Kronika

Droga në Bari, “arrest me burg” edhe 5 punonjësve të Portit të Durrësit

Trafikimi i një sasie të konsiderueshme lënde narkotike të llojit kanabis, përmes Portit të Durrësit drejt Italisë, që është kapur nga autoritetet italiane të Portit të Barit, ka bërë që Prokuroria e Durrësit ta çojë në 7 numrin e personave të dyshuar për “shpërdorim detyre”.

Ngjarja ka ndodhur më 17 nëntor të këtij viti, kur policia italiane në Portin e Barit kapi në një kamion të nisur nga Porti i Durrësit një sasi prej 1650 kg hashash, dhe pas arrestimit të dy punonjësve të kompanisë private të skanimit, me kërkesë të Prokurorisë së Durrësit, gjykata ka vendosur masën e “arrestit me burg” edhe për 5 persona të tjerë, të gjithë punonjës të Doganës së Durrësit dhe Policisë Kufitare.

Ata dyshohen se, me mosveprimet e tyre kanë krijuar mundësitë e trafikimit të lëndës narkotike. Vendimi i gjykatës është ekzekutuar gjatë kësaj të marte nga ana e Policisë së Shtetit.

Të ndaluarit e sotëm janë Leonard Gremi, doganier dhe përgjegjës turni në Doganën e Durrësit; Ilir Shtama, doganier i skanerit; Redi Demiri, doganier i kontrollit fizik; Fitim Demollari, punonjës policie në Komisariatin e policisë së Portit Durrës; si dhe Artur Habibi, sërish punonjës policie.

Veç tyre, gjykata kishte vendosur pak ditë më parë të njëjtën masë arresti edhe për shtetasit Fatjon Trezhnjeva dhe Edmond Hysko, punonjës të kompanisë “Rapiscan” në Portin e Durrësit. Ndërkaq, nga ana e autoriteteve italiane janë arrestuar ditën e ngjarjes dy shtetas shqiptarë, shoferë të kamionit me rimorkio, ku u gjet sasia e lëndës narkotike; Andrea Lleshi dhe Dorjan Lleshi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button