Politika

Basha pas takimit me sekretarin e OSBE: Miratimi i reformës dhe zgjedhje të parakohshme. Dialog jashtë parlamentit

Kryedemokrati Lulzim Basha ka folur për mediat pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm i OSBE-së, Thomas Greminger duke zbardhur një pjesë të bisedës dhe asaj çfarë kërkon opozita për reformën zgjedhore dhe zgjidhjen e krizës mes palëve. Basha tha se rruga e opozitës është e qartë duke përmendur kushtet e Bundestagut dhe kërkuar miratimin e një reforme zgjedhore që garanton lirinë e votës dhe menjëherë zgjedhje të parakohshme.

“Siç mund ta imagjinoni, me sekretarin e përgjithshëm të OSBE, tema kryesore ka qenë tema e zgjedhjeve. Opozita është e vendosur të japë kontributin e saj për një reformë të vërtetë zgjedhore që të garantojë lirinë e votës. Për këtë nevojitet vullnet politik për të miratuar këtë reformë dhe më e rëndësishmja vullnet politik për të zbatuar këtë reformë. Kjo është arsyeja pse opozita, PD, aleatët tanë kanë vënë në dispozion të kësaj reforme shumë të rëndësishme për qytetarët gjithë ekspertizën tonë që mund të them që është ekspertiza më e mirë në vend por nga ana tjetër duhet vullnet politik, i cili deri më sot mungon nga pala tjetër që është edhe pala e kapur në shkatërrimin e tre palë zgjedhjeve siç tregojnë raportet e OSBE-ODIHR. Prandaj me sekretarin e Përgjithshëm të OSBE kemi diskutuar për ndihmën që OSBE mund të japë në këtë drejtim, në veçanti në tre fusha kryesore, në rolin që ka OSBE për t’i kujtuar vendeve anëtare për standardet dhe kushtet që duhet të përmbushin sa i përket demokracisë dhe shtetit ligjor; së dyti në ofrimin e ekspertizës të ekspertëve të OSBE-së për të ndihmuar në këtë proces dhe së treti në rolin që OSBE mund të luajë për të ndihmuar në dialogun politik kaq shumë të nevojshëm dhe të kërkuar dhe nga BE dhe nga Gjermania për t’i dhënë fund krizës politike në vend.

Për opozitën rruga është e qartë, është e njëjta rrugë që përshkruhet dhe nga kushtet e Bundestagut, miratimi i reformës dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhjet kushtetuese vendore ku vota e shqiptarëve është e garantuar dhe vullneti i shqiptarëve nuk tjetërsohet nga grupet kriminale dhe nga një qeveri e paaftë dhe pa vullnet për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme siç është qeveria dhe kryeministri aktual”, deklaroi Basha.

I pyetur nëse PD do pranonte që OSBE të jetë ndërmjetëse që opozita të ulet në një tryezë për reformën zgjedhore me maxhorancën, Basha përmendi tre pika dhe tha se produkti duhet të jetë një reformë zgjedhore e vërtetë dhe vullneti politik për ta zbatuar këtë reformë përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe zgjedhjeve lokale në një ditë sipas përcaktimeve kushtetuese dhe reformës zgjedhore.

“Jo nuk është kjo ajo që po them. Po them që OSBE-ja vetë ofron këto 3 mundësi. Së pari, t’i kujtojë Shqipërisë si çdo vendit anëtar detyrimet që ka për zgjedhje të lira e të ndershme dhe këtë e ka bërë me raportin e ODIHR, së dyti të ofrojë ekspertizë dhe këtë e ka bërë dhe shpresoj që do vazhdojë ta bëjë dhe së treti që të ndihmojë sa i përket rolit të OSBE, nuk është vetëm OSBE-ja këtu janë dhe aktorë të tjerë ndërkombëtar, në një dialog të vërtetë që të ketë një produkt. Për ne produkti duhet të jetë një reformë zgjedhore e vërtetë dhe vullneti politik për ta zbatuar këtë reformë përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe zgjedhjeve lokale në një ditë sipas përcaktimeve kushtetuese dhe reformës zgjedhore”, theksoi kreu i PD.

Sa i përket draftit të maxhorancës sipas të cilit 6 muajve para zgjedhjeve qeveria kthehet në një qeveri teknike, pothuajse de fakto, Basha tha se do të shyrtohet.

“Të botohet dhe ta diskutojmë me transparencë dhe një mendim i tillë të shqyrtohet. Është një propozim i yni, ju e dini fare mirë që është një nga propozimet tona që jo vetëm kësaj radhe që është e domosdoshme. Nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme me këtë kryeministër dhe këtë qeveri që u kapën duke vjedhur dhe veten e tyre më 30 qershor por deri sa vendi të bëhet anëtar i BE-së të kemi një dispozitë të tillë tranzitore që garanton një qeveri kujdestare të zgjedhjeve dhe një proces të pakontestueshëm zgjedhor. Pra, që zhduk njëherë e përgjithmonë këtë dramën e përsëritur të zgjedhjeve shqiptare dhe të kemi dhe ne të paktën zgjedhje me standarde të Kosovës”, u shpreh Basha.

Lideri i opozitës tha se dialogu duhet të jetë jashtë dyerve të parlamentit.

“Dialog brenda dyerve të pseudoparlamentit nuk mund të ketë sepse është monolog. Kështu që normalisht dialogu do të zhvillohet jashtë dyerve të pseudoparlamentit deri sa të kemi një parlament që është produkt i votës së qytetarëve dhe jo i përfshirjes së bandave kriminale”, deklaroi ai.

Pyetjes se kush do e ndërmjetësojë dialogun, teksa një ditë më parë kanë nisur diskutimet, propozime konkrete për reformën zgjedhore dhe Gjiknuri tha që jemi dakord që të jetë OSBE shkesi që të vijnë propozimet e PD dhe nëse do e pranonte këtë gjë, Basha iu përgjijg: “Këto janë budallallëqe për t’iu hedhur hi sy njerëzve dhe ta fusin këtë diskutim në qorrsokak. Këto punë nuk bëhen me shkes as në Afrikë jo më në Europë. Duhet ashtu siç bëhet dialogu politik, siç janë zgjidhur krizat politike edhe në Shqipëri dhe në vendet fqinje. Janë heqje përgjegjësie. Ajo që shikojmë është që kjo qeveri, ky kryeministër, zëdhënësit e kësaj qeverie nuk mbajnë përgjegjësi. Nuk mbajnë përgjegjësi për dështimet, siç ishte dështimi me BE, për dështimin për t’iu dhënë shqiptarëve një mundësi për të zgjedhur pushtetin vendor, nuk mbajnë përgjegjësi për dështimin në ekonomi”.

“Rruga për ta zgjidhur këtë është e qartë, është rruga për t’iu kthyer shqiptarëve atë që iu është marrë për të zgjedhur me votë të lirë qeverinë që duan dhe për ta shkarkuar kurdo që dëshirojnë. Nuk ka komision të reformës zgjedhore, ka një komisariat të PS në parlamentin ilegjitim të dalë nga zgjedhjet e Avdylajt. T’i japim fund kësaj shfaqjeje. Gjithë shqiptarët mezi presin t’i japin fund kësaj shfaqjeje, kësaj status quo-je edhe socialistët nuk e duan këtë gjendje. I vetmi që dëshiron të vazhdojë është ai që do të ruajë pushtetin. Ndryshimi është i domosdoshëm dhe i pandalshëm”, theksoi kreu i PD.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button