Turizmi nuk matet me sa turistë vijnë, por me sa shqiptarë përfitojnë

Prej disa vitesh, kryeministri Rama e ka paraqitur turizmin luksoz si drejtimin e pashmangshëm dhe më të zhvlefshëm të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë. Resortet me pesë yje, vilat buzë detit që u shiten milionerëve të huaj, marinat dhe komplekset ekskluzive janë promovuar si simbol i modernizimit dhe si rruga më e sigurt drejt rritjes së mirëqenies.
Në këtë vizion, sa më të mëdha investimet dhe sa më të pasur turistët, aq më i zhvilluar bëhet vendi. Madje, në disa raste, kryeministri ka përmendur edhe Malin e Zi si shembullin që Shqipëria duhet të ndjekë, duke argumentuar se orientimi drejt turizmit luksoz është mënyra për të rritur të ardhurat dhe për ta bërë ekonominë shqiptare më të begatë.
Në pamje të parë, ky argument tingëllon bindës. Kush mund të jetë kundër më shumë turistëve, më shumë investimeve dhe më shumë të ardhurave? Por pikërisht këtu fillon keqkuptimi më i madh i debatit.
Pyetja vendimtare nuk është sa turistë vijnë në Shqipëri, sa kushton një vilë buzë detit apo sa miliardë euro investohen në resorte.
Pyetja është shumë më e thellë: çfarë lloj turizmi prodhon më shumë mirëqenie për shoqërinë shqiptare?
Sepse ekonomia e turizmit nuk matet vetëm me numrin e turistëve, me vlerën e investimeve apo me çmimin e vilave që shiten. Ajo matet me mënyrën se si shpërndahen të ardhurat, me numrin e familjeve që përfitojnë prej tyre dhe me aftësinë e turizmit për të krijuar një ekonomi vendase të fortë.
Pikërisht këtu fillon dallimi mes dy modeleve krejt të ndryshme të zhvillimit: turizmit të integruar në komunitet dhe turizmit enklavë.
Sepse jo çdo euro e shpenzuar nga një turist krijon të njëjtin efekt ekonomik dhe jo çdo lloj investimi shpërndan të njëjtat përfitime. Dy vende mund të kenë të njëjtin numër turistësh dhe të njëjtat të ardhura nga turizmi, por njëri mund të krijojë një klasë të mesme të fortë me mijëra sipërmarrës, ndërsa tjetri mund të prodhojë vetëm disa kompani shumë të pasura dhe mijëra punonjës sezonalë me paga të ulëta.
Ky është dallimi mes dy modeleve krejt të ndryshme të zhvillimit turistik.
Modeli i parë është ai që literatura ekonomike e quan turizëm i integruar në komunitet. Ai mbështetet te bujtinat, hotelet familjare, apartamentet private, agroturizmi, kampingjet, restorantet lokale, kantinat e verës, prodhuesit vendas, guidat turistike, artizanët, transportuesit lokalë dhe mijëra sipërmarrje të vogla që krijojnë një rrjet të dendur ekonomik.
Modeli i dytë është turizmi enklavë që ndërtohet mbi resorte gjigante, komplekse të mbyllura, marina private dhe zona turistike që funksionojnë pothuajse si ishuj ekonomikë të shkëputur nga territori që i rrethon.
Parë në distancë mund të duken të ngjashëm sepse të dy modelet sjellin turistë dhe ndërtojnë hotele. Të dy prodhojnë fotografi spektakolare për fushatat promocionale. Por mënyra se si qarkullojnë paratë në ekonomi është krejtësisht e ndryshme.
Në modelin e parë, turisti shpërndan shpenzimet e tij gjatë gjithë ditës nëpër shoqëri. Fle në një bujtinë familjare; ha mëngjesin në një furrë buke lokale; pi kafe në sheshin e qytezës; merr një guidë vendase e mandej blen vaj ulliri, verë apo mjaltë nga prodhuesit e zonës. Darkon në një tavernë tradicionale e për t’u kthyer për të fjetur merr një taksi. Çdo euro kalon nga një biznes te tjetri dhe krijon të ardhura për dhjetëra familje.
