Agjencia që solli turistët polakë: Ja çfarë na bëri më shumë përshtypje në Shqipëri
Kjo është java e fundit që turistët polakë po vijnë në Shqipëri për këtë sezon turistik. Teksa koha nuk ka mbajtur në shtator, ata i gjen duke shëtitur buzë bregdetit të Durrësit, apo dhe duke vizituar kryeqytetin e vendit.
Një grup turistësh e hasim në zonën e Bllokut në Tiranë, teksa ulen në një nga baret pranë vilës së Diktatorit Hoxha, një nga atraksionet kryesore që vizitohen në kryeqytet. Ata shoqërohen nga z.Mariusz Malona, i agjencisë turistike Itaka, më e madhja në Poloni, e cila që vitin e kaluar po bashkëpunon me për të sjellë turistë polakë në Shqipëri me agjencitë vendase, teksa këto të fundit po fusin për herë të parë modelin all inclusive (të gjitha të përfshira).
Një vit më parë erdhi vetëm një avion, ndërsa këtë verë kanë ardhur 8 avionë, çdo fundjavë, thotë për Monitor, z.Mariusz Malona i agjencisë Itaka.
Gjëja që i ka bërë më shumë përshtypje z.Malona janë njerëzit. “ Shqiptarët janë më të mirët në botë. Njerëzit këtu janë të sjellshëm, të ndihmojnë, të buzëqeshin, edhe pse nuk i paguan”. Në Spanjë, psh, thotë ai, të buzëqeshin vetëm nëse i paguan. Në Shqipëri gjatë guidave ka hasur në shumë raste ku i duhej ndihmë dhe i ka bërë përshtypje fakti që shqiptarët kanë qenë miqësorë dhe të gatshëm për ta ndihmuar.
Për hotelet ai thotë se janë kryesisht të reja dhe të mira. I pyetur për pakënaqësitë që kanë shprehur pushuesit polakë në faqen e internetit të Itaka, lidhur me ushqimin, ai thotë. “E vërteta është që ne duhet të kuptojmë që Shqipëria është e re me turizmin, ky është vetëm viti i dytë që bashkëpunojmë. Ishim mësuar me Turqinë, e cila ka 40 vjet eksperiencë në këtë fushë”.
Malona pohon se nga bisedat me sipërmarrësit e hoteleve ka parë që ata kanë ide dhe që duan të investojnë qe të jenë më të mirët. Hotel Fafa, psh thotë ai, ishte shumë i mirë. Itaka ka kontrata me hotelet në zonën e Golemit në Durrës dhe më pak në Sarandë.
Avantazhi kryesor i Shqipërisë mbetet kosto e ulët, por edhe klima e favorshme e deti i ngrohte.
Për turistët organizohen edhe ekskursione një ditore, në Tiranë, Krujë, Durrës apo dhe Vlorë, thotë z. Malona.
Kur e pyet se çfarë duhet të ndryshojë Shqipëria për të nxitur turizmin, përgjigja e tij habit: “Unë nuk mund të them se çfarë duhet të ndryshojë, por mund të them atë që nuk duhet të ndryshoni: Njerëzit duhet të vazhdojnë të jenë kaq të mirë e të sjellshëm”.
Sipas të dhënave të INSTAT, polakët ishin të tretët pas italianëve dhe maqedonasve përsa i përket rritjes në vlerë absolute tw numrit tw turistwve në 7 muajt e parë të këtij viti, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në shtatë muajt e parë kanë hynë në vend rreth 60 mijë polakë (gjysma e të cilëve erdhën në korrik), me dyfishim në raport me 2016-n.
Por, pavarësisht rritjes së lartë, pesha e turistëve polakë mbetet shumë e ulët, duke përbërë vetëm 2.2% të totalit të hyrjeve të shtetasve të huaj për periudhën në fjalë.
Polakët ishin surpriza e kësaj vere, edhe për faktin që hotelet shqiptare u grupuan për të ofruar shërbime të gjitha të përfshira (all inclusive), një risi kjo për modelin shqiptar të turizmit, por edhe një sinjal se ku duhet të orientohet sektori në të ardhmen, në mënyrë që të rrisë vlerën e shtuar dhe të nxisë zhvillimin e segmenteve të tjerë mbështetës, si bujqësia, agropërpunimi, arkëtimi etj).