BB: Shqipëria me rritje të fortë ekonomike
Në Shqipëri rritja ekonomike arriti 4,2% në vitin 2018 e nxitur nga rritja e prodhimit të energjisë elektrike falë kushteve hidrologjike shumë të favorshme, e mbështetur gjithashtu edhe nga një rritje e turizmit dhe konsumit familjar si dhe nga rritja e punësimit dhe pagave, raporton Banka Botërore në raportin e saj të periudhës së pranverës 2019 për ekonominë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Rritja e lartë e konsumit dhe punësimit ka mbështetur rritjen ekonomike”, thekson BB-ja.
Nga ana tjetër Banka Botërore thekson se “eksportet neto kontribuuan në një rritje prej 1,3% të PBB-së së Shqipërisë, falë rritjes së eksportit të energjisë elektrike të prodhuar nga centralet hidrike dhe një sezon i mirë turistik”.
Sipas institucionit ndërkombëtar më të rëndësishëm financiar me qendër në Uashington, “në vitin 2018 rritja ekonomike, kushtet fiskale, dhe menaxhimi aktiv i borxhit ulën borxhin publik në Shqipëri”.
“Mes vitit 2017 dhe 2018, politikat e forta fiskale ndihmuan në reduktimin e mëtejshëm të borxhit publik në raport me PBB-në nga 71,8% në 68,6%”, thekson BB-ja.