Ekonomia

Ambasadori norvegjez: Korrupsioni dhe zbatimi i ligjit mbajnë larg investitorët e huaj

Flet ambasadori i Norvegjisë në Republikën e Kosovës dhe Republikën e Shqipërisë, z. Per Strand Sjaastad: Ka shumë potencial për të zhvilluar vendin, por ende kuadri dhe situata me zbatimin e ligjit e bën atë më pak tërheqës sesa duhet të ishte dhe kjo duhet të përmirësohet.

Shqipëria dhe Norvegjia janë kaq larg por dhe afër. Nga njëra anë, Norvegjia është një nga vendet më të zhvilluara të Europës, me të ardhura për frymë prej rreth 70 mijë dollarësh, matur sipas fuqisë blerëse, e treta në Europë, ndërsa Shqipëria e ka këtë tregues vetëm 12 mijë dollarë, e fundit në Europë. Nga ana tjetër, dy vendet janë të ngjashme sa u përket burimeve natyrore dhe hidrike.

Shqipëria është e dyta në Europë pas Norvegjisë sa i përket potencialit hidroenergjetik, të dy shtetet kanë burime të shumta natyrore dhe një bregdet, që mundëson zhvillimin e sektorit detar. Pikërisht këto ngjashmëri mund të tërheqin interesin e sipërmarrësve norvegjezë. Por, ambasadori i Norvegjisë në Republikën e Kosovës dhe Republikën e Shqipërisë, z. Per Strand Sjaastad, pohon se investitorët e huaj stepen nga niveli i ulët i zbatimit të ligjit, korrupsioni, mungesa e barazisë në tenderë, problemet me të drejtën e autorit, trajtimin në Gjykata etj.

Ai e përsërit disa herë gjatë intervistës që problemi kryesor që pengon zhvillimin e Shqipërisë dhe ardhjen e investimeve të huaja është zbatimi i ligjit, si dhe korrupsioni, dhe shton se ka nevojë për shumë përmirësime në Shqipëri që të vijnë investitorët e huaj.

Z. Sjaastad thotë në një intervistë për “Monitor” se Shqipëria ka veçanërisht potencial në dy sektorë, në atë të energjisë, ku parësore është krijimi i një burse të energjisë që do të garantonte investitorët për tregun dhe do t’i mundësonte Shqipërisë të kthehej në një nyjë rajonale.

Sektori i dytë është ai detar, për të cilin Norvegjia po asiston për rritjen e kapaciteteve të autoriteteve që janë përgjegjëse për sektorin e marinës, krijimin e një sistemi edukimi dhe përmirësimin e infrastrukturës së lundrimit dhe komunikimit në det. Pas kësaj, ambasadori shpreson se do të rriten investimet e sipërmarrjeve norvegjeze në këtë sektor.

Një tjetër shans për Shqipërinë është fakti që Innovation Norway, një instrument i rëndësishëm i qeverisë norvegjeze për inovacionin dhe zhvillimin e bizneseve, i cili është i përfaqësuar në 30 vende në mbarë botën, po shikon mundësinë për të zgjeruar aktivitetin në Shqipëri. Nëse ata do të vendosin të vijnë në Shqipëri, sipërmarrjet mund të përfitojnë grante për të rritur kapacitetet e tyre.

 

Si do t’i vlerësonit marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Norvegjisë?

Arsyeja se pse Norvegjia do të bashkëpunojë me Shqipërinë lidhet me faktin se vendi juaj ka përcaktuar objektiva të qartë për të përmirësuar ekonominë, për të realizuar axhendën e reformave dhe do të bëhet pjesë e bashkëpunimit europian.

Këto janë objektiva që ne i mirëpresim dhe ashtu si Bashkimi Europian dhe vendet e tjera të BE-së, Norvegjia do të donte të asistonte Shqipërinë për të arritur këto objektiva.

Ashtu siç e kam thënë disa herë më parë, Shqipëria ka bërë disa përmirësime gjatë 20 viteve të fundit, si nga ana politike ashtu dhe ekonomike, por ka ende shumë rrugë për të bërë. Besoj se sfida më e madhe aktualisht në sektorin e ekonomisë është situata që ka të bëjë me zbatimin e ligjit dhe korrupsionin. Vendet dhe kompanitë i bëjnë vetes pyetjen se pse duhet të investojmë në Shqipëri, pse të mos shkojmë në një vend tjetër.

