☀️
Tiranë 35°C · Kthjellët 02 September 2026
S&P 500 7,631 ▼0.71%
DOW 52,767 ▼0.79%
NASDAQ 26,100 ▼1.03%
NAFTA 89.67 ▼0.61%
ARI 4,379 ▼0.39%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1594 EUR/GBP 0.8572 EUR/CHF 0.9408 EUR/ALL 92.2905 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3276 EUR/TRY 55.9776 EUR/JPY 185.64 EUR/CAD 1.6104 EUR/USD 1.1594 EUR/GBP 0.8572 EUR/CHF 0.9408 EUR/ALL 92.2905 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3276 EUR/TRY 55.9776 EUR/JPY 185.64 EUR/CAD 1.6104
₿ CRYPTO
BTC $76,751 ▼ -1.63% ETH $2,378 ▼ -2.79% XRP $1.3193 ▼ -3.92% SOL $97.7300 ▼ -4.2%
S&P 500 7,631 ▼0.71 % DOW 52,767 ▼0.79 % NASDAQ 26,100 ▼1.03 % NAFTA 89.67 ▼0.61 % ARI 4,379 ▼0.39 % S&P 500 7,631 ▼0.71 % DOW 52,767 ▼0.79 % NASDAQ 26,100 ▼1.03 % NAFTA 89.67 ▼0.61 % ARI 4,379 ▼0.39 %
EUR/USD 1.1594 EUR/GBP 0.8572 EUR/CHF 0.9408 EUR/ALL 92.2905 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3276 EUR/TRY 55.9776 EUR/JPY 185.64 EUR/CAD 1.6104 EUR/USD 1.1594 EUR/GBP 0.8572 EUR/CHF 0.9408 EUR/ALL 92.2905 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3276 EUR/TRY 55.9776 EUR/JPY 185.64 EUR/CAD 1.6104
02 Sep 2026
Breaking
Politika

Ditmir Bushati: Protestat në Shqipëri, një moment vendimtar

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, e ka cilësuar valën e protestave në Shqipëri si një “moment vendimtar” për vendin, duke argumentuar se pakënaqësia qytetare shkon përtej kundërshtimit ndaj një projekti të caktuar dhe lidhet me mënyrën se si është qeverisur vendi ndër vite.

Në një reagim të gjatë të publikuar në rrjetet sociale, Bushati e nis analizën e tij nga protestat kundër projektit të resortit në Zvërnec. Sipas tij, një prej pamjeve që ka nxitur reagimin qytetar ishte ajo e një protestuesi paqësor që u tërhoq zvarrë nga roje private sigurie, ndërsa, sipas tij, policia qëndronte mënjanë dhe mjetet e ndërtimit nisnin punën.

Bushati e përshkruan projektin si një ndërhyrje në një zonë të ndjeshme mjedisore dhe thotë se çështja e pronësisë mbi tokën, pretendimet për falsifikim dokumentesh dhe hetimet e SPAK-ut kanë shtuar shqetësimet publike.

“Gardhi në plazh. Pamundësia për të dalë në det. Banditët si simbol i lidhjeve të krimit të organizuar me politikën dhe me oligarkët. Betoni që po gllabëron vijën bregdetare”, shkruan ish-ministri, duke e cilësuar atë skenë si një përmbledhje të pakënaqësisë së akumuluar prej vitesh.

Sipas Bushatit, ajo që nisi rreth projektit të Zvërnecit është shndërruar në një protestë më të gjerë kundër korrupsionit, mungesës së llogaridhënies dhe modelit të zhvillimit të vendit.

Ai argumenton se protestat pasqyrojnë një kundërshtim ndaj asaj që e quan “një model grabitqar të kapitalizmit”, i cili, sipas tij, konsumon trashëgiminë e brezave të kaluar dhe dëmton perspektivën e brezave të ardhshëm.

“Parë në këtë mënyrë, projekti i Zvërnecit është pika e fundit e durimit dhe njëkohësisht një lente përmes së cilës të gjithë shqiptarët mund të kuptojnë se si janë qeverisur”, shprehet Bushati.

Ai e konsideron këtë situatë si një moment që mund të hapë një debat kombëtar mbi mënyrën se si duhet të zhvillohet Shqipëria, si merren vendimet dhe nëse qytetarët besojnë se ato merren në interesin e tyre.

Ish-ministri i Jashtëm shkon edhe më tej, duke e krahasuar rëndësinë e zhvillimeve aktuale me periudha kyçe të historisë së vendit.

