Politika

Austria, avokate e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit në BE

Austria vazhdon të mbështesë Shqipërinë, jo vetëm në përpjekjet për të ndërtuar një vend demokratik, të qëndrueshëm dhe modern, por është gjithashtu një avokate e rëndësishme në rrugën e pakthyeshme drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ishte i pranishëm në kryeqytetin austriak ku është zhvilluar koncerti “Vjena përshëndet Tiranën” kushtuar 105-vjetorit të shtetit shqiptar.

Meta u shpreh mjaft i kënaqur që gjendej mes shqiptarëve dhe austriakëve, midis figurave dhe personaliteteve të shquara të politikës, artit, kulturës dhe shkencës, mes miqsh të bashkuar nën moton “Arti është politika më e mirë që bashkon kombet”.

Meta theksoi se, “arti është një element thelbësor i jetës politike dhe shoqërore në demokraci dhe mjediset kulturore paraqesin hapësira ku kontaktet ndërkombëtare dhe shkëmbimet midis tyre kthehen në pasuri të përbashkëta dhe kontribuojnë veçanërisht në drejtim të forcimit të miqësisë ndërmjet popujve”.

“Meta nënvizoi se, “Shqipëria është shumë me fat që historikisht ka pasur mbështetjen e një miku të besueshëm dhe një aleati të fortë siç është Austria. Shqiptarët do të jenë përgjithmonë shumë mirënjohës për mbështetjen e palëkundur të ofruar nga Austria për themelimin e shtetit të pavarur shqiptar, gjatë viteve më të vështira të ekzistencës së kombit shqiptar, kundër kërcënimeve të fqinjëve dhe synimeve të tyre për zgjerimin territorial në dëm të Shqipërisë.

“Babi i kombit, Ismail Qemali vendosi të shpallë pavarësinë e Shqipërisë vetëm pasi kishte siguruar mbështetjen diplomatike për Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët gjatë takimeve të tij në Vjenë dhe Budapest”, tha Meta.

“Marrëdhëniet tona të shkëlqyera janë forcuar dhe pasuruar historikisht, jo vetëm nga kontributet dhe trashëgimia e politikanëve dhe diplomatëve. Albanologët, gjuhëtarët, shkencëtarët dhe intelektualët nga Austria dhe Shqipëria janë gjithashtu një pjesë e rëndësishme e kësaj trashëgimie të çmuar. Johann Georg von Hahn, Gustav Meyer, Prof. Herman Ölberg, Profesorët Aleks Buda, Eqrem Çabej, Skënder Luarasi dhe Lasgush Poradeci, si edhe artisti i jashtëzakonshëm i skenës teatrale të Vjenës, Aleksandër Moisiu, u shndërruan në një frymëzim për artistët shqiptarë dhe austriakë”, tha kreu i Shtetit.

“Ndihem krenar që ndodhem këtu sonte si dëshmitar i një epoke të re, ku artistët e talentuar shqiptarë performojnë me dinjitet në skenat dhe teatrot e Austrisë dhe të Evropës. Ata janë prova e pakundërshtueshme e marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy popujve dhe vendeve tona. Ata janë të përzgjedhurit e popullit tonë të lashtë dhe përfaqësuesit e traditës, kulturës dhe trashëgimisë sonë, dhe në të njëjtën kohë pasardhësit e brezave të artistëve dhe intelektualëve shqiptarë ndër vite. Inva Mula, Genc Tukiçi, Eno Peçi, Etleva Shemai, Olen Çezari dhe Gëzim Myshketa, së bashku me Volkhard Steude e Maria Yakovleva, si edhe organizatorët e kësaj mbrëmjeje kaq të bukur, gëzojnë jo vetëm vlerësimin tim, por edhe respektin dhe nderimin më të madh që na bënë bashkë të gjithëve në këtë skenë të mrekullueshme në zemër të Vjenës, kryeqytetit të artit dhe muzikës, për të festuar 105-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë”, tha Meta.

Meta shprehu një falënderim të veçantë për Presidentin Fischer, “për gjithçka që ai ka bërë për marrëdhëniet shqiptaro-austriake përgjatë të gjithë aktivitetit të tij të mrekullueshëm politik ndërkombëtar dhe akoma më shumë si Presidenti i Republikës së Austrisë”. /ATSH/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button