Ata duhet të kenë një përgjigje të qartë për të gjitha pyetjet dhe shqetësimet që kanë. Ndoshta këto pyetje kanë të bëjnë me fuqinë punëtore të kualifikuar, ndoshta me situatën e zbatimit të ligjit, ndoshta me sigurinë që e drejta e autorit do të mbrohet dhe ndoshta të kenë sigurinë, që në rast se do të kenë një konflikt, ai do të trajtohet në mënyrë të ndershme në Gjykatë, ndoshta me doganat, apo me korrupsionin. Unë nuk mendoj se këto pyetje sot marrin një përgjigje të kënaqshme. Ka nevojë për shumë përmirësime në Shqipëri që të vijnë investitorët e huaj.

Shumë vende dhe kompani e shikojnë Shqipërinë potencialisht si një treg me interes. Vendi ka shumë potencial në sektorin e energjisë. Duke qenë se ka një bregdet të gjatë, ka potencial në sektorin detar dhe në sektorin përpunues, si veshje, këpucë dhe produkte jo shumë të komplikuara, që kanë një kosto të ulët të fuqisë punëtore. Nga ana e Norvegjisë, ne kemi një nga investitorët më të mëdhenj në Shqipëri, Statkraft, në sektorin e energjisë dhe ata po planifikojnë që të zgjerohen në aktivitete të tjera. Shpresoj që kompanitë norvegjeze në sektorin detar do të jenë të interesuara që të investojnë këtu.

Së fundmi kemi nisur një projekt me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë në sektorin detar, që shpresoj se do të jetë fillimi i një bashkëpunimi mes nesh. Për ta përmbledhur, besoj se ka shumë potencial për të zhvilluar vendin, por ende kuadri dhe situata me zbatimin e ligjit e bën atë më pak tërheqës sesa duhet të ishte dhe kjo duhet të përmirësohet.

 

Shqetësimet e sipërmarrësve të huaj

Ata duhet të kenë një përgjigje të qartë për të gjitha pyetjet dhe shqetësimet që kanë. Ndoshta këto pyetje kanë të bëjnë me fuqinë punëtore të kualifikuar, ndoshta me situatën e zbatimit të ligjit, ndoshta me sigurinë që e drejta e autorit do të mbrohet dhe ndoshta të kenë sigurinë, që në rast se do të kenë një konflikt, ai do të trajtohet në mënyrë të ndershme në Gjykatë, ndoshta me doganat, apo me korrupsionin

 

Si e vlerësoni situatën politike në Shqipëri dhe ndikimin e saj tek investitorët e huaj?

Situata që ne shohim tani, kur opozita dha dorëheqjen nga funksionet e saj në Parlament nuk është pozitive. E pranoj që realizimi i protestave paqësore është një veprim i ligjshëm në një demokraci, por ndërmarrja e hapave radikalë si dorëheqja nga Parlamenti nuk i shërben një demokracie funksionale. Ajo që duhet bërë në vend të kësaj është të ketë një dialog, midis opozitës dhe qeverisë, për të parë nëse mund të zgjidhen të gjitha diferencat përmes diskutimeve dhe jo veprimeve ligjore.

Kjo tregon që demokracia shqiptare nuk është aq e maturuar sa duhet të ishte. Kam besim se gjërat do të përmirësohen në vitet që do të vijnë dhe realisht shpresoj kështu, por për momentin, kjo situatë nuk është një sinjal i mirë. Kjo është dhe një shenjë që mund ta bëjë më të komplikuar për Shqipërinë që të ecë përpara në rrugën europiane drejt integrimit aq shpejt sa ajo shpresonte.

 

HEC Banjë

 

Ju përmendët se sektori detar është interesant për kompanitë. Nëse mund të flisni më konkretisht…

Për momentin në sektorin detar, ne kemi një plan me dy faza. Në fazën e parë, ne kemi nisur tre projekte së bashku me autoritetet shqiptare. Qëllimi i këtyre projekteve është të rriten kapacitetet e autoriteteve që janë përgjegjëse për sektorin e marinës, të krijohet një sistem edukimi në mënyrë që të trajnohen njerëzit me njohuri në sektorin e marinës, si dhe përmirësimi i infrastrukturës së lundrimit dhe komunikimit në det.

Kur të zbatohen këto tre projekte, që ne po i zhvillojmë së bashku me autoritetet shqiptare, gjatë dy viteve të vazhdim, kjo do ta bëjë Shqipërinë më të përgatitur që të mirëpresë kompanitë që të investojnë në sektorin detar.