Në modelin e dytë ndodh e kundërta. Turisti mbërrin në resort, fle aty, ha aty, pi aty, argëtohet aty, blen aty dhe largohet pa hyrë pothuajse fare në ekonominë vendase. Paratë nuk shpërndahen por qarkullojnë brenda një gardhi.
Kjo është arsyeja pse ekonomistët flasin për efektin multiplikator apo shumëfisues të turizmit. Nuk ka rëndësi vetëm sa para futen në ekonomi por edhe sa herë qarkullon e njëjta para përpara se të largohet.
Prandaj le të imagjinojmë dy turistë që shpenzojnë secili nga një mijë euro. I pari zgjedh një apartament familjar. Pagesa shkon te pronari vendas. Ky blen produkte nga fermeri lokal, paguan elektricistin e lagjes, merr një marangoz për riparime dhe porosit mobilie nga një punishte vendase. Fermeri blen plehra kimike, paguan punëtorët dhe konsumon në dyqanet e qytetit. E njëjta shumë krijon disa cikle aktiviteti ekonomik.
Turisti i dytë shkon në një resort “all inclusive”. Një pjesë e ushqimit është importuar; menaxhimi është i huaj; rezervimi është bërë në një platformë ndërkombëtare ndërsa pijet janë furnizuar nga zinxhirë të mëdhenj. Rrjedhimisht shumica e fitimit transferohet jashtë vendit ose përqendrohet në një numër shumë të vogël kompanish.
Këtu kemi të bëjmë me atë që quhet rrjedhje ekonomike (economic leakage) i cili është një nga konceptet më të njohura në ekonominë e turizmit dhe trajtohet prej dekadash nga UN Tourism, OECD dhe Banka Botërore.
Një euro e shpenzuar në një resort mund të largohet nga vendi pas një ose dy transaksionesh. Një euro e shpenzuar në një hotel familjar mund të kalojë në dhjetëra duar përpara se të dalë nga ekonomia. Në thelb ky është ndryshimi mes një ekonomie që e mban pasurinë brenda vendit dhe një ekonomie që e nxjerr atë. Kjo nuk do të thotë se resortet nuk krijojnë të ardhura, por do të thotë se një pjesë shumë më e vogël e tyre mbetet në komunitetin lokal.
Fatkeqësisht, statistikat zyrtare nuk matin drejtpërdrejt atë që mund ta quajmë “turizëm i integruar” megjithatë ekzistojnë tregues shumë të mirë zëvendësues.
Më i rëndësishmi është struktura e akomodimit: sa netë kalohen në apartamente familjare, bujtina, kampingje, agroturizëm dhe struktura të vogla që i përkasin modelit të turizmit në komunitet krahasuar me hotelet dhe resortet e mëdha luksoze të enklavave.
Le të nisim me Malin e Zi, pasi është vendi që kryeministri shqiptar e ka përmendur disa herë si modelin që duhet ndjekur.
Nëse shohim vetëm resortet luksoze të Porto Montenegro, Portonovit apo Luštica Bay, mund të krijohet përshtypja se ato janë zemra e suksesit turistik malazez. Por statistikat tregojnë një histori tjetër.
Sipas të dhënave zyrtare për vitin 2024, rreth 66.7 për qind e të gjitha netqëndrimeve turistike në Mal të Zi u realizuan në akomodime private individuale; apartamente familjare, vila, bujtina dhe struktura të vogla të shpërndara në qytete dhe fshatra. Vetëm 1/3 në akomodim kolektiv, ku përfshihen bashkë me resortet luksoze edhe hotelet e të gjitha kategorive, motelet, hostelet dhe kampingjet.
Paradoksi është se Mali i Zi perceptohet si destinacion i resorteve luksoze, ndërkohë që baza reale e turizmit të tij është krejt tjetër. Nga rreth 223 mijë shtretër turistikë, vetëm rreth 5,600 ndodhen në hotele me 5 yje, pra afërsisht 2.5% e kapacitetit total.
Nëse kërkojmë shembullin më të plotë europian të këtij modeli, atëherë ai është Kroacia.
Sipas Eurostat, turizmi gjeneron rreth 10.5 për qind të vlerës së shtuar bruto të ekonomisë kroate, përqindja më e lartë në Bashkimin Europian.
