☀️
Tiranë 27°C · Kthjellët 28 July 2026
S&P 500 7,438 ▲0.33%
DOW 52,794 ▲1.12%
NASDAQ 24,918 ▼0.05%
NAFTA 78.94 ▼4.44%
ARI 4,023 ▼1.33%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1379 EUR/GBP 0.8552 EUR/CHF 0.9310 EUR/ALL 93.7934 EUR/MKD 61.4942 EUR/RSD 117.4532 EUR/TRY 53.8741 EUR/JPY 186.27 EUR/CAD 1.6057 EUR/USD 1.1379 EUR/GBP 0.8552 EUR/CHF 0.9310 EUR/ALL 93.7934 EUR/MKD 61.4942 EUR/RSD 117.4532 EUR/TRY 53.8741 EUR/JPY 186.27 EUR/CAD 1.6057
₿ CRYPTO
BTC $63,838 ▼ -1.87% ETH $1,920 ▼ -1.75% XRP $1.0610 ▼ -3.11% SOL $74.2300 ▼ -2.24%
S&P 500 7,438 ▲0.33 % DOW 52,794 ▲1.12 % NASDAQ 24,918 ▼0.05 % NAFTA 78.94 ▼4.44 % ARI 4,023 ▼1.33 % S&P 500 7,438 ▲0.33 % DOW 52,794 ▲1.12 % NASDAQ 24,918 ▼0.05 % NAFTA 78.94 ▼4.44 % ARI 4,023 ▼1.33 %
EUR/USD 1.1379 EUR/GBP 0.8552 EUR/CHF 0.9310 EUR/ALL 93.7934 EUR/MKD 61.4942 EUR/RSD 117.4532 EUR/TRY 53.8741 EUR/JPY 186.27 EUR/CAD 1.6057 EUR/USD 1.1379 EUR/GBP 0.8552 EUR/CHF 0.9310 EUR/ALL 93.7934 EUR/MKD 61.4942 EUR/RSD 117.4532 EUR/TRY 53.8741 EUR/JPY 186.27 EUR/CAD 1.6057
28 Jul 2026
Breaking
Opinion

Çarjet që shembin sistemet: Pse ndryshimi demokratik duket i padukshëm derisa bëhet i pashmangshëm

Çarjet që shembin sistemet: Pse ndryshimi demokratik duket i

Reagimet ndaj protestave të javëve të fundit kanë nxjerrë sërish në pah një prirje të vjetër të shoqërisë shqiptare për ta matur çdo zhvillim politik vetëm me shpejtësinë e rezultateve.

Nëse një protestë nuk sjell menjëherë ndryshim, shpallet e dështuar. Nëse pushteti nuk lëkundet menjëherë, krijohet përshtypja se asgjë nuk ka ndryshuar.

Por fakti është se sistemet e konsoliduara nuk rrëzohen zakonisht nga një ngjarje e vetme. Të ndërtuara për vite, madje dekada, këto sisteme zhvillojnë mekanizma që u mundësojnë të përballojnë kriza, protesta dhe goditje të izoluara.

Pikërisht për këtë arsye, ndryshimi demokratik është pothuajse gjithmonë një proces grumbullimi, jo një akt i vetëm.

Kjo është arsyeja pse shoqëritë që presin shembjen spektakolare të një regjimi pothuajse gjithmonë zhgënjehen.

Ndryshimi demokratik rrallë duket dramatik në momentin kur ndodh. Madje ngelet zakonisht i padukshëm derisa bëhet i pashmangshëm.

Ekonomisti Timur Kuran shpjegon në librin “Të vërteta private, gënjeshtra publike” se regjimet shpesh duken shumë më të forta sesa janë, sepse qytetarët fshehin bindjet e tyre reale.

Për një kohë të gjatë, njerëzit heshtin jo sepse janë dakord me sistemin, por sepse besojnë se janë pakicë ose sepse kanë frikë të humbasin privilegjet, vendin e punës apo të ndëshkohen për mendimin e tyre.

Mirëpo, sapo disa individë guxojnë ta thyejnë këtë heshtje, të tjerë kuptojnë se nuk janë vetëm e marrin zemër.

Iluzioni i mbështetjes së përgjithshme fillon të shembet dhe sistemi, që deri dje dukej i pathyeshëm, nis të humbasë legjitimitetin me një shpejtësi që shumëkujt i duket e papritur.

Është njësoj si një mur i vjetër ku çarja e parë pothuajse nuk bie në sy. Edhe e dyta duket e parëndësishme.

Edhe pas dhjetë plasaritjeve, muri mund të vazhdojë të qëndrojë në këmbë dhe, për këdo që e sheh nga larg, të duket po aq i fortë sa më parë.

Megjithatë, inxhinieri e di se çdo çarje ndryshon strukturën e tij. Çdo plasaritje e dobëson pak më shumë aftësinë për t’i rezistuar goditjes së radhës.

Edhe sistemet politike funksionojnë njëlloj.

Ne kemi prirjen ta gjykojmë historinë vetëm nga momentet spektakolare: dita kur bie muri, dita kur rrëzohet regjimi, dita kur ndryshon pushteti.

Shumë më pak vëmendje u kushtojmë proceseve të vogla që i paraprijnë atij momenti.

Një protestë; një hetim; një vendim gjykate. Një skandal që ndryshon mënyrën se si qytetarët e shohin pushtetin. Një alternativë e re politike.

