliardë euro investim familjar dhe publik shqiptar.
Për krijimin e një kapitali njerëzor të krahasueshëm në kushtet e një ekonomie si Gjermania do të flisnim për rreth 400 miliardë euro, ndërsa vetëm kostoja publike do të ishte rreth 181 miliardë euro.
Këto shifra janë përllogaritje orientuese dhe jo një studim kontabël. Pikërisht për këtë kemi përdorur vetëm një milion emigrantë dhe vetëm 300 000 të diplomuar.
Shifra mund të diskutohet; fenomeni jo.
Kapitali njerëzor nuk figuron në doganë, në statistikat e eksportit apo në bilancin e ndihmave, por ekziston. Është një nga pasuritë më të shtrenjta që mund të krijojë një vend.
Grantet numërohen deri në centin e fundit, ndërsa një brez mjekësh, infermierësh, inxhinierësh, teknikësh dhe të rinjsh të humbur nuk blihet përsëri me para.
Herën tjetër kur të dëgjojmë se sa shumë “Europa ndihmon Shqipërinë”, duhet të shtojmë edhe gjysmën tjetër të bilancit:
Po Shqipëria, sa po e ndihmon Europën?
Europa i shërben interesit të vet. Detyra e qeverisë shqiptare është t’i shërbejë interesit të Shqipërisë.
Nëse, pas më shumë se 35 vjetësh, ky vend vazhdon të rrisë, shkollojë dhe formojë njerëz që më pas ua dorëzon të gatshëm ekonomive më të pasura, problemi nuk është vetëm emigracioni.
Problemi është keqqeverisja që e ka kthyer Shqipërinë në një fabrikë pa kosto të fuqisë punëtore për Europën.
Shpërndaje te miqtë



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.