Demaçi: Po bëjnë luftë për pushtet
Adem Demaçi vlerëson se aktualisht në Kosovë po luftohet për një pushtet i cili po dëshpëron qytetarët. Sipas tij, akterët politik kanë degraduar aq shumë sa që kanë harruar interesin e kombit duke parë vetëm interesin vetjak apo grupor. E populli shton ai, është në një pritje e cila nuk po dihet se kur do të mbarojë.
Duke thënë se Evropa po bënë gabim të madh me popullin shqiptar lidhur me gjykimin e luftëtarëve të UÇK-së, e po i lë anash të bëmat e Serbisë, veprimtari Adem Demaçi, në një intervistë dhënë KosovaPress-it, flet edhe për seancën e 17 korrikut, prej të cilës thotë se ka mbetur i dëshpëruar.
Pohon edhe se ndodhitë e fundit në konfliktet në vendet e lindjes, nuk kanë të bëjnë me fenë islame.
Sipas tij, këto janë çmenduri të cilat feja islame nuk i lejon.
Demaçi thotë se për arsye vetjake, aktualisht në Kosovë po veprohet me disa standarde ballkanike të gabuara.
“Unë po habitem se si është e mundur, se si kanë degraduar në atë shkallë sa të harrojnë interesin e kombit, ta harrojnë interesin e shtetit dhe arsyet personale, arsyet e interesit të ngushtë, vetjak ose grupor, të bëhen aq të rëndësishme sa që të bllokohet krejt jeta politike”, thotë ai.
Sjelljet e fundit, Demaçi i quan papërgjegjësi.
Sipas tij, shumë prej tyre harruan luftën e përpjekjet e tyre dhe po sillen sikur të kenë probleme të tyre e jo probleme te të gjithë Kosovës.
Demaçi flet edhe për formimin e qeverisë, thotë se bllokut AAK-LDK-NISMA nuk po iu pritet të shohin se a do të mund të formojnë qeverinë ata, apo koalicioni që ka fituar shumicën e votave në zgjedhje.
“Është një farë rregulli që po thonë këta juristët. Unë jurist nuk jam, por po thonë që ata që kanë fituar shumicën e votave, gjoja atyre iu takon që ata ta marrin mandatin për formimin e qeverisë. Si janë votat pastaj, si janë numrat mbetet të shihet”, vlerëson Demaçi.
E nga seanca e 17 korrikut, Demaçi mbeti i dëshpëruar dhe i zhgënjyer, ku thotë se po bëhet luftë për pushtet, të cilin e quan pushtet që po dëshpëron popullin.
“Më ka dëshpëruar shumë, sepse edhe aty doli në shesh përpjekjet që të imponohet një zgjidhje sipas interesave të ngushta, jo duke shikuar interesin e Kosovës, sepse interesi i Kosovës kërkon që ta ketë një qeveri stabile, me një stabilitetit të madh në mënyrë që të mund të marrë vendime”, thotë ai.
Në anën tjetër, sa i përket gjykimeve për ish-pjesëtarët e UÇK-së, për Demaçin kjo është e papranueshme.
Ai thotë se Evropën e ka përfshirë burokratizmi dhe po bënë gabime të mëdha që janë në kundërshtim me demokracinë dhe mbrojtjen e së vërtetës.
“Unë gjeneralisht mendoj që Evropa e ka gabim. Ne jemi një popull i cili ka qenë i detyruar të luftojë për lirinë e vet, një popull ndaj të cilit janë bërë padrejtësi të mëdha, shtypje të mëdha, vrasje të mëdha masive, bombardime etj…, ne nuk kemi shkuar në luftë prej qejfit, ne kemi shkuar në luftë sepse lufta na është imponuar. Ka me qindra e qindra të dhëna e argumente që një gjyq i tillë do të duhej të formohej për palën serbe, për çetnikët e Serbisë dhe jo për ne“, thekson Demaçi.
Krahas zhvillimeve aktuale politike në vend, Demaçi flet edhe për çështjen e personave të cilët po iu bashkohen konflikteve të lindjes.
Ai mendon se Kosova do të rrezikohej nga radikalizmi vetëm nëse nuk do të ndërmerren masat që të mbyllen burimet të cilat po prodhojnë fanatik të cilët po bëjnë veprime jonjerëzore.
E veprimet e Lavdërim Muhaxherit, që së fundi tronditën opinionin kosovar, Demaçi i quan çmenduri që nuk kanë të bëjnë me fenë islame.
Demaçi përsëritë që institucionet duhet t’i ndalin burimet e një propagande të gabuar, që siç thotë ai, është anti-islame në esencë.