Një debat publik mbi një temë tabu, që deri dje ishte i paimagjinueshëm. Një brez i ri që mendon ndryshe nga ai paraardhës.

Kur i përjetojmë këto zhvillime në kohë reale, ato na duken të izoluara, të rastësishme dhe pa ndonjë ndikim vendimtar mbi sistemin.

Megjithatë, këto procese, që në pamje të parë nuk kanë lidhje mes tyre, fillojnë të ndërveprojnë, të ushqejnë njëri-tjetrin dhe të ndryshojnë gradualisht pritshmëritë, sjelljen dhe ekuilibrat mbi të cilët mbështetet një rend politik.

Të marra veçmas, këto zhvillime mund të duken modeste, por së bashku ato prodhojnë atë që sociologët e quajnë efekt kumulativ.

Pikërisht për këtë arsye, pikat e kthesës pothuajse kurrë nuk njihen në momentin kur ndodhin, por identifikohen vetëm në retrospektivë.

Kur studiojmë të shkuarën, tundimi është gjithmonë të kërkojmë datën e bujshme që ndryshoi gjithçka. Revolucioni; zgjedhjet; protesta vendimtare apo fjalimi historik.

Por pothuajse gjithmonë këto momente janë vetëm kulmi i një procesi që kishte filluar shumë më herët. Ato janë momenti kur çarjet bëhen të dukshme për të gjithë, jo momenti kur ato lindin.

Solidariteti u themelua më 1980 dhe kaloi pothuajse një dekadë derisa i dha goditjen vendimtare monopolit komunist në Poloni.

Vetëflijimi i Mohamed Bouazizit në dhjetor 2010 ishte vetëm fitili që shpërtheu një zemërim që ishte grumbulluar prej vitesh në Tunizi dhe pastaj u deshën vetëm pak javë për të rrëzuar regjimin në dukje të pamposhtur të Ben Alit.

Vala e protestave u përhap në të njëjtën mënyrë në mbarë botën arabe, duke çuar në rënien e Mubarakut në Egjipt e Gadafit në Libi.

Askush nuk i priste këto rrëzime vetëm pak javë para se të ndodhnin.

Historia tregon se asnjë sistem nuk është i pathyeshëm. Disa zgjasin më shumë se të tjerët. Disa arrijnë të mbijetojnë për dekada.

Gjatë gjithë kësaj kohe, ata mbështeten mbi të njëjtin element: legjitimitetin që u japin qytetarët.

Kur ky legjitimitet fillon të çahet, sistemi mund të vazhdojë të qëndrojë në këmbë, por ai nuk është më i njëjti sistem.

Mjafton vetëm një katalizator, një ngjarje e vetme që ekspozon pafuqinë e regjimit ose lakuriqësinë e propagandës së tij, dhe pastaj gjithçka shembet me shpejtësi.

Pikërisht këtu mjetet e komunikimit kanë luajtur shpesh një rol vendimtar. Historia tregon se pothuajse çdo valë demokratizimi është paraprirë nga një çarje në monopolin e informacionit.

Në Europën Lindore këtë rol e luajtën samizdatet, Radio Evropa e Lirë, Zëri i Amerikës dhe mediat e tjera perëndimore në gjuhët e vendeve të bllokut komunist, të cilat u treguan qytetarëve se propaganda zyrtare nuk ishte më burimi i vetëm i së vërtetës dhe se pakënaqësia e tyre nuk ishte e izoluar.

Në Filipine ishte radioja që ndihmoi mobilizimin kundër regjimit të Marcosit.

Telefonat celularë dhe rrjetet sociale luajtën një rol të ngjashëm në Mianmar, Hong Kong, Ukrainë, Iran dhe vende të tjera, duke thyer monopolin e informacionit, duke u treguar qytetarëve se nuk ishin vetëm dhe duke rrëzuar iluzionin se regjimet gëzonin mbështetje të padiskutueshme.

Kur teknologjia dhe informacioni i lirë thyejnë monologun e pushtetit, kostoja e heshtjes bëhet më e madhe se kostoja e protestës.

Në atë pikë kthese, sistemi nuk përballet thjesht me pakënaqësi, por edhe me shembjen e mitit të pathyeshmërisë së tij.

Vetëm më vonë kuptojmë se ajo që dukej si një seri ngjarjesh të zakonshme ishte, në të vërtetë, procesi përmes të cilit rendi i vjetër humbet aftësinë për të mbijetuar.

Momenti kur ai bie përfundimisht mund të vijë më pas—rrallë ai përkon me momentin kur regjimi fillon të dobësohet.

Midis këtyre dy çasteve mund të kalojnë vite, gjatë të cilave ndryshimi mbetet mbase pothuajse i padukshëm për këdo që jeton brenda tij.

Ai bëhet i dukshëm vetëm kur është bërë i pashmangshëm.

Sistemet politike u ngjajnë më shumë pemëve që kalben nga brenda sesa kështjellave që shemben nga një goditje e vetme.

Për një kohë të gjatë ato mund të duken të forta, madje të pathyeshme. Trungu qëndron në këmbë, kurora mbetet e gjelbër dhe nga jashtë gjithçka duket normale.

Por kur kalbja e legjitimitetit arrin deri te rrënjët, nuk nevojitet më një stuhi e jashtëzakonshme për t’i rrëzuar.

Mjafton flladi i parë i ndërgjegjes qytetare.

 

Shpërndaje te miqtë

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.