Ekonomia e Ballkanit po forcohet, por emigracioni vazhdon
Vendet e Europës Juglindore prej vitesh po zbatojnë strategjinë rajonale 2020 për të siguruar një ekonomi të qëndrueshme dhe për t’u afruar me BE. Bordi Drejtues i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, që po koordinon procesin, publikoi rezultatet e vitit të fundit. Sipas tyre Shqipëria kryeson 6 vendet e rajonit në progresin e shënuar sa i përket tregtisë ndër-rajonale të mallrave, si dhe ka arritur objektivin e vendosur për hapjen e vendeve të reja të punes, duke shtuar 28 mijë të tilla.
Por ndonëse ekonomitë e vendeve të rajonit po rriten, qytetarët e këtyre vendeve vijojnë të largohen drejt BE-së.
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Goran Svilanoviç në një intervistë për RTSH renditi arsyet e emigracionit që mbetet prezent në rajonin e Ballkanit. ”Ata po largohen sepse nuk janë të kënaqur me mënyrën se si funksionon shoqëria në vendet e tyre. Fakti se nuk janë vendet e pasura nuk është arsyeja e vetme. Më shumë ka të bëjë me sistemin shëndetësor, sisemin arsimor, shërbimet publike, sistemin e drejtësisë. Ata duan të jetojnë në paqe, të kenë një punë dhe një perspektivë të sigurtë. Por ata po humbin besimin tek kjo perspektivë” tha zoti Svilanoviç.
Ai e konsideron të drejtë vendinimin e Këshillit të BE-së për të nisur bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë e qershorin e ardhshëm, por thotë se veç përmbushjes së detyrimeve nga Shqipëria, edhe vendet e BE-së duhet ta ndihmojnë më shumë atë. “Do të prisja më shumë inkurajim nga BE duke qënë se vlerësuan se ishte bërë shumë përpjekje për reformën në gjyqësor, me vettingun e gjyqtarëve. E ndjej se vendimet që u moren nga qeveria ishin të veshtira për njerëzit, pavaresisht nësë mbeshtesin qeverinë apo opozitën. Besoj se qeverisë i është dashur ta bëjë këtë dhe unë e mbështes. Por gjithashtu besoj se duhet më shumë mbështetje nga Brukseli në këtë drejtim, por edhe nga vendet anëtare të Unionit. Kushdo ta qeverise Shqiperinë, ata duhet të respektojnë përpjekjet që janë bërë” tha zoti Svilanoviç.
Në rrugën drejt BE-së, Shqiperisë i mbetet të vijojë përpjekjet për të forcuar shtetin e së drejtës dhe për të luftuar korrupsionin. Bashkëbiseduesit evidentuan edhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik midis Shqipërisë dhe Holandës. Rritja e bashkëpunimit politik është pasuar edhe nga rritja e konsiderueshme e investimeve holandeze në Shqipëri. Në vitin 2017 Holanda u bë investitori i dytë në Shqipëri, me 870 milionë euro ose një rritje prej 30% krahasuar me vitin e kaluar.