ARMO, në “lojë” hyn një kompani amerikane nga Teksasi
Burime nga Ministria e Ekonomisë kanë pohuar për Monitor se një kompani amerikane është e interesuar për të blerë sipërmarrjen e përpunimit të naftës ARMO. Ja kujt i ka borxhe ARMO (37 milionë euro në bankat vendase)…
Një kompani amerikane është e interesuar për të blerë kompaninë e përpunimit të naftës ARMO, që zotërohet 85% nga sipwrmarrja private ANIKA MERCURIA REFINERY ASSOCIATED OIL dhe 15% nga shteti shqiptar, përmes Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Lajmi është bërë i ditur për Monitor pikërisht nga burime pranë kësaj ministrie. Monitor ka mësuar se bëhet fjalë për kompaninë nga Teksasi, Henry, e fokusuar në fushën e ndërtimit, sipas faqes së saj zyrtare të internetit. Kompania është e interesuar për bitumin shqiptar, duke qenë se ajo ka interesa ndërtimi në Irak dhe në zgjerimin e kanalit të Suezit. Aktorët e tregut e vlerësojnë një zhvillim pozitiv, nëse kjo kompani do të hynte në tregun shqiptar. ARMO ndërkohë është në një situatë tejet të vështirë. Rafineria e Ballshit është mbyllur dhe vlerësohet se ajo nuk është eficiente, ndryshe nga ajo e Fierit që ka ende leverdi.
Në mes të muajit gusht, punonjësit e ARMO-s protestuan përpara ministrisë, teksa kishin dy muaj pa u paguar, ndërkohë që pohuan se drejtuesit e kompanisë azere Heany Assets Corporation, që ka blerë aksionet e Anica Mercuria në vitin 2013 janë larguar. Pak muaj më parë u fol për një kompani zvicerane, që kishte interes për ARMO, ndërkohë që dhe ajo duket se është tërhequr. Problemi më i madh i ARMO janë borxhet e mëdha që ajo ka. Sipas një raporti të institucioneve shtetërore, në qershor të këtij viti, ARMO kishte aktualisht 207 milionë USD kredi për të shlyer në banka dhe 53 milionë USD në tatime.
Një zgjidhje e përkohshme vitin e fundit u gjet në dhënien e aktivitetit me franshise tek Deveron Advisor Corp që zotëron shoqërinë Oil Albania dhe TPD (Trading Petrol Drilling), që ka me qira rafinerinë e Fierit. Këto kompani, në gjashtë muajt e parë të këtij viti kishin aktivitet intensiv duke përpunuar naftën e vendit, të blerë nga Albpetrol dhe Bankers, çka rriti dukshëm peshën e naftës vendase dhe ndikoi në uljen e importeve të karburanteve.
Por, burime nga Ministria e Ekonomisë saktësojnë se që nga qershori nuk ka pasur më prodhim të naftës vendase. Kjo është reflektuar dhe në rritjen e importeve të karburanteve, të cilat në gusht arritën në 54 mijë ton, sipas të dhënave zyrtare nga Doganat, nga nën 30 mijë ton në muaj që ishin për periudhën janar-mars (përkatësisht 18.6, 27.3 dhe 27.5 mijë ton).
Si ndahet mali me borxhe i ARMO, 37 milionë euro ndaj bankave shqiptare
Sipas bilancit të vitit 2013 (bilanci i 2014-s nuk është dorëzuar ende në QKR), pjesa më e madhe e borxhit të ARMO është ndaj bankës FBME dhe palëve të treta, në total rreth 140 milionë euro. Ndaj bankave në Shqipëri, ARMO ka kredi prej rreth 37 milionë euro, pjesa më e madhe e të cilave ndaj Raiffeisen dhe Credins, përkatësisht rreth 20 dhe 15.6 milionë euro, gjithnjë sipas të dhënave të bilancit 2013. Shuma që ARMO i ka borxh bankave në Shqipëri është sa 6% e totalit të huasë së keqe që 35 kreditorët më të mëdhenj të këqinj kanë ndaj sistemit bankar. (janë 35 kompani që kanë rreth 60% të totalit të huasë së keqe në vend, me shumën që ata u kanë borxh bankave, që arrin në rreth 600 milionë euro)