Kronika

Balla: Kush pengon zgjedhësit të votojnë dënim deri në 5 vjet burg

Kryetari i Grupit Parlamentar socialist Taulant Balla nga Elbasani dha mesazhe të qarta për situatën politike në të cilën ndodhet vendi.

“Është shumë e rëndësishme që në këtë fushatë të jemi shumë herë më shumë të angazhuar se në çdo fushatë tjetër sepse kundërshtari ynë në këtë fushatë është një grupim politikanësh të korruptuar të cilët nuk duan që populli të shprehet me votë në zgjedhje. Në Shqipëri ka marrë fund, një herë e përgjithmonë, historia se mund të marrësh pushtet në tavolinë, apo mund të marrësh pushtet me forcë. Lulzim Basha e di fare mirë këtë, padroni i vet politik, Sali Berisha e di fare mirë këtë. Kjo është një fushatë që duhet fituar për Shqipërinë, që duhet fituar për shtetit me rregulla, për shtetin me institucione.

Po ua them shumë qartë, beteja jonë për të zhvilluar një proces normal zgjedhor brenda afatit kushtetues, 30 Qershor, është një betejë që ne do ta fitojmë. Do ta fitojmë, sepse vetëm keshtu mund të bindet çdo banor i Shqipërisë që rregullat zbatohen njësoj. Të gjithë jemi këtu për një ditë të vetme, 30 Qershorin, dhe harrojeni që mund të dalë dikush të pengojë, qoftë edhe një zgjedhës të vetëm në 30 Qershor.

I kemi shkruar bashkë me PD nenet e kodit penal. Neni 325 e thotë shumë qartë, kush pengon një subjekt zgjedhor të zhvillojë fushatë, dënohet.

Neni 330, e drejta e zgjedhjes, kush pengon një zgjedhës të vetëm të shkojë të votojë dënohet nga 2 deri në 5 vjet burg, kur kryhet në bashkëpunim.”

Balla u shpreh i bindur se jo vetëm PS do të fitojë zgjedhjet vendore, por edhe mandatin e tretë për të qeverisur vendin në vitin 2021.

“Edi Rama, jo vetëm është në krye të një qeverie legjitime, por siç do të vazhdojmë të drejtojmë Bashkinë Elbasan me Gledin, edhe në vitin 2021 me Edi Ramën do të fitojmë mandatin e tretë të PS”.

Drejtuesi politik i qarkut të Elbasanit së bashku me kandidatin për Bashkinë e Elbasanit Gledian Llatja, deputetë e kryetarin e bashkisë Qazim Sejdinin u ndalën në njësin nr.1 në një takim me qytetarët e kësaj zone.

Kandidati Gledian Llatja po ashtu vuri në dukje rëndësinë e zgjedhjeve duke premtuar se në krye të Bashkisë së Elbasanit do të vijojë më tej zhvillimin jo vetëm të qytetit, por edhe të fshatrave.

“Në 30 Qershor ne do të bëjmë zgjedhje, do të lidhim kontratën me njëri tjetrin. 30 Qershori është shumë i rëndësishëm, jo vetëm për mua si kandidat, apo për Këshillin Bashkiak, por për të gjithë Shqipërinë, për t’i treguar të gjithëve se PS është ajo që bën zgjedhje model dhe ka forcën mbështetëse më të madhe në popull.”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button