Shqipëria renditet e para në sigurinë kibernetike, Rama i përgjigjet kritikëve: Ushtrisë së “trollave” u dhemb kur vendi del në majë
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas kritikave për renditjen e Shqipërisë në vendin e parë në National Cyber Security Index, duke i cilësuar kritikuesit si “urrejtës” dhe “ushtri trollash”.
Pas publikimit gjatë paradites së sotme të lajmit se Shqipëria renditet e para në klasifikimin e National Cyber Security Index, kryeministri Edi Rama është përballur me reagime dhe kritika në rrjetet sociale lidhur me këtë vlerësim.
Rama ka mbrojtur renditjen e Shqipërisë dhe ka argumentuar se rezultati bazohet në një metodologji ndërkombëtare dhe ka theksuar se ajo nuk përcaktohet nga komentet në rrjetet sociale, por nga metodologjia e indeksit.
Sipas tij, Shqipëria është vlerësuar me 98.33 pikë, rezultat që, siç shkruan kryeministri, bazohet në tregues që lidhen me kuadrin ligjor, kapacitetet institucionale dhe sistemin e parandalimit në fushën e sigurisë kibernetike.
“Një shënim i nevojshëm për urrejtësit besnikë dhe ushtrinë e tyre të trollave. Sapo postova lajmin që Shqipëria doli e para në indeksin global të sigurisë kibernetike, ata u vërsulën si tufa sorrash e korbash me turlilloj krrakrrash. Po nëse lajmi ishte “gënjeshtër”, “propagandë”, “budallallëk”, atëherë pse gjithë ai mund i madh me gurë e me baltë? Asnjë njeri normal nuk harxhon energji për të shuar një qiri të fikur.
Në fakt renditjen në National Cyber Security Index nuk e bën as një sorrë, as një korb dhe as një troll. E vendos një metodologji ndërkombëtare, me 98.33 pikë, të matura mbi kuadrin ligjor, kapacitetet institucionale dhe sistemin e parandalimit. Urrejtësit e mi besnikë mund të hidhen përpjetë, por tabela nuk ndryshon pse ata derdhin mllef e jargë mbi pasqyrat e tyre digjitale”, shkruan Rama.
Rama ka vijuar reagimin me tone ironike ndaj kritikëve, duke thënë se renditja nuk ndryshon pavarësisht kundërshtimeve apo kritikave në rrjet, duke shtuar se ky rezultat, sipas tij, u dhemb atyre që duan ta shohin vendin në fund të klasifikimeve.
“Mund të jetë e dhimbshme të jesh troll i një shteti që del në krye të klasifikimit botëror pikërisht në aftësinë mbrojtëse nga trollimet malinje, por s’ka ilaç për dhimbjen e urrejtësve.
Kështu që vazhdoni, forca, çdo koment i juaji është një klikim më shumë, një provë më shumë, dhe një buzëqeshje më shumë për mua, në këtë ditë të bukur arritjeje fantastike. Miq dhe aleatë të vërtetë që e dinë mirë ç’është ky Index Global sot më uruan, ndërsa dështakzemërakët e Shqipërisë më sulmuan. Të dyja palët, në mënyrën e tyre konfirmuan të njëjtën gjë: Shqipëria u ngjit në majë aty ku deri jo shumë vite më parë ishte në fund
Dhe kjo u dhemb vetëm atyre që e duan medoemos në fund, e që prej muajsh për “inat të vjehrrës u bënë rrogoz i mullixhiut” duke parë ëndrra me revolucione, dorëheqje, pushtet dhe duke prodhuar deri edhe diasporë nga Prishtina e Tetova”, shkruan Rama.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.