22 shtatori-Dita e Pavarësisë së Bullgarisë
Gjatë vitit 1908 Bullgaria Shpalli Pavarësinë e saj nga Parandoria Osmane, nën pushtetin e të cilës ishte në vazhdim të pesë shekujve.
Më 22 shtator, 1908, me një manifest princi (=knjazi) bullgar Ferdinanti i parë shpalli pavarësinë e Bullgarisë në kryeqytetin e vjetër bullgar Velliko Tërnovo. Vendi nuk ishte i zgjedhur rastësisht-në fakt ky është një akt simbolik i vazhdimit të Mbretërisë së Dytë Bullgare. Me këtë akt u hodhën poshtë praktikisht lidhjet e fundit vasale me Perandorinë Osmane. Principata e Bullgarisë u bë një shtet i pavarur me në krye Fedinantin, i cili u shpall car (=mbret). Porta e Lartë (Turqia, qeveria turke), kurse pas kësaj edhe Fuqitë e Mëdha, e njohën zyrtarisht pavarësinë e Bullgarisë. Kushtet e shpalljes së pavarësisë të shtetit të ri bullgar në fillim të shekullit të XX-të ishin shumë të favorshme-revolucioni i xhonturqëve në Perandorinë Osmane përfundoi me sukses për reformistët. Austro-Hungaria, një prej fuqive të mëdha, e cila imponoi kontratën e Berlinit, e shkeli dhe shpalli aneksin e Bosnjes e Hercegovinës me 20 shtator. Dy ditë më vonë në kishën “40 Martirët e Shenjtë” princi Ferdinant lexoi Manifestin e shpalljes së pavarësisë dhe u shërbye një liturgji për mirëqënien e shtetit bullgar. Situata delikate pas shkeljes së Traktatit të Berlinit (nga ana e Sofjes dhe Vjenës) u zgjidh në mënyrë të suksesshme. Meqënëse fuqitë e mëdha nuk ishin gati për një luftë të madhe, përpjekjet u përqëndruan tek njohja diplomatike e pavarësisë bullgare. Shpallja e pavarësisë nuk është vetëm një suksese i madh për diplomacinë bullgare. Pas saj principata bullgare u shpall mbretëri, kurse udhëheqësi i saj mori titullin car (=mbret).
22 shtatori u shpall festë zyrtare në vitin 2008. Shumë kohë rëndësia e kësaj ngjarjeje të historisë së re nuk vlerësohej, megjithëse në këtë datë, në vitin 1908, Bullgaria-një prej shteteve më të vjetra në Europë, përsëri u duk në hartën botërore pas zgjedhës pesëshekullore turke.
Kështu qe është e kuptueshme se pse qeveritë e para bullgare pas Çlirimit (3 mars 1878), që nga ajo e parë e Todor Brumovit në vitin 1879, filluan gradualisht të hidhnin poshtë këtë vasalitet dhe të zgjeronin sovranitetin e shtetit. Në vazhdim të 30 viteve partitë, të cilat e merrnin pushtetin, e ndiqnin këtë politikë.
Cilat janë shkaqet në plan ndërkombëtar dhe të brendshëm për aksionin “Pavarësi” pikërisht në vitin 1908?
“Së pari, gjatë korrikut të vitit 1908 shpërtheu i ashtuquajturi “revolucion i xhonturqve” në Perandorinë Osmane, kur u përhap dëshira, kryesisht në rrethet ushtarake, për një udhëheqje konstitucionale, parlamentare të perandorisë-shënon doc. Kolev nga Universiteti i Sofjes “Shën Klimend Ohridski”. – Ata e rrëzuan sulltanin Abdul-Hamid II dhe shpallën rimëkëmbjen e Kushtetutës në vitin 1876. Kuptohet kjo ishte një krizë shumë e madhe për këtë perandori kaq konservatore. Ndërkaq, rreth vitit 1908 skadoi afati 30 vjeçar i Traktatit të Berlinit të Fuqive të Mëdha, me të cilin Austro-Hungaria e kishte okupuar Bosnjën e Hercegovinën. Ajo, kuptohet, nuk donte për t’u tërhequr nga atje, por ta bashkonte provincën e pasur boshnjake. Për këtë shkak midis Austro-Hungarisë dhe Bullgarisë kishte unitet në synimet e tyre për shkeljen e Traktatit të Berlinit.”
