Ekonomia

Bankave “u mbetet valuta në derë”; euro, dollari, paundi sërish në pikiatë

Grabitja e Rinasit po vijon të japë efekte në zhvlerësimin e valutave. Pasi mori veten për disa ditë, euro dhe monedhat e tjera kryesore i janë rikthyer rënies. Një euro u këmbye sot me 123.66 lekë, me një rënie prej 0.17 lekësh në krahasim me fundin e javës së kaluar. Dollari ra me 0.14 lekë, ndërsa më e fortë ishe rënia e paundit britanik dhe frangës zvicerane, përkatësisht me 0.39 dhe 0.78 lekë.

Ekspertët e këmbimit valutor shprehen se valutat po bien për shkak të bllokimit të transferimit të valutës nga bankat tregtare jashtë vendit. Kompania ajrore Austrian Airlines e ndërpreu shërbimin e transportimit të parave të bankave nga Shqipëria drejt Austrisë në datën 10 prill, një ditë pas vjedhjes në barkun e avionit të një shume prej rreth 6.5 milionë eurosh, pasi grabitësit arritën të çanin me lehtësi perimetrin e aeroportit të vetëm ndërkombëtar në vend.

Si rrjedhojë, pohojnë aktorët e tregut valutor, bankat nuk po tërheqin valutë nga tregu dhe kjo ka krijuar një tepricë të valutës në treg. Sa të zgjidhet ky ngërç në treg do të reflektohet një lloj amullie.

Gjithashtu, ekspertët argumentojnë se për shkak se kjo fundjavë përkoi edhe me pushimet e pashkëve katolike nuk është ndjerë shumë rënia e euros dhe se po fillon të ndihet në treg një forcim i lehtë të valutës.

Problemi me sigurimin në udhëtim

Transferimi i parave jashtë vendit është një procedurë normale e bankave, të cilat një pjesë të parave të lira nga depozituesit (euro, dollarë, paund etj.), i vendosin në institucionet financiare jashtë vendit, si formë alternative e investimit dhe për këmbime cash valutore. Ky transferim kryhet fizikisht dhe kjo është një marrëdhënie që bankat e zgjidhin me shoqëritë private të sigurisë fizike.

Raiffeisen International që është korrepondentja me të cilën punojnë bankat në Shqipëri, mësohet se u ka çuar bankave së fundmi një amendim kontrate, ku i njofton se do të rishikojë kushtet e sigurimit të transportit të parave në udhëtim, çka ka bërë që ende të mos zgjidhet çështja e transportit, ndonëse Austrian Airlines ka deklaruar se po rishikon mundësinë e rifillimit të transportit të parave nga Rinasi drejt Vjenës. Zëdhënësja e Austrian Airlines Tanja Gruber tha në një komunikim telefonik për “Monitor” se po rishikohen masat e sigurisë dhe nëse gjithçka do të jetë e sigurt, atëherë do të rifillojë shërbimi i transportit cash të parave.

Avni Ponari, CEO i Sigal, kompanisë më të madhe të sigurimit në vend pohoi për Monitor se “sigurimi i cash në tranzit është një produkt i cili është i mbuluar nga tregu i sigurimeve kombëtar dhe ndërkombëtar”.  Megjithatë, ai shtoi se kjo situatë do rrisë primin e sigurimit dhe nga ana tjetër nuk është më e lehtë për të gjetur risigurues.

Kërkesa për euro mbetet e dobët

Krahas problemit të krijuar me transportin e parave, që ka bërë që të rritet volumi i valutave, pasi bankat nuk janë më të prirura ta mbledhin atë, sidomos frangën dhe paundin (të cilat po njohin dhe rënien më të madhe) edhe kërkesa për monedha të huaja mbetet e dobët. Aktorët e tregut pohojnë se qarkullimi i parasë mbetet i dobët, i ndikuar dhe nga situata e paqartë politike.

Nëse kjo situatë vijon, tendenca e tregut mund të jetë për një dobësim të mëtejshëm të valutave.

Në muajt e parë të këtij viti, euro ka qenë përgjithësisht e dobët, duke u luhatur mes 123 dhe 124 lekëve, me përjashtim të dy momenteve të shkurtra kur ajo ka kërcyer mbi 125 lekë në janar dhe në fund të shkurtit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button