Në pamje të parë kjo mund të duket thjesht si rezultat i numrit të madh të turistëve. Mirëpo sekreti i Kroacisë nuk qëndron vetëm te numri i vizitorëve por edhe te mënyra se si shpërndahen përfitimet.
Sipas statistikave zyrtare kroate, mbi 62 për qind e kapacitetit të përhershëm të akomodimit ndodhet në apartamente, shtëpi pushimi dhe forma të tjera private të akomodimit. Kjo do të thotë se qindra mijëra familje kroate janë pjesë e drejtpërdrejtë e ekonomisë turistike. Në shumë qytete bregdetare, pothuajse çdo familje jep me qira një apartament, një dhomë apo një studio gjatë sezonit. Përfitues nuk është vetëm pronari i një resorti, por edhe pensionisti, infermierja, mësuesi apo peshkatari që ka investuar kursimet e jetës në një apartament për turistë.
Saktësisht për këtë arsye OECD e konsideron Kroacinë një rast shumë interesant. Madje, vendi ka futur në legjislacion konceptin e “mikpritësit lokal”, për të dalluar familjet që japin me qira pronën e tyre nga investitorët që blejnë dhjetëra apartamente vetëm për spekulim.
Qëllimi nuk është të ndalet turizmi, por të ruhet karakteri i tij shoqëror dhe të mbrohet shpërndarja e përfitimeve në komunitet. Pikërisht për këtë arsye organizata si OECD nuk e matin më suksesin e turizmit vetëm me numrin e vizitorëve apo të ardhurat totale për ekonominë. Raportet e saj i kushtojnë gjithnjë e më shumë rëndësi ndikimit të turizmit mbi komunitetet lokale, strehimin, sipërmarrjen familjare, ruajtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore si dhe cilësinë e jetës.
Objektivi nuk është të maksimizohet vetëm numri i turistëve, por të maksimizohet numri i qytetarëve që përfitojnë prej tyre.
Në këtë pikë qëndron edhe dallimi më i madh mes dy modeleve të zhvillimit.
Turizmi i integruar që ne tashmë kemi në Shjqipëri, nuk krijon vetëm vende pune dhe qarkullon më mirë nëpër shoqëri paratë, por edhe krijon pronarë. Çdo apartament familjar, çdo bujtinë, çdo restorant, çdo fermë agroturistike apo kantinë vere përfaqëson një sipërmarrje që mbetet në pronësi të komunitetit lokal. Përfitimet shpërndahen në mijëra familje dhe njëherazi krijojnë një klasë të mesme më të gjerë për të mbështetur modelin e liberal-demokracisë në qeverisje.
Turizmi enklavë funksionon krejt ndryshe sepse krijon punësim, por në përgjithësi prodhon më pak sipërmarrje lokale. Pjesa më e madhe e vendeve të punës lidhet me shërbime operative të punësuarish si recepsion, pastrim, mirëmbajtje, siguri apo shërbim restoranti; ndërsa pronësia dhe fitimi përqendrohen në shumë më pak aktorë ekonomikë.
Ky ndryshim nuk është vetëm ekonomik; ai ka pasoja të drejtpërdrejta edhe mbi strukturën e shoqërisë.
Një ekonomi me mijëra sipërmarrës të vegjël është zakonisht më elastike ndaj krizave, krijon më shumë kapital vendas dhe shpërndan më gjerësisht përfitimet e zhvillimit. Një ekonomi që mbështetet kryesisht në pak investime shumë të mëdha mund të prodhojë shifra mbresëlënëse investimesh, por jo domosdoshmërisht një klasë të mesme më të fortë.
Në këtë kuptim, autenticiteti i turizmit të bazuar në komunitet nuk është vetëm një vlerë kulturore por edhe një aset ekonomik. Fshatrat historikë, gastronomia lokale, kantinat e verës, distlieritë e rakisë, prodhimet tradicionale dhe arkitektura karakteristike nuk janë thjesht elemente identitare. Ato janë pikërisht arsyeja pse turisti zgjedh një destinacion dhe, njëkohësisht, mekanizmi përmes të cilit të ardhurat shpërndahen në një numër shumë më të madh njerëzish.
