Armatosja e Serbisë nga Rusia, eksperti britanik tregon nëse rrezikohet Kosova
Lidhur me këtë çështje në një intervistë për Gazetën Express, ka folur eksperti britanik për çështje që ndërlidhen me sigurinë dhe konfliktet, James Ker-Lindsay. Ai thotë se është e kuptueshme që çdo zhvillim në Serbi të shihet si diçka drejtuar Kosovës, megjithatë thotë se këtë problematikë duhet analizuar në një kontekst më të gjerë.
“Unë mendoj se ka një tendencë të kuptueshme në Kosovë për të parë gjithçka që po ndodh në Serbi, si diçka që i drejtohet Kosovës. Sidoqoftë, për çështjet e mbrojtjes, unë mendoj se është e rëndësishme që të shikohet në një kontekst më të gjerë rajonal”, ka thënë Ker-Lindsay.
Ker-Lindsay i cili karrierën e tij e ka filluar në organizatën më të vjetër në botë që merret me çështje të sigurisë dhe mbrojtjes (Royal United Services Institute-RUSI), thotë se mbase mund të bëhet fjalë që Serbia po blen armatim për t’u përgatitur për ndonjë lloj konflikti me Kosovën, por potencon se një gjë të tillë nuk e sheh si objektiv kryesor të Serbisë.
Sipas tij, e vërteta e transaksioneve serbo-ruse, qëndron te rritja e tensioneve ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë.
“Përkundrazi, historia e vërtetë këtu është se ka një rritje të tensioneve midis Serbisë dhe Kroacisë. Vitet e fundit raportet e tyre bilaterale janë përkeqësuar. Shumë nga ajo që ne po shohim ka të bëjë me një garë të rrezikshme armësh midis këtyre vendeve. Unë e kuptoj plotësisht pse njerëzit në Kosovë ndihen nervoz për shpenzimet serbe për mbrojtje, por është e rëndësishme që të kuptohet konteksti i plotë i kësaj”, shprehet analisti britanik.
Teksa ka folur për shpenzimet e Serbisë, Ker-Lindsay thotë se është e dukshme që investojnë shumë në mbrojtje krahasuar me vendet të tjera të rajonit, megjithatë thotë se Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve për Paqe në Stokholm (SPIRI), në shifrat që ka nxjerrë në vitin 2018, tregon që Serbia ka harxhuar 1.9 % të GDP-së për mbrojtje dhe, sipas tij, një shifër e tillë nuk është shumë e lartë.
“Duhet përmendur fakti që SHBA-ja u ka bërë thirrje shteteve anëtare të NATO-s që të shpenzojnë 2% të GDP-së së tyre në mbrojtje. Pra nuk është problemi se shpenzimet serbe janë shumë të larta, por që vendet tjera të rajonit shpenzojnë shumë pak”, potencon profesori britanik i LSE-së për Express.
Ai thotë se Kroacia, Shqipëria, Mali i Zi e Maqedonia e Veriut shpenzojnë më pak në mbrojtje sesa objektivi që është 2 % e GDP-së.
“Të gjithë shpenzojnë më pak se objektivi 2%. Mali i Zi harxhon 1.5% të GDP-së për mbrojtjen. Shqipëria harxhon 1.3% të GDP-së. Ndërkohë, shifrat e SIPRI tregojnë se Kosova harxhon vetëm 0.8% të GDP-së për mbrojtjen”, tregon Ker-Lindsay.
Megjithatë, ai thotë se nuk do të shohë shpenzime të mëdha të blerjes së armëve në rajon.
Teksa flet për bashkëpunimin ndërmjet Serbisë dhe Rusisë, Ker-Lindsay thotë se sigurisht që një gjë e tillë është shqetësuese për shumë analistë të jashtëm.
“Blerja e armëve nga Rusia është një problem i vërtetë. Sidoqoftë, është gjithashtu e rëndësishme që kjo marrëdhënie të vendoset në kontekst. Serbia ka realizuar shumë më shumë ushtrime të përbashkëta me anëtarët e NATO-s sesa me Rusinë”, potencon ai.
Në fund, eksperti britanik për çështje të sigurisë, James Ker-Lindsay, thotë se nuk duhet të injorohen shqetësimet që njerëzit kanë për blerjen e armëve nga Serbia dhe rolin e Rusisë në këtë çështje.
Sipas tij, blerja e teknologjisë së përparuar të armëve është një zhvillimi i padëshiruar, megjithatë shton se ka edhe arsye esenciale që të mos ekzagjerohet me shqetësime të tilla.
“Kur e analizojmë këtë çështje është e rëndësishme që të kihet parasysh se: ekziston një dinamike në rajon në mes të Serbisë dhe Kroacisë, shpenzimet e mbrojtjes së Serbisë nuk janë aq të larta sa konstatojnë disa dhe që edhe përkundër retorikës dhe raporteve Beograd-Moskë, Serbia në të vërtetë ka bashkëpunim të mirë me NATO-n”, ka përfunduar për Express, profesori britanik i LSE-së dhe eksperti i çështjeve që ndërlidhen me sigurinë dhe mbrojtjen, James Ker-Lindsay.