Politika

Basha nga Brukseli: Mbështetje e madhe nga PPE në betejën për demokracinë, për Shqipërinë dhe për shqiptarët

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, po merr pjesë në Asamblenë politike të PPE, Partia Popullore Europiane, partia më e madhe europiane dhe me grupin më të madh parlamentar në PE në Bruksel, ku ka pasur edhe një fjalë në sesionin e mbyllur të kësaj asambleje.

Gjatë qëndrimit në Bruksel, kreu i opozitës Basha, pati një intervistë të shkurtër për median shqiptare në kryeqytetin europian.

I pyetur mbi fokusin e takimit në Bruksel, Basha tha se “falënderova Partinë Popullore Europiane dhe të gjithë partitë simotra për mbështetjen shumë të madhe që na dhanë para dhe gjatë fushtës zgjedhore. Sigurisht që ndamë shqetësimin e madh për masakrën zgjedhore, për atë që ODIHR-i tashmë e ka përcaktuar në raportin paraprak si dy problemet kryesore: blerjen masive të votave dhe shkrirjen në një të shtetit dhe partisë, si dhe nevojën për të hartuar së bashku një platformë për të kthyer legjitimitetin dhe demokracinë”.

“Ne kemi pasur një mbështetje të jashtëzakonshme nga Partia Popullore Europiane në çdo nivel, në nivelin politik por dhe në nivelin e përfaqësuesve të tyre në institucionet europiane. Nga Komisioni Europian, në Parlamentin Europian, në Këshillin Europian dhe do të vazhdojmë të kemi një marrëdhënie jashtëzakonisht të ngushtë dhe një mbështetje të madhe nga Partia Popullore Europiane në këtë betejë, sepse kjo betejë nuk po bëhet thjesht për Partinë Demokratike, por po bëhet për demokracinë, po bëhet për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Vlerat e kësaj partie, investimi i kësaj partie dhe i shteteve anëtare tek demokracia shqiptare në këto 30 vite do ta mundësojnë që së bashku të kapërcejmë edhe këtë sfidë të jashtëzakonshme përpara të cilës na vunë zhvillimet e masakrës së 25 prillit”, – u shpreh Basha.

Lidhur me impaktin që do ketë raporti i OSBE/ODIHR-it, dhe raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës mbi zgjedhjet në Shqipëri, në integrimin europian të Shqipërisë, Basha theksoi se “zgjedhjet janë një nga kriteret më të rëndësishme për rrugëtimin europian të çdo vendi”.

“Ato, – vijoi ai, – kanë të bëjnë drejtpërdrejt me demokracinë, ndërkohë që 25 prilli nuk kishte lidhje me demokracinë. Kjo është një sfidë e jashtëzakonshme për ne, për Partinë Demokratike, sepse nga njëra anë ne e dimë fare mirë se ndryshimi në Shqipëri mund dhe do të vije vetëm përmes procesit të integrimit europian të vendit”.

“Nga ana tjetër, procesi i integrimit europian të vendit nuk mund të ecë përpara me një vend ku qeveria në vend që të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme është kapur për herë të dytë në flagrancë duke manipuluar në mënyrë masive dhe sistematike zgjedhjet, që nga vjedhja e të dhënave personale të shtetasve, tek keqpërdorimi i administratës, tek intimidimi dhe shantazhimi i punonjësve publikë dhe i zgjedhësve dhe ç‘është më e keqja, tek vazhdimi i aleancës me krimin. Këto janë edhe prioritetet që kam diskutuar me partnerët dhe aleatët tanë, ku padiskutim ndarja e politikës me krimin mbetet një imperativ për Shqipërinë për të ecur përpara”, – deklaroi kryedemokrati.

Basha deklaroi se, “dialogu politik është mjet nuk është qëllim në vetvete. Qëllimi ynë është të çlirojmë Shqipërinë dhe shqiptarët nga një bandë plaçkitësish që e kanë marrë peng demokracinë e vendit. Dhe në funksion të kësaj ne do të bëjmë gjithçka brenda dhe jashtë parlamentit, brenda dhe jashtë vendit në mënyrë që Shqipërisë një orë e më parë t’i kthehen kushtet dhe mundësitë për një demokraci funksionale nga e cila varet pastaj gjithçka: rendi dhe siguria, zhvillimi ekonomik, punësimi dhe dhënia fund e hemorragjisë së emigracionit të të rinjve”.

Basha u shpreh se, “burokracia europiane ka një mënyrë të shprehuri, e cila racionalizon vendimet politike të Këshillit Europian, ndërsa për Shqipërinë dhe shqiptarët gjërat janë të qarta, pa demokraci nuk ka Europë, nuk ka rrugë të shkurtër drejt Europës, siç nuk kishte rrugë të shkurtër drejt NATO-s, apo drejt heqjes së vizave, ndaj pavarësisht prej zbukurimeve apo propagandës, sado e fuqishme të jetë, e vërteta është e thjeshtë dhe e qartë”.

“Shqipëria, – theksoi kryedemokrati, – do të ecë përpara atëherë kur demokracia të funksionojë, ku shteti i së drejtës të funksionojë dhe pa diskutim që 25 prilli jo vetëm nuk ka zgjidhur gjë, po ka shtuar problemet në këtë drejtim. Ndaj unë, Partia Demokratike, opozita kemi një detyrë akoma më të madhe karshi shqiptarëve e Shqipërisë, e në veçanti dëshirës së tyre, dëshirës sonë të përbashkët për ta bërë Shqipërinë anëtare të bashkimit europian, për të zgjidhur problemin më të madh që Shqipëria sot ka, problemin e konfirmuar më 25 prill që është rënia e demokracisë”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button