Në verën e 1908-ës në Vjenë dhe Budapest u zhvilluan bisedime sekrete mes princit bullgar Ferdinand Sakskoburggotski dhe perandorit austro-hungarez Franc-Josif. Disa herë kryeministri bullgar Aleksandër Malinov, duke udhëtuar nëpër Evropë, kalonte përmes Vjenës dhe Budapestit, merrte pjesë në bisedime të ndryshme, jepte pëlqimin e vet për ndryshimin e statukuos. Dy ngjarje e provokuan shpalljen e pavarësisë. Njëra prej tyre është fillimi i grevës së madhe të transportit në Hekurudhat Lindore më 5 shtator 1908, kur u paralizuan komunikacionet në tërë Bullgarinë Jugore. Kështu në Principatën e Bullgarisë edhe një herë u bindën se sa shumë e pengonte vendin varësia nga Perandoria Osmane. Ngjarja e dytë është një fjalim i Vezirit të Madh të porsaemëruar nga xhonturqit, i cili bëri të ditur se do të shtrëngohet regjimi rreth “vilajeteve autonome”, ndër të cilat ishte edhe Bullgaria. Agjenti diplomatik bullgar Ivan Stefanov Geshov nuk u ftua në festën zyrtare në Stamboll. Si shenjë proteste ai ishte thirrur në Sofje për shkak të mosrespektimit të të drejtave shtetërore të Principatës. Ideja për shpalljen e pavarësisë bullgare u dha nga ambasadori francez në Stamboll-ai i bëri aluzion qeverisë bullgare se vendi mund të përfitojë nga kriza e krijuar. Për shpalljen e pavarësisë u zgjodh kryeqyteti i vjetër bullgar Veliko Tërnovo-si shenjë respekti ndaj shtetit mesjetar bullgar. Manifesti, me të cilin u shpall pavarësia, u lexua në kishën e vjetër “40 Martirët e Shenjtë”, pas kësaj-edhe në kështjellën historike Carevec. Princi Ferdinand mori titullin “Mbret i bullgarëve”.
“Bullgaria u barazua me shtetet e tjera evropiane, u rrit statusi i përfaqësive diplomatike bullgare-vuri në dukje Veleri Kolev. – Shteti bullgar tashmë kishte të drejtën për ta zhvilluar vetë politikën e tij të jashtme. Ai e kishte zhvilluar edhe deri atëherë, por tashmë nuk i kishte pengesat artificiale nga ana e Perandorisë Osmane. Duke u bërë një shtet i pavarur, Bullgaria kishte të drejtën e lidhjes së kontratave tregtare, pa u këshilluar me Portën e Lartë. Ai mund të caktonte vetë taksat doganore, statusin e zyrave kufitare dhe të pasaportave. Mirëpo, nga ana tjetër, nuk duhet të harrojmë se shpallja e pavarësisë është lidhur edhe me disa fakte jo shumë pozitive. Duke dalë jashtë kufijve të Perandorisë Osmane, çdo një iniciativë bullgare për përmirësimin e gjendjes së popullsisë bullgare, e cila mbeti në Maqedoni (rreth 1 milion e 300 mijë veta), si dhe në Trakinë Perëndimore dhe në Trakinë e Edrenesë (rreth 300-350 mijë veta), tashmë konsiderohej si njëfarë ndërhyrjeje në punët e një shteti tjetër fqinj. Deri atëherë qeveritë bullgare kishin të drejtën e iniciativave të tilla-të marrin pjesë në mbrojtjen e të drejtave të bullgarëve atje.”
Nuk është e rastit se duke pasur parasysh politikën e rreptë të Perandorisë Osmane ndaj popullsisë bullgare në këtë moment, si dhe ndaj të krishterëve të tjerë atje, shteti bullgar dhe aleatët e tij Serbia, Greqia dhe Mali i Zi u orientuan te mënyrat ushtarake për zgjidhjen e çështjeve të tyre kombëtare. Kështu, katër vjet më vonë, filloi Lufta e Parë Ballkanike.
Selim Hoxhaj
Konsull Nderi i Republikës së Bullgarisë në Shqipëri
Ludmill Stankov
Ish-këshilltar i Ambasadës së Republikës së Bullgarisë në Shqipëri


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.