Për momentin, mundësitë e investimit nuk janë shumë të larta, ka disa të tilla në porte, në marinë. Shpresoj që duke përmirësuar infrastrukturën dhe kapacitetet e navigimit dhe komunikimit, mjedisi i investimit në sektorin detar do të jetë shumë më i mirë dhe më pas, do të jeni në gjendje të tërhiqni kompani jo vetëm nga Norvegjia, por dhe nga shtete të tjera fqinjë.

 

HEC Banje

 

Ju përmendët energjinë si një sektor potencial dhe ne kemi Statkraft që ka investuar në hidrocentrale. A ka biznese të tjera që duan të investojnë?

Ndoshta. Norvegjia po zgjerohet shumë në sektorin e energjisë së rinovueshme, jo vetëm në atë hidro, por edhe në erë dhe atë të diellit. Kam parë që qeveria shqiptare kërkon ta zgjerojë këtë sektor, veçanërisht atë të energjisë së diellit. Ka dhe një zhvillim të shpejtë teknologjik në sistemin e baterive. Për këto ka interes edhe për tregun shqiptar, për të parë mundësi investimi.

Shpresoj që autoritetet shqiptare të bëjnë gjënë e duhur për ta bërë Shqipërinë një nyje energjetike rajonale. Në mënyrë që të arrihet kjo, ata kanë nevojë të nxisin reformat e tregut, të krijohet bursa e energjisë, në mënyrë që të shkëmbehet energjia. Në momentin që bursa e energjisë do të jetë funksionale, kjo do të krijojë incentiva të reja për kompanitë e energjisë që të investojnë më shumë, pasi bursa e energjisë do të garantojë që ata të jenë në gjendje që të shesin produktin, jo vetëm në Shqipëri por edhe në tregun rajonal dhe do t’u japë atyre garanci që duhen për investime të tilla.

Pra nëse autoritetet shqiptare vazhdojnë rrugën dhe zbatojnë mekanizimin e tregut, për të cilin ata po punojnë dhe krijojnë bursën e energjisë, kjo do ta lidhë Shqipërinë me tregun rajonal dhe do ta bëjë tregun e energjisë më funksional këtu. Si rrjedhojë, Shqipëria mund të ketë mundësinë që të kthehet në një nyje rajonale në sektorin e energjisë. Shpresoj të ndodhë kjo, e cila mund të ndodhë realisht.

 

Potenciali i energjisë

Shpresoj që autoritetet shqiptare të bëjnë gjënë e duhur për ta bërë Shqipërinë një nyje energjetike rajonale. Në mënyrë që të arrihet kjo, ata kanë nevojë të nxisin reformat e tregut, të krijohet bursa e energjisë, në mënyrë që të shkëmbehet energjia. Në momentin që bursa e energjisë do të jetë funksionale, kjo do të krijojë incentiva të reja për kompanitë e energjisë që të investojnë më shumë, pasi bursa e energjisë do të garantojë që ata të jenë në gjendje që të shesin produktin, jo vetëm në Shqipëri por edhe në tregun rajonal dhe do t’u japë atyre garanci që duhen për investime të tilla

 

Po për sektorin e tekstileve e këpucëve, ju përmendët se mund të kishte interes?

Jo aq shumë për kompanitë norvegjeze, ndoshta për të tjera. Norvegjia në vetvete nuk shquhet për prodhimin e tekstileve. Norvegjia është veçanërisht e madhe në dy fusha: energji, gjithçka nga energjia hidro, e rinovueshme, naftë e gaz; sektori i teknologjisë së informacionit dhe kërkimit.

Po për teknologjinë e informacionit si e shikoni Shqipërinë. A mund të bëhet si Bullgaria në rajon, apo si një Indi e vogël?

Mendoj se Shqipëria ka një mundësi të madhe që të rritet në sektorin e teknologjisë së informacionit. Ky sektor po globalizohet. E shikoj si të mundur që Shqipëria të ndërtojë një platformë të qëndrueshme për t’u zgjeruar në këtë sektor. Unë e di që ka kompani në shtetet nordike që do të ishin të interesuara të bënin këtë lloj aktiviteti në Shqipëri. Aktualisht një kompani suedeze ka hapur një call center të madh në Durrës, me rreth 300 të punësuar. Me nivelin e ulët të pagave në Shqipëri, të paktën për momentin, ky do të jetë një treg tërheqës.

