Kosova

Buxheti i Shtetit, nesër në seancën plenare të Kuvendit

Shqyrtimi në parim i projektligjit për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015, është pika e vetme e seancës së nesërme plenare të Kuvendit të Kosovës, dy javë pas konstituimit.
Kosove-Kuvendi-fotoATSH-BehlulJashari11Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet të hënën në seancë plenare, për të shqyrtuar në parim projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015. Të hënën tjetër, në 29 dhjetor, do të bëhet shqyrtimi i dytë i këtij projektligji.
Në mbledhjen e së premtes të Komisionit për Buxhet dhe Financa, një nga 14 komisionet parlamentare të Kuvendit të Kosovës, projektligji për Buxhetin, i riproceduar nga qeveria e re, u shqyrtua në parim dhe u rekomandua për miratim në parim në seancën plenare.
Me synim që projektligji të miratohet brenda vitit, komisioni njëzëri vendosi që shqyrtimi i tij të bëhet me procedurë të përshpejtuar.
Projektbuxheti i propozuar në Kuvend është i njëjti me atë që është miratuar në 31 tetor nga qeveria e kaluar. Bazuar në vlerësimet makrofiskale, për vitin 2015 janë paraparë 1 miliard e 576 milionë euro të ardhura, pjesa më e madhe e të cilave do të vijnë nga doganat. Kufiri i shpenzimeve është 1 miliard e 682 milionë euro, me rritje prej 67 milionë euro vetëm për paga, e cila reflekton rritjen që ka ndodhur në vitin 2014.
Në 15 dhjetor, projektligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015 ishte në axhendën e mbledhjes së qeverisë së re kosovare, një javë pas zgjedhjes, dhe u vendos që t’i propozohet Kuvendit për shqyrtim e miratim. Projektligji për Buxhetin ishte përgatitur dhe ishte miratuar nga qeveria e kaluar në kohën kur Kuvendi ishte i pakonstituuar dhe jofunksional dhe nuk mund të procedohej në parlament.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button