Kronika

Aplikim online për kartën e shëndetit

e-Albania

Qytetarët do të njoftohen në postën elektronike për datën kur dokumenti është gati

Nga Ilda Hoxha

Aplikimi për kartën e shëndetit shumë shpejt do të mund të kryhet online, duke shmangur radhët e gjata apo edhe humbjen e kohës për qytetarët. Burime zyrtare nga Fondi i Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor theksojnë se ka nisur puna dhe së shpejti procesi do të kryhet nëpërmjet kompjuterit. Në mënyrë elektronike do të bëhen të gjitha procedurat përfshirë njoftimin për datën dhe kohën kur duhet të bëhet tërheqja e kartës. “Do të dërgohen online dokumentet e nevojshme. Pasi të dërgohen dokumentet, po në mënyrë elektronike do të jepet edhe përgjigjja. Më pas nëse ke ende për të plotësuar dokumente lajmërohet personi, ndërkohë nëse janë të rregullt dokumentet, atëherë caktohet data kur duhet të paraqitesh për të marrë kartën e shëndetit”, bëjnë me dije burime zyrtare nga FSDKSH. Të gjitha këto procedura, pa qenë e nevojshme as të presësh radhën për të aplikuar dhe as për të marrë dokumentin në dorë. Në këtë mënyrë krijohet lehtësi për personat, të cilët duhet të pajisen me kartën e shëndetit. Mësohet se me shërbimin e ri mjafton që të kesh dokumentacionin dhe nuk është e nevojshme që të paraqitesh pranë qendrave shëndetësore, ku shpeshherë duhet të presësh për të bërë aplikimin për kartë dhe më pas të shkosh për ta tërhequr. E gjithë kjo humbje kohe do të marrë fund, sepse mjafton rezervimi dhe aplikimi në mënyrë elektronike për të marrë kartën e shëndetit. “FSDKSH do t’i bashkohet portalit qeveritar e-Albania me shërbimin më të ri dixhital që është dërgimi online i dokumentacionit të nevojshëm për t’u pajisur me kartë shëndeti dhe prenotim online për pajisjen me kartë shëndeti”, theksojnë burime zyrtare në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore. Realizimi dhe zbatimi i këtij projekti do të bëhet realitet në kuadër të projektit të qeverisë e-Albania, pjesë e të cilit do të jetë edhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor me kartën e shëndetit. Veç kohës, shërbimi do të shmangë burokracitë dhe kostot për qytetarët. Deri më tani, mbi 100 mijë shqiptarë janë pajisur me kartën e shëndetit. Karta e shëndetit shpërndahet falas për të gjithë qytetarët. Edhe në rastet kur humbet, individët kanë të drejtë ta rimarrin pa asnjë kosto shtesë. Shërbimi e-Albania, i prezantuar nga Kryeministri Edi Rama pak ditë më parë, do t’u shërbejë qytetarëve si për t’u shkurtuar kohën e pritjes, eliminimin e radhëve apo kursimin e parave, për shërbime të caktuara në fusha si: drejtësi, shëndetësi, arsim, etj. Sipas ministres së Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, portali i shërbimeve online të shtetit shqiptar, e-Albania, do të ofrojë më shumë se 150 shërbime që përfshijnë rreth 30 institucione shtetërore. “Portali i shërbimeve online të shtetit shqiptar është një pjesë qendrore e mozaikut të përpjekjes sonë për modernizim të qeverisjes nëpërmjet teknologjisë. Jam shumë e kënaqur sot të tregojmë që ky zotim po bëhet realitet. Fokusi ynë ka qenë dhe mbetet në këtë fushë: cilësi, cilësi, cilësi, sepse çdo produkt inovativ pranohet gjerësisht nga qytetarët nëse garanton cilësi dhe siguri. Pra thjeshtësia e përdorimit do të krijojë ndryshimin cilësor që ne duam, sepse ende nuk kemi parë asgjë akoma. Në dy vitet që vijnë, jo më pak se 200 shërbime të reja qendrore dhe të pushtetit lokal do të jenë të disponueshme online për qytetarët, duke ju lehtësuar jetën, duke ju shmangur radhën në sportel për të gjithë ata që duan ta evitojnë dhe duke luftuar kështu korrupsionin”, tha Harito. Sipas saj, një qendër e tillë shumëfunksionale do t’u shkurtojë shumë kohë qytetarëve për të aplikuar dhe për të përfituar shërbim, siç është pagesa e faturave të energjisë, marrja e një vërtetimi pensioni, pajisja me hipotekë, denoncimet në polici apo edhe njohja online e diplomave të huaja.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button