Duka: Për herë të parë u diskutua për racizmin. Duam 3 pikët
Është mbyllur seanca dëgjimore në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë, ku pala shqiptare dhe ajo serbe kanë bërë deklarimet e tyre, si dhe kanë marrë në pyetje njëri-tjetrin duke u ballafaquar përpara trupit gjykues.
Në një intervistë për Top Channel, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka sqaron gjithçka ka ndodhur në gjykatën më të lartë sportive, në Lozanë të Zvicrës.
“Seanca ka filluar në orën 5, ku janë dëgjuar dëshmitarët e paraqitur nga ne: kapiteni i skuadrës kombëtare shqiptare, Lorik Cana, trajneri Gianni De Biasi, si dhe dëshmitarët e Serbisë, kapiteni i skuadrës serbe dhe përgjegjësi i stadiumit të Beogradit. Gjatë gjithë kohës, nga ora 8 e mëngjesit e deri më tani (pasdite) janë dëgjuar dhe janë pyetur dëshmitarët e të gjitha palëve”, ka thënë presidenti Armand Duka.
Ndryshe nga Gjykata sportive e UEFA-s, në CAS është diskutuar për herë të parë edhe çështja e racizimit, një pikë e fortë kjo që i bashkëngjitet fakteve të tjera, se përse kjo ndeshje nuk mund të vazhdohej.
“Dëshmitë kanë qenë pothuajse të qarta se kjo ishte një ndeshje që nuk duhej vazhduar. Ajo që nuk u mor parasysh në Apelin e UEFA-s, është pikërisht akuza jonë për racizëm, e cila është rikthyer sot këtu, në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv. Ne kemi pasur edhe një profesor të kriminalistikës, i cili ka argumentuar që ishte e pamundur të vazhdohej ajo ndeshje”, shtoi më tej presidenti Duka.
Ajo që pritet me më tepër interes, është padyshim vendimi që do të marrë CAS-i, që është edhe shkalla e fundit e drejtësisë sportive, për të na dhënë atë çka na u mohua në dy shkallët e drejtësisë sportive të UEFA-s, 3-pikëshi në tavolinë.
“Trupi gjykues vetëm ka dëgjuar dëshmitarët, i ka pyetur edhe ai këta dëshmitarë, ndaj dhe do të marrë kohën e vet për të marrë vendimin që mund të zgjasë deri në 1 muaj”, deklaroi Duka.
Duka në fund të intervistës ka mohuar mundësinë e rizhvillimit të ndeshjes Serbi-Shqipëri.