Por, në të njëjtën kohë, ju duhet të rrisni aftësitë dhe ky është problemi më i madh aktualisht. Ka një mungesë të forcës së punës së trajnuar e edukuar në Shqipëri. Ju duhet të keni forcë pune të kualifikuar, më shumë vende për të edukuar, mundësi trajnimi për stafin. Por potenciali është aty, duke pasur parasysh dhe prioritetin dhe incentivat që i janë dhënë nga qeveria.

Nëse do ta shihni Shqipërinë në rajon, pse duhet të vijnë investitorët e huaj në Shqipëri, çfarë avantazhesh ka vendi?

Duhet të shikoni tek avantazhet krahasuese që keni. Kur jeni një vend me potencialin e dytë hidroenergjetik në Europë, pas Norvegjisë, ky është një avantazh. Po ashtu dhe për energjinë diellore, veçanërisht në jug të Shqipërisë, që është i shkëlqyer për diellin. Ju keni po ashtu dhe bregdetin. Bregdeti në Shqipëri nuk është shumë i zhvilluar, përkundrazi është i nënzhvilluar. Kushdo e kupton që kjo është një mundësi e humbur.

Shqipëria ishte një vend me marinë të zhvilluar para 100 vitesh, por mund të bëhet sërish i tillë. Duhet të filloni të përdorni bregdetin. Ju keni një bregdet që me shpresë, shumë shpejt, do t’ju japë mundësi për investime.
Janë gjeografia dhe burimet natyrore, që përbëjnë interes për shumë vende, veçanërisht Norvegjinë që ka përvojë në marinë dhe burimet natyrore, si minerale, naftë dhe gaz, energji.

 

Bregdeti

Bregdeti në Shqipëri nuk është shumë i zhvilluar, përkundrazi është i nënzhvilluar. Kushdo e kupton që kjo është një mundësi e humbur. Shqipëria ishte një vend me marinë të zhvilluar para 100 vitesh, por mund të bëhet sërish i tillë. Duhet të filloni të përdorni bregdetin

 

Sot Shqipëria ka si avantazh kryesor konkurrues koston e lirë të fuqisë punëtore dhe shfrytëzimin e burimeve natyrore pa vlerë të shtuar. Çfarë duhet të bëjë qeveria për të nxitur zhvillimin e burimeve?

Gjëja më e rëndësishme që duhet të bëni është të përmirësoni situatën me zbatimin e ligjit. Për bizneset është tepër e rëndësishme që procedurat tenderuese të jenë të drejta dhe të lira, që të sigurohet që është oferta më e mirë ajo që fiton kontratën. Kjo është shumë e rëndësishme, përndryshe investimet do të dekurajohen. Duhet t’i bëni investitorët të besojnë se ata mund të mbështeten në kuadrin ligjor tek autoritetet kombëtare, në sistemin e pavarur të gjyqësorit, që i trajton të gjithë në mënyrë të barabartë. Kjo është gjëja më e rëndësishme që duhet të bëni.

 

HEC Moglicë

 

Nëse do të mund të bëni një vlerësim nga 1 në 10, si do ta shihnit nivelin e korrupsionit dhe mjedisin për të bërë biznes në Shqipëri dhe krahasimin me rajonin…

Nuk mund të bëj një vlerësim të tillë. Mund të them, që Shqipëria është ndoshta e krahasueshme me shtetet fqinjë, pak a shumë. Është shumë e dukshme që ka pasur përmirësime, por thjesht nuk është e mjaftueshme në nivelin që është aktualisht.

I takon Shqipërisë që të administrojë vendin e saj dhe të vendosë për politikat. Shqetësimi im është se nëse këto politika kanë prioritet zbatimin e ligjit dhe përmirësimin e mjedisit të biznesit, atëherë shanset për të pasur më shumë investime do të jenë shumë më të larta.

Prej më shumë se 20 vitesh, qeveria po përpiqet t’i rregullojë këto gjëra. Pse mendoni që nuk kanë funksionuar?

Kjo ka të bëjë më shumë me përvojën historike. Shqipëria ka pasur një diktaturë të ashpër për gati 50 vjet. Duhet një kohë e gjatë për të hequr qafe strukturat e vjetra dhe mentalitetin e vjetër. Duhen disa gjenerata. Pra është pak a shumë e pritshme që ju duhet njëfarë kohe. Nuk është i mjaftueshëm vetëm ndryshimi i ligjeve. Duhet të ndryshoni edhe mentalitetin, mënyrën se si bëhen gjërat. Duhet të ndryshojë që në krye dhe po ashtu në fund në të njëjtën kohë, që nga njerëzit e zakonshëm, shoqëria civile, bizneset dhe nga lidershipi politik.

