Doshi-gate (përmbys) në Kosovë, përputhje të çuditshme: 250 mijë euro për të vrarë n/kryetarin e Kuvendit (!?)
Historia e atentatit të supozuar ndaj deputetit Tom Doshi dhe kolegut të tij demokrat, Mhill Fufi, duket se tashmë ka kaluar tej kufirit shtetëror dhe është përqafuar edhe nga vllezërit tanë të politikës në Kosovë.
Si duket, duke u nisur nga thënia e njohur, “ një komb, një qëndrim”, edhe deputetët e parlamentit të Kosovës nuk kanë mbetur pas miqve të tyre në parlamentin e Shqipërisë.
Si qëndron puna?
Sipas burimeve të mirëinformuara të DITA, deputeti Xhavit Haliti, që është njëkohsisht edhe nënkryetar prej shumë viteve i parlamentit, një ndër figurat kryesore të Partisë Demokratike, që është parti e mazhorancës, i është drejtuar prokurorisë së Kosovës me padinë ndaj njërit ndër bashkëpunëtorë te vjetër të tij, po ashtu pjesë e lëvizjes çlirimtare, Ibrahim Kelmendi.
Sipas padisë së paraqitur, që bëhet e ditur për gazetën DITA nga burimet e saj në Kosovë, deputeti Haliti pretendon se, sipas një vrasësi të porositur, të quajtur Florim Ejupi, ky i fundit më pas i penduar, paska marrë propozimin nga Kelmendi për të vrarë deputetin në shkëmbim të 250 mijë eurove.
“Vrasësi” i penduar më pas, sipas burimit tonë, më vonë, duke parë rrethanat ose i pakënaqur me shumën e caktuar, i është drejtuar zotit Haliti dhe thuhet se edhe është bërë një video, ashtu si ka ndodhur edhe në rastin e Tom Doshit.
Ngjashmëria është e madhe, por në Kosovë ndodh në sens të kundërt: aty synohet një atentat ndaj nenkryetarit të parlamentit dhe kjo, tani si në rastin Doshi, kërkohet të bëhet nga shok i afërt i deputetit.
Të dy figurat e cituara në këtë padi janë të njohura në Kosovë , si figura që kanë pjesën e tyre në luftën e Kosovës. Zoti Haliti ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe njëri ndërthemeluesit e saj.
Zoti Kelmendi është njëri ndër krijuesit e Lëvizjes Popullore të Kosovës, së bashku me Jusuf Gërvallën, Kadri Zekën dhe Bardhosh Gërvallën.
Sipas një gazetari të Kohës Ditore, shkaku i konfliktit paska qenë shumë i hershëm, dhe ka të bëjë me “marrjen e meritave” dhe tendencat që paska Kelmendi për të pasur një post të rëndësishëm në Kosovë.
Po ashtu, e gjithë kjo lidhet edhe me mosmarrëveshjet që kanë pasur ato gjatë luftës, sidomos për mbështetjen që ata kanë pasur në zonat e ndryshme të luftës dhe në fodnin e luftës, “vendlindja thërret”.
Ajo që të bën përshtypje është përsëritja pikë për pikë e e asaj që prej disa kohëve ka ndodhur në Tiranë.
Ndryshojnë vetëm shumat e përcaktuara dhe drejtimi i “atentatit”. Ndërsa në Shqipëri tentimi është nga lart – poshtë, në Kosovë është nga poshtë/ lart.
Në interesimin e redaksisë së DITA në Prishtinë për të ditur të vërtetën, ne morëm vetëm një prononcim të shkurtër të zotit Kelmendi, i cili, pranoi se vetëm në ditën e fundit ka mësuar për një padi të tillë, e cila nuk ka asgjë me të vërtetën, dhe se ai beson se diferencat mes tij dhe bashkëveprimtarit të tij, Haliti, janë sheshuar në strukturat e përbashkta ku ata kanë bërë pjesë.
DITA nuk arriti dot të kontaktojë me zotin Haliti, por me interesimin tonë, njëri ndër gazetarët e njohur të atyshëm, na vertetoi se ka një padi të tillë dhe se askush nuk e di tani për tani se si do të jetë në të ardhmen.