Bota

Arabia Saudite, gati të dërgojë trupa tokësore kundër ISIS-it

Arabia Saudite është ofruar për të parën herë të dërgojë trupat tokësore në Siri kundër militantëve të Shtetit Islamik, zotim ky të cilin e shoqëron me kushtin që të ketë mbështetjen e Amerikës.

Një zëdhënës i ushtrisë saudite, gjenerali i brigadës Ahmed Asiri, i tha televizionit Al-Arabija se vendi i tij është i gatshëm të marrë pjesë në çdo operacion në terren që mund të ndërmerret në vendin e munduar nga konflikti i brendshëm 5-vjeçar.

Arabia Saudite, kujtoi ai, është pjesëtare aktive e koalicionit anti-ISIS në Siri që prej vitit 2014 e ka ndërmarrë gati 200 misione nga ajri deri tani. Por fuqia ajrore, e vetme nuk e fiton dot betejën kundër xhihadistëve të dhunshëm të Shtetit Islamik, shtoi ai: “Po të ketë një konsensus nga drejtuesit e koalicionit në Siri, atëherë mbretëria jonë është e gatshme të marrë pjesë në këto përpjekje, sepse jemi të bindur që operacionet nga ajri nuk janë zgjidhja ideale e problemit. Ne mendojmë se një kombinim i bombardimeve me ofensivën tokësore është i domosdoshëm”.

I pyetur gjatë një takimi me gazetarët në Uashington mbi komentet e gjeneralit Asiri, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, John Kirby tha se në parim, Shtetet e Bashkuara e mirëpresin çdo lloj mbështetjeje ushtarake që aleatët janë të gatshëm të ofrojnë në luftën kundër ISIS-it. Por, duke qenë se ende nuk e kemi parë propozimin saudit, shtoi ai, nuk do të doja të jepja mendim pa e shqyrtuar çështjen.

Shqyrtimi për të cilin flet Kirby, me shumë gjasë do të vijë shpejt, pasi Shtetet e Bashkuara po përgatiten të organizojnë në fund të muajit një mbledhje në Bruksel me ministrat e të gjithë vendeve aleate të angazhuara në luftën kundër ISIS-it. Edhe pse e theksoi në mënyrë të vazhdueshme vendosmërinë për mposhtjen e Shtetit Islamik, gjenerali nuk sqaroi sesa trupa është e gatshme të angazhojë saktësisht Mbretëria Saudite për këtë qëllim.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button