Daja para ndeshjes: Sfida me Skënderbeun më e rëndësishme se derbi, nuk kursej askënd, kreu i merituar!
Dueli? Do jetë një ndeshje e luftuar, por do të shkojmë në Korçë për të luftuar për marrjen e tre pikëshit. Unë nuk e kam për herë të parë në krye, janë edhe disa lojtarë që kanë dalë kampionë me Partizanin, kanë eksperiencë për të menaxhuar këto situata. Na vjen mirë që jemi në krye, e kemi merituar të jemi aty. Duhet të vazhdojmë dhe të fokusohemi te Skënderbeu, nuk do na bënte mirë të shpërndaheshim te ndeshjet e tjera.
Mungesat? Mala dhe Bardhi, dy mungesa të rëndësishme, për vetë vlerat që kanë dy lojtarët. Besojmë se do t’i minimizojmë mungesat e këtyre lojtarëve me lojtarë që kemi në dispozicion. Problem është fakti që do kemi pak alternativa në stol, për të bërë ndërrime në pozicione natyrale, jo në vlera.
Derbi? Unë e di që nuk kam ndeshje pas Skënderbeut… Që do të thotë se as nuk do kursejmë dhe as nuk do mendojmë për asgjë tjetër, do të fokusohemi me të gjithë energjitë psiko-fizike për Skënderbeun. Rezultati është kryesori në këtë fund kampionati. Të marrësh tre pikë në Korçë, do të thotë që duhet të vlerësojmë të gjithë kundërshtarin. Skënderbeu ka lojtarë që mund të godasin, sidomos në sulmin e shpejtë. Presioni nuk është vetëm te ne, edhe ata kanë presion për arsyen e gjendjes në tabelën e klasifikimit, edhe atyre u duhen pikët. Shpërndarja e presionit është e barabartë, por ne kemi potencialin më të madh për ta përballuar këtë presion. Mund të kemi një qetësi më të madhe, sepse kemi një objektiv më të madh“, përfundoi trajneri i skuadrës kryeqytetase.