“Ky mund të dëshmohet si një moment vendimtar në historinë e Shqipërisë, i krahasueshëm me rënien e komunizmit”, shkruan ai.

Sipas Bushatit, një pjesë e rëndësishme e protestuesve janë të rinj që kanë lindur pas vitit 1990 dhe që nuk e matin Shqipërinë e sotme me të kaluarën komuniste, por me potencialin që besojnë se vendi ka.

“Kërkesat e tyre nuk janë as radikale, as ideologjike”, thekson ai, duke i përmbledhur ato në kërkesën për një demokraci funksionale, institucione të besueshme, transparencë, zbatim të barabartë të ligjit dhe administrim të pasurive publike në interes të shumicës.

Bushati kritikon gjithashtu mënyrën se si qeveria ka reaguar ndaj protestave. Sipas tij, qeveria fillimisht i ka përshkruar protestuesit përmes nocioneve si “luftë hibride” dhe “proletariat algoritmik”, ndërsa më pas ka ndryshuar qasje duke pranuar pjesërisht ekzistencën e një problemi.

Ai vlerëson se qeveria është përpjekur të përvetësojë gjuhën e protestës, pa hequr dorë nga projekti dhe nga modeli i zhvillimit që, sipas tij, ka prodhuar pakënaqësinë.

Në të njëjtën kohë, Bushati thekson se protestat nuk duhen interpretuar si një kundërshtim ndaj investimeve të huaja apo ndaj turizmit luksoz.

“Këto demonstrata nuk përbëjnë një refuzim të investimeve të huaja, as të një resorti luksoz në vetvete”, shkruan ai, duke e cilësuar lëvizjen si “një revoltë qytetare pa udhëheqës kundër mënyrës se si funksionon pushteti”.

Bushati nënvizon se protesta nuk duhet parë as si një lëvizje kundër Shteteve të Bashkuara.

“Shqipëria mbetet, ndoshta, shoqëria më pro-amerikane në Europë”, shkruan ai, duke theksuar se shqiptarët e dinë rëndësinë e investimeve të huaja, turizmit dhe sipërmarrjes private për ekonominë.

Sipas tij, debati kryesor është nëse zhvillimi ekonomik mund të shoqërohet me transparencë, llogaridhënie dhe besim publik.

“Këto parime nuk janë pengesa për investimet. Në afat të gjatë, ato janë ndër garancitë më të forta të tyre”, argumenton Bushati.

Një pjesë e rëndësishme e reagimit i kushtohet edhe dimensionit mjedisor të protestave. Bushati thotë se flamingoja, e cila është kthyer në një simbol të lëvizjes, përfaqëson një çështje shumë më të gjerë.

“Flamingoja që është lidhur me këto protesta është vetëm një simbol. Vetë lëvizja ka të bëjë me diçka shumë më të madhe: me bindjen se trashëgimia natyrore e Shqipërisë, institucionet e saj publike dhe e ardhmja e saj meritojnë administrim të kujdesshëm”, shprehet ai.

Sipas ish-ministrit, kjo është hera e parë që një pjesë e qytetarëve shqiptarë ndihen se mund të formësojnë debatin kombëtar pa pritur që partitë politike të marrin drejtimin.

Në fund të reagimit, Bushati e lidh situatën me procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Ai argumenton se çështjet që kanë ngritur protestuesit – shteti i së drejtës, korrupsioni, kapja e shtetit nga interesa oligarkike, krimi i organizuar dhe dobësia institucionale – janë pikërisht disa prej sfidave të evidentuara prej vitesh në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së.

Për këtë arsye, Bushati kërkon që “heshtja e BE-së” t’i lërë vendin një mbikëqyrjeje më të fortë, por të drejtë, në mbështetje të shoqërisë shqiptare dhe për përmbushjen e standardeve europiane.

Duke iu referuar periudhës pas rënies së komunizmit, ai vlerëson përparimin e Shqipërisë në këto dekada, përfshirë anëtarësimin në NATO, forcimin e partneritetit me SHBA-në dhe afrimin me Bashkimin Europian.

Por, sipas Bushatit, sfida e radhës është më e madhe se rritja ekonomike.

“Rritja ekonomike duhet të shoqërohet me institucione që gëzojnë besimin e publikut dhe me një kulturë politike që e mirëpret llogaridhënien në vend që t’i frikësohet asaj”, përfundon ai.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.