Bukë, cirk e gaz lotsjellës

Njerëzve u kanë vrarë sytë të mirat, prandaj nuk kanë rëndësi mrekullitë që kemi bërë, por empatia e servirjes.
Ky është thelbi i asaj që tha Rama dje para të vetëve.
Termi “empati” është një zëvendësues i keq, por legjitim, për “propagandë”.
Rilindja po riformulon filozofinë e vet të përhershme: kozmetikën si zëvendësuese të realitetit.
E vetmja mundësi që kishte Rama për të zbutur pakënaqësinë do të kishte qenë pranimi, sado sipërfaqësor, i fakteve.
Por bëri të kundërtën: “Faktet janë me ne”.
Me këtë u dha të kuptojë protestuesve dhe mbështetësve se qeverisja nuk pranon asnjë problem, por problemi është marketimi dhe oreksi i tepruar.
A i bën punë? Nuk besoj.
Ulu pesë minuta me socialistin e zakonshëm dhe sheh pakënaqësinë dhe distancimin ndaj Ramës. I vetmi përparim është kalimi nga “me Saliun ishte më keq” te “njerëzit nuk ngopen”.
Nuk besoj se ka nevojë ta bindësh Ramën se pikërisht faktet i ka kundër.
Ajo pakicë klientësh e trafikantësh që ka privatizuar vendin dhe e përdor si lavatriçe parash droge kalon tek ai përmes ergysagasëve, jo përmes burokratit anonim joempatik.
Pasoja kryesore e këtij qëndrimi të detyruar prej hallit është se qeveria do të fokusohet edhe më shumë te propaganda dhe hordhitë e pamotivuara të profileve false.
Madje, në “terren”, disa veprime tregojnë se qeveria po përshpejton shitjen e pronës publike te klientët e vet para se dikush ta ndalojë. Empati atje ku duhet.
Pra, prisni më shumë presion, më shumë gaz lotsjellës me veti shpjeguese, më shumë profile false.
Kjo është një spirale rënëse.
Propaganda qeveritare po rrokulliset si një grumbull teneqesh të zhurmshme tatëpjetë.
Sa më shumë zgjat rrokullisja, aq më acaruese bëhet.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.