Prandaj Italia, Kroacia, Portugalia dhe pjesë të mëdha të Spanjës po investojnë gjithnjë e më shumë në ruajtjen e këtyre elementeve. Ato nuk po shesin vetëm plazhe apo hotele luksi që janë pak a shumë copy-paste gjithë globit; por shesin një mënyrë jetese që nuk mund të kopjohet askund tjetër.
Pikërisht në këtë pikë debati merr rëndësi për Shqipërinë. Çështja nuk është nëse vendi duhet të zhvillojë turizmin luksoz apo të tërheqë investime të mëdha. Një ekonomi moderne ka nevojë edhe për hotele me pesë yje, edhe për marina, edhe për resorte të standardeve ndërkombëtare. Problemi lind kur këto shndërrohen nga një segment i tregut në modelin dominues të zhvillimit të bregdetit.
Përvoja e vendeve mesdhetare tregon se zhvillimi më i qëndrueshëm nuk është ai që zëvendëson ekonominë lokale me investime të mëdha, por ai që i lidh ato me njëra-tjetrën.
Resorti nuk duhet të funksionojë si një ishull ekonomik. Ai duhet të furnizohet nga fermerët e zonës, të bashkëpunojë me kantinat vendase, të përdorë guida lokale, të promovojë restorantet tradicionale dhe të krijojë zinxhirë furnizimi me bizneset shqiptare. Vetëm në këtë mënyrë investimi shumëfishon ndikimin e tij në ekonomi.
Në të kundërt, nëse pjesa më e madhe e mallrave dhe shërbimeve importohen, nëse fitimi transferohet jashtë vendit dhe nëse turisti kalon të gjithë pushimet brenda kompleksit, ndikimi mbi ekonominë lokale mbetet shumë më i kufizuar sesa sugjerojnë shifrat e investimeve.
Ky është një mësim me rëndësi edhe për Shqipërinë. Debati nuk duhet të kufizohet te numri i turistëve apo te vlera e investimeve të shpallura.
Duhet të zgjerohet drejt pyetjeve që përcaktojnë cilësinë e zhvillimit: Sa fermerë shqiptarë furnizojnë sektorin turistik? Sa restorante përdorin produkte vendase? Sa familje jetojnë nga apartamentet që japin me qira? Sa artizanë, guida turistike, transportues, prodhues vere, vaj ulliri apo produkte tradicionale janë bërë pjesë e zinxhirit të vlerës?
Konkretisht këta tregues përcaktojnë nëse turizmi po ndërton një ekonomi të shpërndarë apo një ekonomi të përqendruar.
Shqipëria ka një avantazh që shumë vende nuk e kanë më. Një pjesë e madhe e bregdetit, e fshatrave historikë dhe e zonave malore nuk është transformuar ende nga zhvillimi intensiv. Kjo krijon mundësinë për të ndërtuar një model që kombinon investimet e mëdha me një rrjet të dendur sipërmarrjesh familjare, agroturizmi, prodhuesish lokalë dhe bizneseve të vogla.
Në fund, ky është testi i vërtetë i një politike qeveritare.
Qeveria nuk zgjedh vetëm sa turistë do të tërheqë; ajo zgjedh edhe kush do të përfitojë prej tyre. Përmes ligjeve, planifikimit territorial, politikës fiskale dhe mënyrës si shpërndan tokën publike, ajo përcakton nëse pasuria do të përqendrohet në pak duar apo do të shpërndahet në mijëra familje.
Prandaj suksesi nuk duhet të matet vetëm me numrin e turistëve apo miliardat e arkëtuara, por me pyetjen më të rëndësishme: sa familje shqiptare jetojnë më mirë falë turizmit?
Një miliard euro që përqendrohet në pak kompani nuk prodhon të njëjtën shoqëri si një miliard euro që shpërndahet në dhjetëra mijëra familje. Shifrat mund të jenë identike, por modeli i zhvillimit që krijojnë është krejtësisht i ndryshëm.
Pikërisht ky është dallimi mes një ekonomie që prodhon rritje dhe një ekonomie që prodhon mirëqenie.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.