Ky është një ndryshim që duhet të vijë gradualisht, por nuk jam i habitur për situatën që është ende pas kaq vitesh. Ka pasur disa sfida për Shqipërinë në vitet 1990, ndaj mund të themi që transformimi i vërtetë i Shqipërisë ka nisur pas viteve 2000. Pra mund të themi që ka pasur më pak sesa 20 vjet përpjekje reale për t’u reformuar. Dhe do të duhen më shumë se 20 vjet.

Por, ne kemi bukuri natyrore dhe pasuri natyrore, por jemi ende më të varfrit e Europës, sa u përket të ardhurave për frymë…

Duhet kohë. Nuk besoj se Shqipëria po ecën më keq sesa fqinjët. Duhet të mendoni se ku ishte Shqipëria në fillim të viteve ’90, kur u përmbys regjimi komunist. Ju ishit në një situatë shumë të vështirë. Nëse krahasoheni me Serbinë, Maqedoninë, apo Malin e Zi, ato ishin në një pozicion shumë më të fortë në atë kohë. Pra Shqipëria ka shumë punë për të bërë për të kapur ritmin. Është mjaft e natyrshme që kjo të kërkojë kohë.

Por, mendësia duhet të ndryshojë dhe nuk ka ndryshuar ende tërësisht dhe kjo është ajo që e pengon zhvillimin tuaj.
Ka të bëjë me të pasurit durim, por në të njëjtën kohë të mos keni shumë durim, përndryshe gjërat mund të mos bëhen. Për ta përmbledhur mund të them se besoj se situata në Shqipëri do të përmirësohet, por nuk duhet të habisë askënd që gjërat nuk mund të ndryshojnë brenda natës.

Duke qenë se ju jeni dhe ambasador i Norvegjisë në Kosovë, si e shihni bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve? Si e shihni vendimin e Kosovës për vendosjen e taksës ndaj mallrave serbe?

Është një gjë e mirë që Kosova dhe Shqipëria po bashkëpunojnë më shumë. Është e natyrshme që vendet fqinjë bashkëpunojnë dhe ka një potencial të madh në këtë drejtim. Kur vjen puna te taksa që Kosova i ka vendosur Serbisë, mendoj që dialogu është mënyra e vetme për të ecur përpara dhe shpresoj që palët do të arrijnë një marrëveshje sa më shpejt që të jetë e mundur.

Besoj se Kosova duhet të mbetet një shtet i pavarur. Nuk besoj se është një ide e mirë që Kosova dhe Shqipëria të bashkohen, por është një ide e mirë që ato të bashkëpunojnë ngushtë mes tyre.

Së fundmi, një ekip i Innovation Norway, një instrument i rëndësishëm i qeverisë norvegjeze për inovacionin dhe zhvillimin e bizneseve ishte në Tiranë për të parë mundësinë e bashkëpunimit në Shqipëri. Nëse mund të na thoni më shumë informacione?

Ne shohim se mund të ketë nevojë për më shumë incentiva për bizneset shqiptare. Innovation Norway ka ngritur një strukturë në Norvegji për të ndihmuar bizneset në rajon. Ata po e bëjnë këtë prej gati 30 vitesh dhe kanë mësuar shumë gjatë këtyre viteve, çka mund të ketë rëndësi për Shqipërinë.

Ata po shqyrtojnë nëse mund të sjellin përvojën dhe ekspertizën e tyre dhe ta përdorin këtu, në mënyrë që të ndihmojnë kompanitë shqiptare që të rriten, të hapin vende pune dhe të krijojnë biznese. Ata janë tashmë në fazën e shqyrtimit të kësaj mundësie dhe ishin në Shqipëri për dy javë së fundmi. Do të diskutojnë gjetjet në Norvegji dhe më pas do të merret vendimi.

Pra nuk është finalizuar ende. Por, shpresoj si ambasador i Kosovës dhe Shqipërisë se konkluzioni do të jetë që ata të vendosin ekipin e tyre në Shqipëri. Kjo do të jetë pozitive për Shqipërinë dhe për marrëdhëniet mes dy vendeve.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button