Si po eksporton Albin Kurti revolucionin në Shqipëri
Nga Dritan Hila
Albin Kurti është modeli i politikanit që jeton në kreshtën e krizës. Janë model i cili përveç propagandës nuk është në gjendje të ofrojë një model ekonomik dhe social që u bën të mundur mbijetesën normale në politikë, por vetëm nëpërmjet krizave ciklike, pozicionohen si porti i shpëtimit, sidomos për masat të cilat nuk kanë një analizë politike të situatës.
Këtë praktikë po e zbaton në Kosovë, ku tashmë po qeveris prej dy vjetësh pa një mandat politik dhe e ka futur vendin në një krizë besimi të pashoqe. I paaftë të marrë shumicë të cilësuar, i mbështetur nga vota e diasporës e cila është e ndikueshme nga propaganda, shteti i dytë shqiptar jeton në një delir të pangjashëm, sidomos në pozicionin kur është me një pozitë ndërkombëtare të rrëshqitshme drejt kaosit.
Dhe kur mbaron karburanti në Kosovë, i lëshohet fqinjëve ku ka popullsi shqiptare. Tipike është Maqedonia e Veriut. Tashmë popullsia shqiptare aty është defaktorizuar dhe nuk do të duhet shumë kohë që Mickovski ta çojë në pozitat e viteve ‘80-të ku shqiptarët kishin vetëm një edicion lajmesh në televizionin e Shkupit.
Por asnjë nga këto nuk ka vlerë nëse nuk rrëzon Tiranën. Tirana është kryeqyteti historik i shqiptarëve kudo jetojnë, është zemra politike dhe përcaktuesja e trendit të politikave kombëtare. Nëse Kurti nuk instalon regjentët e tij në Tiranë, ai e di se Prishtina do të mbetet gjithmonë numri dy në universin shqiptar. Ndaj për këtë ai po shfrytëzon momentin e rrëmujës politikë në Tiranë dhe ka nisur kaporionët e tij, gazetarë dhe mitingashë profesionistë të cilët po i japin një dorë degës së Vetëvendosjes në Tiranë, të cilët nuk e kanë eksperiencën e revolucionarëve profesionistë.
A do ia dalë Kurti të eksportojë revolucionin në Tiranë. Pak e vështirë. Revolucionet dhe demokracitë nuk eksportohen. E provoi Che Guevara dhe la kockat në Bolivi, e kanë provuar amerikanët me shumë më tepër resurse dhe nuk ia kanë dalë. Natyrisht që Kurti pretendon më pak pasi nuk do ngritjen e një sistemi të ri në Tiranë. Ai do thjesht ta defaktorizojë dhe të instalojë politikanë vasalë të tij. Ky është edhe qëllimi i sponsorëve ndërkombëtarë të tij, të cilët nëpërmjet Gjykatës Ndërkombëtare i spastruan rrugën në Prishtinë. Në Tiranë mendojnë t’ia dalin me demoralizimin e pushtetit dhe defaktorizimin e opozitës institucionale, në mënyrë që ti lënë rrugë të lirë. Jo më kot të gjithë sponsorët e Kurtit në Prishtinë janë kundërshtarët e Ramës dhe Berishës në Tiranë.
A do ia dalë? Kjo është pyetja që i ve në dilemë të gjithë pasi Tirana nuk është Prishtina. Në Tiranë vetëdija politike e elektoratit është më e rafinuar se ajo e Prishtinës. Pavarësisht piacës, ata që përkrahin PS dhe PD janë pjesa dërmuese e zgjedhësve shqiptarë. Kjo shumicë e heshtur është ku e ku më e madhe sa ajo që është në shesh apo përkrah sheshin.
Gjithashtu establishmenti politik i Tiranës nuk është në gjendjen e atij të Kosovës pasi kjo e fundit u ekzekutua publikisht me gijotinën e gjykatës ndërkombëtare. I pari, Berisha ka pasur me Kurtin një aleancë fluide, derisa Kurti i shërbente atij. Por Berisha e di që zbritja e Kurtit në Tiranë do të thotë së pari eliminimin e tij dhe përthithjen e elektoratit të PD dhe kryesisht atij verior. Ndaj aleanca me të dy ka mbaruar.
Sa i takon Ramës, e ka të qartë që koka e dytë që do kërkojë Kurti në tepsi do jetë e tij. Deri tani ia ka dalë të arnojë çarjet e digës socialiste që mos të rrjedhin te seksioni i Tiranës i VV dhe Qorit.
Gjithsesi Kurti shpreson që të sjellë kaosin në Tiranë. Kjo i kërkohet nga sponsorët e tij. Ai është më i qarti nga grupimet e neoislamikëve dhe neomarksistëve dhe më i organizuari mes tyre. Deri tani një ndihmë po i jep edhe Berisha i cili me ose pa vetëdije, në luftën e tij psikologjike po kalëron bashkë me Kurtin kalin e propagandës së vjedhjeve që paska bërë qeveria, i vetmi problem është që kali është i Kurtit i cili do ta hedhë sapo mos t’i duhet më. Kurse Rama vazhdon e mbahet në shalë. Dhe të paktën tani e di se luftën nuk e ka me flamingot prej polisteroli të Tiranës por ndodhet në mes të një stuhie perfekte ku kundër tij janë bashkë një koalicion kundërshtarësh ndërkombëtarë që reflektojnë përplasjen BE-SHBA në Tiranë, fqinjët, dhe mashat e tyre në hapësirën shqiptare. Dhe është i vetmi moment kur e vetmja anije që do ta nxjerrë në breg dhe aleati i vetëm i tij besnik është elektorati i PS, i cili më së fundi po ndërgjegjësohet se kjo përplasje nuk është për lëkurën e Edi Ramës por për një kthim në rrëmujat e ‘91-‘97-ës, apo shkëputjen e vendit nga kriza e tranzicionit dhe marrja e rrugës së zhvillimit.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.