AI: Turqia po i rikthen me dhunë refugjatët në zonat e luftës
Autoritetet turke po ndalojnë dhe po ushtrojnë presion ndaj refugjatëve, për t’i detyruar ata të rikthehen në zonat e konfliktit. Kjo gjë pretendohet në një raport të “Amnesty International”, i publikuar të martën.
I titulluar “Portieri i Europës”, raporti nxjerr në pah se Turqia i çon rregullisht azilkërkuesit në qendra të largëta paraburgimi, ku trajtohen në mënyrë çnjerëzore, deri sa deportohen në Irak apo Siri. Një zbulim i tillë bëhet vetëm pak kohë, pasi Bashkimi Europian dhe Ankaraja arritën një marrëveshje, sipas së cilës Turqisë do t’i ofrohen 3.2 miliardë dollarë për të shtuar përpjekjet për frenimin e krizës së emigracionit.
Organizata “Amnesty International” e kritikoi BE-në, duke thënë se fondet e tij do të përdoreshin pjesërisht për ndërtimin e qendrave të izoluara të burgimit për refugjatët.
“Është shokuese, që paratë e BE-së po përdoren për të financuar një program të paligjshëm burgosjeje dhe rikthmi në zonat e luftës. Bashkimi Europian duhet të sigurohet se, fondet e tij dhe bashkëpunimi me Turqinë do të shërbejë për të promovuar, e jo minuar të drejtat e refugjatëve dhe emigrantëve”, lexohet në raport.
Organizata pretendon se kishte dokumentuar rastet e më shumë se 100 emigrantëve, të cilët ishin detyruar të zhvendoseshin drejt qendrave të largëta, para se t’u nënshtroheshin abuzimeve në duart e forcave të sigurisë në Turqi, e më pas të deportoheshin në vendet në luftë, nga ku ishin larguar për një jetë më të mirë.
“Amnesty International” beson se numri i individëve të prekur është shumë më i lartë. Një pjesëtar i qeverisë turke hodhi poshtë pretendimet e raportit, duke thënë se më pak se një për qind e refugjatëve sirianë ishin përballur me masa kufizuese.
Rreth 2.2 milionë refugjatë sirianë janë pranuar nga Turqia, që prej shpërthimit të luftës civile në 2011-n, më shumë se në çdo vend tjetër, madje edhe nëse merret në konsideratë numri i madh i personave që kanë hyrë në Europë.